Mediet serbe në Kosovë bëjnë të ditur se Shefi i ushtrisë serbe, Ljubisha Dikoviq, i njohur dhe i akuzuar për krimet lufte në vendin tonë, u takua sot në Nish me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Gjovanni Fungo me të cilin diskutuan për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë. Ky është takimi i parë i dy gjeneralëve qysh kur Fungo morri komandën e forcave të misionit të Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë gjatë muajit shtator. Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm të Ushtrisë Serbe dhe KFOR-it si të suksesshëm, Dikoviq ka theksuar se KFOR- duhet të përkujdeset për sigurinë e të gjithë qytetarëve të vendit. “Ai ka thënë se institucionet e njëanshme të Prishtinës, sa i përket statusit të “Trepçës” janë kërcënim për situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe i kërkoi komandantit të KFOR-it për të marrë të gjitha masat për të ruajtur paqen dhe sigurinë e qytetarëve”, thuhet në një njoftim për media të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
