Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama mori pjesë në takimin vjetor të shefave të mbrojtjes në Wiesbaden të Gjermanisë. Në këtë konferencë morën pjesë shefat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe shteteve partnere. Konferenca vjetore e shefave të mbrojtjes, e cila u organizua nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë, kishte për tematikë luftën kundër organizatave ekstremiste të dhunshme.
Në njërën prej seancave të konferencës ka folur edhe komandanti i FSK-së, gjeneral Rama i cili u fokusua në qasjen gjithëpërfshirëse të Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, progresin e saj në parandalimin e këtij fenomeni si dhe vendosjen e një baze ligjore të aplikueshme që rregullon çështjen e pjesëmarrjes së shtetasve të Kosovës në luftërat e huaja. Gjeneral Rama gjatë qëndrimit në Wiesbaden u takua edhe me gjeneralin Curtis M. Scaparrotti, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe përmbajtësore të cilën Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë po e jep për mbështetjen për Republikën e Kosovës, rajonin e Ballkanit në përgjithësi e veçanërisht në ngritjen profesionale të FSK-së.
Gjenerallejtënant Rrahman Rama në këtë konferencë pati mundësi të takonte shefa të mbrojtjes me ç ‘rast diskutuan mbi kompleksitetin dhe sfidat e sigurisë në regjion, si dhe shkëmbyen pikëpamje mbi kontributin dhe angazhimin e secilit për krijimin dhe ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt.