Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama thotë se ushtria nuk do të demonstrojë forcë, në rast të një gjendje të jashtëzakonshme në vend. Në një situatë të tillë, thotë ai, nuk do të bëhet një izolim klasik veçse do të jenë disa kufizime në të mirë të shëndetit të qytetarëve që mos të përhapet COVID-19 që tashmë ka infektuar 19 persona në Kosovë. Komandanti i Forcës thotë se në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, FSK dhe institucionet e tjera do të bashkërendojnë veprimet në mënyrë që t’u dilet në ndihmë qytetarëve. Rama thotë që e ka parasysh se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë do të ishte një masë e re por që sipas tij nuk duhet krijuar panik sepse në atë formë vetëm do të kryheshin obligimet e të gjitha institucioneve siç parashihen me kushtetutë, e që do të shërbenin në të mirë të qytetarëve. Komandanti i FSK-së thotë se kanë kapacitete mjekësore, logjistike e njësi specialistike për materie të rrezikshme dhe që të gjitha janë në dispozicion të institucioneve nëse nevojiten. Ndërkohë nuk beson që do të jetë e nevojshme të përdoren kazermat e FSK-së si karantinë, por shton se janë në dispozicion. /kp/
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …