Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka reaguar ashpër ndaj mundësisë së një mandati të tretë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e konsideruar si të papranueshme për Kosovën çdo përpjekje të partive opozitare për ta mbështetur sërish Lëvizjen Vetëvendosje në formimin e qeverisë. Dedaj akuzoi Kurtin dhe partinë e tij për dështime të mëdha qeverisëse dhe për dëmtimin e rëndë të marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës. Albin Kurti dhe VV e kanë dëmtuar partneritetin euroatlantik, kanë varfëruar dhe gjunjëzuar Kosovën. Nuk ka arsye pse të kërkojë një mandat të tretë kur dy mandatet e para i sollën vendit vetëm dëme. Asnjë subjekt opozitar nuk duhet të kontribuojë në thellimin e kësaj agonie politike, tha Dedaj. Kosovës nuk i duhet një kryeministër antiamerikan dhe antievropian, që ka prishur raportet me SHBA, BE, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe me të gjitha vendet fqinje. Në një kohë kur bota përballet me sfida të mëdha gjeopolitike, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe përkushtim euroatlantik, jo për konflikt dhe izolim, theksoi Dedaj.
