Propozim i anëtarëve të Bashkimit Evropian për të ndaluar vizat turistike për të gjithë rusët për shkak të luftës në Ukrainë, po përballet me pengesa të pakalueshme. Franca dhe Gjermania kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pak kohë para takimit, duke thënë se çështja e kufizimit të vizave për rusët do të ishte kundërproduktive, teksa BE-ja po tenton të fitojë “zemrat dhe mendjet” e rusëve që nuk e mbështesin agresionin e paprovokuar të Moskës ndaj Ukrainës. Çështja e ndalimit të vizave për rusët është aktualizuar ditëve të fundit nga disa shtete të BE-së, por për këtë çështje duhet një vendim unanim i të 27 shteteve anëtare, në mënyrë që të shndërrohet në sanksion të ri kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.