Gjilani i thotë ‘JO’ Zajednicës dhe Demarkacionit

Mijëra qytetarë u mblodhën sot
në manifestimin e opozitës, të mbajtur në qytetin e Gjilanit. Ky manifestim masiv,
i treti me radhë pas atij në Prishtinë dhe Gjakovë, shprehu edhe njëherë kundërshtimin
ndaj Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe asaj për shënjimin
e kufirit me Malin e Zi. Protestuesve të pranishëm iu drejtua kreu i Nismës,
Fatmir Limaj, i cili tha se marrëveshjet nuk mund të kalojnë mbi vullnetin e
qytetarëve. “Për fatin tonë nuk do të lejojmë që një individ të vendos për
Kosovën sepse për të vendos vetë populli”, ka thënë ai. Edhe kreu i AAK-së,
Ramush Haradinaj tha para të pranishmëve në manifestim se ‘sot po luftohet për
të ndalur të keqen”. Ai u ndal edhe tek çështja e demarkacionit, për të cilën
tha se “Mali i Zi nuk po do tokë të Kosovës, e pushtetarët tanë prapë po duan t’ia
japin”. “Kosova është e gjithë qytetarëve, edhe e serbëve. Por, jo e Serbisë. Marrëveshjet
e dëmshme për vendin, Zajednica dhe Demarkacioni nuk kalojnë”, ka theksuar
Haradinaj. Ndërkaq, kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka përsëritur se marrëveshjet
nuk do të kalojnë, pasi që ato “cenojnë qenësinë e shtetit të Kosovës”. Ai e
quajti Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin si ‘zaptues të Republikës’ që po i
burgosin qytetarët dhe deputetët sepse po i shohin si rrezik në realizimin e
planeve të tyre. Me një fjalë rasti, protestuesve gjilanas iu drejtuan edhe
Ismajl Kurteshi nga Vetëvendosje dhe Ahmet Isufi nga AAK.

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami kërkon reagim të drejtësisë ndaj bllokimit të punimeve publike në sheshin “Xhorxh Bush”

Deputetja e LDK, Hykmete Bajrami, ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve të drejtësisë ndaj, …