Shkolla e Mesme Gjimnazi “Hamëz Jashari” në Skënderaj ka kremtuar të mërkurën 58-vjetorin e themelimit, përkatësisht 75 vjetorin e lindjes së heroit kombëtar, ideologut dhe strategut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hamëz Jashari, me një ceremoni të organizuar nga drejtoria e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit e këtij gjimnazi.
Kryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka thënë se kjo shkollë që mban me krenari emrin e heroit Hamëz Jashari, ka treguar suksese të vazhdueshme, si në mësimdhënie ashtu edhe në mësimnxënie, duke dal prej saj gjenerata të tëra mësimdhënësish të suksesshëm dhe nxënës gjithashtu të suksesshëm.
Kryetari Nura iu ka uruar mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve shënimin e dy datave të rëndësishme të Gjimnazit “Hamëz Jashari”, duke iu dëshiruar suksese dhe arritje të reja.
Edhe drejtoresha e Gjimnazit, Gisela Shala, e cila foli për historikun e shkollës, ka uruar ditën e themelimit të këtij institucioni arsimor dhe ditëlindjen e heroit të kombit, Hamëz Jashari.
Në kuadër të shënimit të kremtes, nxënësit kanë shfaqur një program të pasur artistik, me recitime, këngë dhe valle.