leoni

Gjokë Dabaj

Gjokë Dabaj: Duke u pozicionuar kundër pankartes antiraciste, UEFA mban krahun e kryerësve të gjenocidit mbi shqiptarë

Më 11 qershor 2016 në një stadium të kampionatit të futbollit evropian u shfaq një pankartë, e cila dënonte gjenocidin grek kundër shqiptarëve të Çamërisë. Bëhej fjalë për 100000 viktima të një genocidi ndodhur në Luftën e Dytë Botërore. Në aspektin human nuk ka aspak rëndësi cilit popull i takojnë viktimat dhe kush ka qenë kryerësi i genocidit. Nuk ka gjithkështu rëndësi cilit religjion i kanë takuar viktimat. Mjaftonte vetëm shifra prej 100000 viktimash dhe drejtuesit e UEFA-s duhej të mendoheshin mirë para se të merrnin vendimin për të mos e përkrahur atë lloj proteste. Aq më pak për t’i ndëshkuar ata sportdashës antiracistë, nga më fisnikët që mund të kish ai stadium!

Në rregulloret e FIFA-s, e ne besojmë që edhe në ato të UEFA-s, një ndër parimet kryesorë është pozicionimi kundër racizmit. Në të gjithë ekipet sportivë, që u përkasin këtyre organizmave, bëhet kujdes që të mos ketë as shfaqje të racizmit, le më dhunë në emër të racizmit. Ekipi francez i futbollit është për t’u marrë si shembull. Aty shumica e futbollistëvet janë zezakë, aq sa një shikues i painformuar mund të mendojë se po shikon një ekip të Afrikës. Atëherë, si është e mundur të shfaqet me 2 standarde një organizëm ndërkombëtar siç është UEFA?! A tregon kjo cektësi gjykimi? A tregon verbëri burokratike? Apo tregon që ata kryesues të UEFA-s ruajnë në shpirtin e vet virusin e racizmit?!

Gjithsesi, duke u pozicionuar kundër asaj pankarte antiraciste, UEFA ka mbajtur qartësisht krahun e kryerësvet të genocidit. Ku e çojnë UEFA-n, dhe madje Evropën e sotme, të këtillë koncepte?! Revolta kundër genocidit grek ndaj shqiptarëve është manifestuar shumë herë, qoftë në mjediset publike qoftë në organizmat zyrtarë ndërkombëtarë. Pamjet filmike të atij genocidi nuk lejojnë asnjë dilemë.

Vetëkuptohet dhe duhet theksuar kjo edhe me këtë rast: Askush nuk ka të drejtë ta akuzojë apriori brezin e sotëm të kombit grek si kryerës të atij genocidi. Ky brez nuk kish lindur në atë kohë. Por, në qoftë se grekët e sotëm dalin në përkrahje të atyre masakrave, doemos që edhe ky brez do të cilësohet, e pakta si miratues apo justifikues i genocidit. Pozicionimi i drejtuesvet të UEFA-s në përkrahje të kryerësvet të atij genocidi, pa mëdyshje, është shndërruar në një nxitës të elementëvet racistë që nuk janë të pakët as në brezin e sotëm të kombit grek.

Përveç kësaj, kur kjo udhëheqje e një veprimtarie të madhe sportive ndërkombëtare pozicionohet në krah të kryerësvet të genocidit mbi popullsinë shqiptare, çfarë qëndrimi do të mbante në rast se në një tjetër stadium do të shfaqej një pankartë kundër genocidit që është kryer ndaj armenëvet? Bundestagu gjerman sapo e ka shpallur qëndrimin e vet kundër genocidit që e ka kryer qeveria e dikurshme turke ndaj armenëvet. A do ta ndalonte UEFA shfaqjen e një të tillë pankarte në ekranet televizivë, siç e ndaloi këtë pankartë kundër genocidit në Çamëri?

Shkojmë edhe më tej. Kur pozicionohesh në krah të kryerësvet grekë të genocidit, atëherë si mund të flasësh kundër genocidit dhe terrorit të sotëm të ISIS-it?!

Sido që të analizohet ky qëndrim i UEFA-s ndaj asaj pankarte, të shfaqur aty kundër racizmit dhe kundër genocidit, të çon në konkluzionin që, ata drejtues të UEFA-s, o janë në thelbin e vet racistë, o janë të paaftë t’i gjykojnë gjërat me mençuri e me pjekuri. Përndryshe ata, në reagimin e vet, duhej të kishin thënë të paktën kaq: “Ne e dimë ç’ka ndodhur ndaj shqiptarëvet të Çamërisë në Luftën e Dytë Botërore, por rregullat e këtij kampionati nuk lejojnë asnjë lloj parulle, prandaj dhe u detyruam ta heqim. Ju lutemi, mos na keqkuptoni!” Kështu duhej të kish reaguar UEFA, nëse nuk do të ish edhe vetë raciste.

Durrës

13 qershor 2016.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …