(Mr. Kadri Rexha: DERVISH SHAQA, monografi, RKL, Prishtinë, 2012)
Kur, në qershor të këtij viti, u takuam në Prizren, Kadri Rexha s’e kish me vete librin për Dervish Shaqën, prandaj, para se të largohej për në Zvicër, ma kish lënë te vëllai në Prishtinë. E lexova me interes të veçantë. Tani që e përfundova, mendjen po ma përshkojnë dy mendime:
1. Sa e dobishme është për shqiptarin e sotëm, që ta lexojë këtë libër?
2. Sa është numri i shqiptarëve që, ashtu si nuk i lexojnë shumë libra të tjerë, shumë të dobishëm, nuk e kanë lexuar as këtë libër?
Mendimi i parë më gëzoi që, sidomos në këtë vit të madh të shqiptarëve, po dalin në dritë edhe të këtillë libra, seriozë dhe me vlera të posaçme informuese. Mendimi i dytë më trishtoi: Me çfarë po e mbushin kohën shqiptarët e sotëm, 20-vjeçar apo edhe 30-vjeçar? Pse, mijëra të rinj tanë, nuk po kërkojnë ta njohin realisht kohën që ne prindërit e tyre e kaluam? Pse nuk po angazhohen aq masivisht sa ne, në problemet që kanë Kombi dhe Atdheu ynë sot? Nuk ka shumë kohë (viti 1999), që serbët na përzunë, na shkulën prej vatrave tona, si me rrozgë. A kaq shpejt harruam ç’është në gjendje të na bëjë shqiptarofobia?! A kaq shpejt i harruam fëmijët tanë të helmuar, shkollat tona të mbyllua, gratë e vajzat tona të përdhunuara, gjakun tonë të derdhur, a kaq shpejt, pra, sa të na dalë koha për ta shpenzuar nëpër bar-kafe, nëpër “kaliqe” e nëpër lojëra fati, pa e vrarë mendjen ç’po ndodh realisht me ne si komb në këtë fillim shekulli?
Duke përjetuar këtë lloj meditimi, m’u përsëritën vetvetiu 3 vargje të të madhit Dervish Shaqë, sa të thjeshtë, aq dhe domethënës:
“Amanet, moj rini
Dejm, luftoni për Shqipni
Se i huji, ore, kurrë s’t’ep liri!” (f.256)
Dhe, fill mbas këtyre tri vargjeve, tri vargje të tjera, si për të na kujtuar arsyen, pse duhet të luftojë rinia jonë PËR SHQIPNI.
“Na janë vra e na janë pre
Kanë dhanë jetën si me le
Tue luftue trimat për atdhe.” (f.256)
Më në fund, nuk dita ç’të bëj tjetër, veçse t’i kthehem edhe njëherë këtij libri dhe t’i rilexoj emër për emër trimat, të cilët kanë guxuar t’i kundërvihen realitetit të papranueshëm dhe, si rezultat i një të tillë kundërvënieje, e kanë dhënë edhe jetën. E kanë dhënë jetën, jo se kanë dëshiruar të vdesin para kohe, por sepse shqiptarzhdukësit e rrezikonin këtë Komb, siç po e rrezikojnë edhe tash.
Dervish Shaqa i ka kënduar Atdheut dhe Kombit.
Dervish Shaqa u ka kënduar me veneracion të veçantë dëshmorëve dhe heronjve të Kombit tonë, të cilët i bënte të tillë vetëm një cilësi, cilësia për t’i dashur Popullin e vet dhe Atdheun e vet më shumë se veten. Në një kuptim më të ngushtë, kjo do të thotë, për t’i dashur familjen dhe shtëpinë vet. Kadri Rexha e pasqyroi këtë përkushtim të Dervish Shaqës dhe ne, duke lexuar këtë libër, ndahemi me përshtypjen se edhe vetë Dervish Shaqa ishte i të njëjtit brumë me ata që ishin kurdoherë të gatshëm për ta dhënë jetën PËR SHQIPNI.
Duke lexuar këtë libër, gjithë kështu, ne fitojmë bindjen që edhe autori i këtij libri, pra Kadri Rexha, është i po këtij brumi, i brumit që e di mirë se çfarë duhet të bëjë PËR SHQIPNINË, në momente të caktuar të historisë.
Në libër parashtrohet në mënyrë kronologjike ecuria, puna, angazhimi i pandërprerë dhe rritja, deri për t’u admiruar, e personalitetit patriotik dhe artistik të Dervish Shaqës. Nuk ishte më i madh se 8 vjeç, kur, në fshatin e tij, në Llukë të Epërme, serbët vranë 10 burra të fshatit, midis të cilëve edhe Binak Nezirin, të atin e shokut dhe bashkëkrijuesit të tij të ardhshëm, Demush Nezirit.
(Mua, si autor i këtij shkrimi, më bëjnë përshtypje, shumë të veçantë, të këtillë elemente të jetës sonë, sepse as unë nuk kam qenë më i madh se 8 vjeç, kur sllavët i kanë pushkatuar 3 bashkëkrahinas të mi, midis të cilëvet Lekë Perkolajn, një ndër demokratët dhe pro evropianët më të kompletuar të këtyre anëve. Nuk kam qenë më i madh se 8 vjeç, kur partizanët malazezë vranë pa pikë faji një bari në malin tonë, duke ndenjur i shkreti majë një muri. Dhe nuk kam qenë më i madh se 8 vjeç, kur po ata partizanë malazezë masakruan në Tivar mbi 3000 bashkëkombës të mi.)
Dervish Shaqa u ka kënduar Atdheut dhe Kombit të vet për gati 60 vjet, në mënyrën më frymëzuese të mundshme. Deri në moshën gati 46-vjeçare ai jeton dhe vepron artistikisht në pjesën e robëruar të Atdheut tonë. Autori i librit për Dervish Shaqën, Kadri Rexha, e ka ndarë e përshkruar këtë kohë mbi 40-vjeçare të këtij këngëtari në disa nënkapituj: “Nxënës i urtë i odës”, “Nxënës në kohë lufte” “Në rrugën e artit muzikor”, “Rapsod në kohë mjegullash”, “Ballë për ballë me pushtetin”, “Rapsod në kohë zezone”, “Vdes, por qen UDB-e nuk bëhem”, “Kënga e fundit në vendlindje”. Sigurisht, nuk është Kadri Rexha ai që e ka bërë të admirueshme këtë pjesë të librit. Është vetë Dervish Shaqa ai që këtë pjesë të jetës së vet e ka ndërtuar në mënyrë të atillë që të mos ketë turp kur ta rikujtojë. Kadri Rexha, në këtë mes, është thjeshtë një përshkrues i mirë i një jete me talent të veçantë, por edhe me merita të veçanta. Të cekim këtu edhe një fakt që rrallë ceket në literaturën tonë: Thuajse në të gjitha trevat në Veriun e Shqipërisë ka një shkollë kënge e muzike, tradicionale, ashtu siç ka në Jugun tonë një shkollë tradicionale të polifonisë. Në Rrafshin e Dukagjinit shkolla tradicionale e këngës dhe e muzikës ka qenë nga më të konsoliduarat. Kjo del qartë në kontekstin e librit të Kadri Rexhës.
Arti frymëzues dhe arti trullosës
Dihet që ka dy lloje arti: art frymëzues dhe art trullosës. Ashtu siç ka dy lloje të publicistikës, dy lloje të propagandës, dy lloje të politikës. Përgjithësisht dy lloje, përfshirë edhe nuancat. Dervish Shaqa, në fëmijëri, kur ka filluar të këndojë e t’u bjerë veglave, i ndikuar sigurisht edhe nga ambienti ku është rritur, ka zgjedhur, jo artin trullosës, por artin frymëzues. Midis temave që i duheshin, që i nevojiteshin ambientit ku jetonte Dervishi, më kryesorja ishte ajo e patriotizmit. Në një vend të robëruar s’ka temë arti më të domosdoshme se ajo e patriotizmit. Aty ku ajo temë mungon, robëria nuk hiqet asnjëherë. Kuptohet që një e tillë temë është njëkohësisht edhe e rrezikshme. Të këndosh këngën e Kamber Loshit ndër sy të spiunëve të pushtetit, nuk është vetëm art. Është edhe art, edhe trimëri. Art edhe trimëri bashkë, prandaj edhe frymëzim për shijuesit e një të tillë arti.
Në mars të vitit 1956, pasi rapsodi ynë i madh nuk ka mundur të bëhet as qen i UDB-s, as pulë, siç do ta donin pushtetarët kuislingë, është detyruar, duke çarë, bashkë me dy a tre shokë, rrenë e trashë të borës, të kapërcejë kufirin dhe të kërkojë strehim politik në pjesën e çliruar të Atdheut tonë.
Prej vitit 1956 deri në vitin 1985, thuajse plot 29 vjet, Dervish Shaqa jeton, krijon dhe interpreton, në po atë linjë të krijimtarisë që e kish nisur qysh në moshën 15-vjeçare. Unë nuk do të ndalem këtu në përshkrimin e veprimtarisë së këtij rapsodi të madh kombëtar këtu në Republikën e Shqipërisë, sepse këtë përshkrim e ka bërë shumë të saktë dhe me vërtetësinë e një studiuesi nga më skrupulozët, vetë autori, Kadri Rexha. Dua vetëm të bëj nja dy a tri konstatime, që lidhen me veprën shumë të veçantë, me karakter thellësisht kombëtar të këtij artisti dhe me rendin apo regjimin që sundonte në shtetin ku ai e kish kërkuar strehimin. Se si e ka ndier veten në Republikën Popullore të Shqipërisë, më vonë e emërtuar Socialiste, Dervishi e ka thënë vetë, pa lënë shteg për kurrfarë ekvivokesh:
“Vatrat tona i kemi lanë
Por n’Shqipni gjetëm një Nanë
Bacë Enverin, Nanë Partinë
Vëlla e motër tanë Shqipninë.” (f.60)
Por mua më duhet të vë në dukje që, megjithatë, kënga e tij nuk ka qenë kurrë socialiste, dmth e atillë që të propagandonte rendin komunist, të fliste kundër kapitalizmit etj. Dervish Shaqa nuk ka qenë kurrë as anëtar i Partisë së Punës të Shqipërisë, as komunist me bindje. Nuk ka qenë as puthador i pushtetarëvet rretherrotull. Nuk ka qenë puthador, sepse nuk ka ditur, nuk ka mundur dhe nuk ka dashur të jetë puthador i askujt dhe këtë e ka dëshmuar në gjithë jetën e vet. Ka qenë thjeshtë dhe vetëm patriot. Megjithkëtë, pushteti komunist, me udhëzim, me sa di unë, të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, e ka përkrahur Dervish Shaqën dhe ia ka dhënë të gjitha mundësitë për ta zhvilluar artin e vet pikërisht në frymën që e kish kultivuar në vendlindjen e vet për një gjysmë shekulli. Themi, me frymën, sepse tematikën, në kushtet që iu krijuan dhe në saje të ndihmës institucionale që i është dhënë, ai ka ardhur duke e pasuruar gjithnjë e më shumë.
Këngët e Dervish Shaqës dhe të Grupit të Rrashbullit, ku ai ish në rolin e korifeut, transmetoheshin në vazhdimësi dhe me një ritmikë të programuar mirë, si në Radio-Tiranën, emisioni Për Shqiptarët Jashtë Atdheut, ashtu edhe në Radio-Kukësin, i cili ish krijuar dhe funksiononte ekskluzivisht për Kosovën dhe pjesët e tjera të paçliruara. Në të 2 këta radiostacione, por edhe në të tjerë, këngët, si: “Prej Prokupje deri në Nish”, “Kangë për Marash Palin”, “Kangë për Oso Kukën”, “Në Kaçanik e në Boletin”, “Ah, Shqipni, mos thuej mbarova”, “Kangë për Ahmet Delinë”, “Hajmedet për Lug t’Baranit”, “Kangë për vrasjen e Isa Boletinit”, “Kangë Për Shaban Palluzhën”, “Rifat Berisha një djalë drague”, (f.63), pra, këto këngë e krejt vargu i këngëvet të tija, gjithsej rreth 120 tituj, dëgjoheshin me vëmendje të madhe prej shqiptarëvet brenda RPSSH-së, dhe, disafish më me interes dhe entuziazëm, prej dëgjuesvet jashtë kufijvet të RPSSH-së. Mesazhi i tyre ish sa i qartë. Aq edhe frymëzues e mobilizues: Kombi Shqiptar ish i revoltuar për padrejtësitë dhe sakatosjet që i ishin bërë dhe po i bëheshin. Kombi Shqiptar kërkonte liri nacionale dhe përparim nacional. Kërkonte të ish zot i vetvetes dhe subjekt në rajonin ku jetonte. Këngët e Dervish Shaqës nxirrnin në dritë të diellit mizoritë e pafundme të pushtuesve të vendit tonë dhe në atë mënyrë ato këngë edhe i justifikonin kërkesat tona.
Kombi mbi të gjitha
Këtu është e nevojshme të kuptohet mirë e qartë, se nuk ka qenë Dervish Shaqa ai që i ka lansuar këto ide e kërkesa të Kombit tonë. Ai që i menaxhonte dhe i lansonte këto kërkesa, nëpërmjet artit të Dervish Shaqës, shumë të përshtatshëm për këtë punë, ishte shteti shqiptar i atëhershëm, i udhëhequr prej Enver Hoxhës. Ai shtet shqiptar i plotësonte njëkohësisht, si dëshirat e kërkesat patriotiko-artistike të Dervish Shaqës, ashtu edhe aspiratat e krejt Kombit, sidomos të asaj pjese që ende vuante peshën e mosqenies e lirë.
Në këtë pikëpamje, politika e Tiranës nuk ka qenë aspak fanatike e ideve të komunizmit. Ka pasur madje orientime të posaçme të vetë Enver Hoxhës dhënë profesorëve që shkonin për ligjërata në UP: “Vëllezërve kosovarë, kur të shkoni atje, mos u flisni për ideologjinë e Partisë sonë.” Ajo politikë nuk e ka vënë kurrë komunizmin përmbi interesat e Kombit dhe kjo shikohet jo vetëm në krijimtarinë madhore të Dervish Shaqës, përkrahur e fuqizuar pikërisht prej të atillë politike nacionale të shtetit të atëhershëm shqiptar, por edhe prej një vargu veprimesh të tjerë. Përmendim këtu, fare kalimthi, takimin e Enver Hoxhës dhe cakërimin publikisht të gotave me Demë Ali Pozharin, ish-komandant i forcave antikomuniste në Rrafshin e Dukagjinit. Kish, natyrisht, edhe nga ata që nuk donin apo nuk dinin, nuk ishin në gjendje mendërisht, ta kuptonin e ta zbatonin atë politikë, por Dervish Shaqa ish nga ata të cilët dinin t’i dallonin politikanët skolastikë, të trashë e dallkaukë prej politikës së mirëfilltë që ndiqte shteti i udhëhequr prej Enverit. Pikërisht me një të këtillë kuptim të kthjellët të këtij artisti, sa virtuoz aq edhe të mençur e të shkathtë, shpjegohen ata vargje ku lëvdohen PPSH-ja dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha. “Bac Enverin, Nanë Partinë/ Vëlla e motër tanë Shqypninë.” (f.271)
Nuk është vendi këtu për të bërë sqarime të zgjeruar lidhur me çfarë po them. Lënda për të sqaruar të vërtetat historike të asaj periudhe, që tashmë ka kaluar, është më se e bollshme dhe krejt e mjaftueshme. Prandaj po kufizohem vetëm me citimin që autori i këtij libri, Kadri Rexha, i ka bërë Enver Hoxhës në faqen 241. Më 15 janar 1968, më pak se 10 muaj para se do të shpërthenin në krejt Kosovën më të furishmet demonstrata të Pasluftës së Dytë Botërore, Enver Hoxha u thotë kështu pjesëmarrësve kosovarë në Krujë, në Simpoziumin për Gjergj Kastriotin Skënderbeun: “Ne ju përshëndesim ju, si përfaqësues të inteligjencies kosovare dhe si bij të asaj pjese heroike të popullit shqiptar të Kosovës që ne e duam shumë. Ju jeni shqiptarë dhe ne jemi shqiptarë, pra jemi një popull. Qiejt mund të rrëzohen, por e vërteta që ju jeni vëllezërit tanë e që ne jemi vëllezërit tuaj, pse kemi një mëmëdhe, një atdhe, nuk lëviz. Furtuna të tmerrshme kanë kaluar mbi popullin shqiptar. Mundet edhe nesër të bëjnë vaki gjëra të tilla, por populli shqiptar nuk do të robërohet tani më nga askush. Nuk ka forcë në botë që ta ndalojë popullin shqiptar të rrojë i bashkuar, i lirë, i pavarur dhe sovran. Këtë e kanë vërtetuar kohët e lashta dhe kohët e reja. Po ta lypin rrethanat, këtë do ta vërtetojnë edhe kohët e ardhshme. Ne nuk mund të mos i themi këto të vërteta të mëdha, ndryshe do të bënim një krim.” (f,241-242)
Dervish Shaqës nuk mund të mos i pëlqenin të këtilla deklarata. Mbas vitit 1968 talenti i tij krijues do të shpërthente edhe më me vrull. Sharkia e tij, shoqëruar prej Grupit Kosovar të Rrashbullit, do t’i ngjante, për nga forca frymëzuese, muzikës së madhe revolucionare të Betovenit. Në tetor e nëntor 1968 rrugët e Pejës, Prizrenit, Therandës, Mitrovicës, pastaj, Prishtinës, Besianës, Ferizajt, Gjilanit, Drenasit e më në fund edhe Tetovës e Ulqinit, do të gjëmonin prej brohoritjevet qielltronditëse të demonstruesvet shqiptarë. S’ka dyshim që ata inspirimin e merrnin, midis tjerash, edhe prej vargjevet më se kushtrimtare të një artisti epokal të Kombit tonë, që quhej Dervish Shaqa:
“Ah, Shqypni, mos thuej mbarova
Se djelmt tu ende janë gjallë
N’kambë asht çue e rreptë Kosova
E ban luftën ballë për ballë.” (f.248)
Në këtë mënyrë, vepra artistike, e pazëvendësueshme në muzikën tonë popullore, e Dervish Shaqës dhe e gjithë shokëve të tij, në këtë vit jubilar dhe në të gjithë vitet në vazhdim, duhet të rizërë vendin që e meriton. Kur themi, vendin që e meriton, në rend të parë duhet të nënkuptojmë që ajo vepër, në tërësinë e saj, pa u seleksionuar, duhet të transmetohet në të gjithë programet përkatës të radiove e të televizioneve tanë, si dhe të shtohen e shumëfishohen CD-të, në mënyrë që, nëpër autobusët tanë, në vend të ca këngëve e muzikave bajate, të kemi ç’të shikojmë e dëgjojmë. Libri i Kadri Rexhës me titull “Dervish Shaqa”, botim i RKL, Prishtinë, 2012, ndërkaq, meriton të lexohet me vëmendjen dhe seriozitetin që i takon, sidomos prej atyre të rinjve, të cilët kërkojnë një rrugë jo iluzive në jetën që i pret.
Durrës, 12.10.2012