U bënë 2 herë që shqiptarët hedhin gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Diplomacia perendimore, mendjesqullur, me sa duket, nuk po nxjerr asnjë mësim nga kjo ndodhi jo e zakontë. Ajo po shmorritet duke na dhënë, ne shqiptarëvet, leksione në formë blegërimash: Është apo s’është e drejtë të hedhësh gaz lotsjellës në një parlament!?!
Duke qenë mendjesqullur, por edhe dhelparake, se ashtu e ka krijuar Zoti, diplomacia evropiane (kuptohet, edhe ajo e SHBA-së), nuk po do, nuk po ka qejf ta pyesë veten: A është apo s’është e drejtë, tani, kur sipas Papa Françeskut, ka filluar Lufta e Tretë Botërore, të krijosh enklava të huaja, enklava KOLONISTËSH, në Republikën e Kosovës, me mbi 95% shqiptarë?!
Diplomacia europerendimore dhe ajo e SHBA-së, nuk po tregohen aspak HUMANE (Ku ta gjejnë humanizmin?!) dhe nuk po pyesin: Ç’e shtyn një vajzë apo një grua të hedhë gaz lotsjellës në parlamentin e vet?! Mos ka kjo grua apo vajzë ndonjë hall të madh?! A mos po i përfytyrohen, kësaj gruaje apo vajze, 20 apo 30 mijë vajzat e nuset shqiptare, të përdhunuara në vitet 1998-1999, dhe nuk po do, nuk po dëshiron dhe nuk po pranon, që episode të tillë të përsëriten edhe njëherë?! Diplomatët qorra të Perendimit po kanë merak se mos po i qorrohen sytë Isa Mustafës! Nuk po kanë merak se mos një ditë po ia beh me avionë e me tanke në aeroportin e Prishtinës pasardhësi i Jelcinit!
Diplomatët e Perendimit, qorra për vete, po punojnë, me ç’t’u vijë për mbarë, që krejt kombi shqiptar të jetë i verbër. Vetëm Isait dhe Hashimit t’u mbetet nga një gjysmë syri.
Revista “Fiamuri i Arbërit”, një revistë evropiane e gjysmës së dytë të shekullit XIX, më 20 qershor 1883, e lajmëronte Evropën mbi një ngjarje që kish ndodhur këtu në Shqipëri. Nuk do të ishte keq të lexohej njëherë ai njoftim.
(Citimet po i marr nga libri “Fiamuri i Arbërit”, përgatitur nga Ahmet Kondoja, botuar në Tiranë më 1967. Gj.D.)
Jeronim De Rada, editor i asaj reviste, shkruan kështu: “Duam të bëjmë fjalë për shkakun e vrasjes së Mehmet Alipashës, sepse në këtë ngjarje duket qartë qëllimi i fatkeqëvet tanë. Nga ky fakt edhe zotërinjtë e Evropës na u zemëruan dhe luajtën mbi fatin e Shqipërisë, të këtij populli të lashtë që, me zemër të djegur nga dashuria për atdheun, tërhoqi admirimin për luftën e drejtë që ka bërë dhe bën nga kohët më të lashta e deri në ditët tona.” (F.67) (A nuk duket sikur De Rada i ka shkruar këto fjalë pas vitit 2000? Gj.D.)
Jeronim De Radën e njofton mbi ngjarjen e Gjakovës një pjesëmarrës i atyre ngjarjeve. Ja ç’i shkruan ai De Radës: “Ishte ditë e mërkurë. Qeveritari dhe krerët e Gjakovës, muslimanë e të krishterë, dolën… për të pritur Mehmet Alipashën, i cili kishte telegrafuar… se vinte për të ndarë njërën pjesë të Shqipërisë dhe për t’ia dhënë Malit të Zi, ashtu si deshën zotërinjtë e Fuqivet të Mëdha të Evropës. Dhe kështu vinte një armik i dërguar nga armiqtë.“ (F.67) (A nuk u ngjan kjo, ardhjeshkuarjevet dhe shkuarjeardhjevet të turli UNMIK-ësh, EULEKS-ësh, emisarësh e ambasadorësh, për t’u hedhur hi, syvet të shqiptarëvet?! Gj.D.)
„Marshalli Mehmet Alipasha u tha këtyre se kishte ardhur i dërguar nga Stambolli për të bindur popullin me të mirë, që të mos kundërshtojë për dorëzimin e Plavës e të Gucisë. Kadiu Ahmet Koronica, një hoxhë i penës dhe i gishtit, që kurdoherë me një dorë mbante pushkën dhe me tjetrën xhyben, i përgjigjet marshallit: ‚Pasha hazretleri, jo ti po sikur sulltani vetë me ardhë këtu na nuk jemi tue i dorëzue tokat që na i kanë lanë amanet stërgjyshnit tanë.‘ Mehmet Alipasha iu kërcënua duke thënë se, po të bënte shumë fjalë, do ta dërgonte në Stamboll me duar lidhur. Kadiu trim ia priti burrërisht: ‚Pashë, pashë, kqyr se mos të dërgojmë na ty!‘“ (F.68-69)
(A nuk i përngjan Albin Kurti i ynë i sotëm këtij Ahmet Koronicës?! Gj.D.)
“Doli Abdullahpashë Dreni dhe u tha: ‘Ç’është kështu gjithë kjo bërtitje?’ Ata i thanë: ‘Duam atë njeriun që ka ardhur, duam të dimë përse ka ardhur këtu!’ Abdullahpasha u përgjigj: ‘Deri sa jam gjallë, njeriun nuk e jap. Si kujtoni? S’më njihni mirë se kush jam?’ (F.69)
(Isa Mustafa i ynë, ndonëse nuk i arrin as te kërçiku (se, midis dhjetëra broçkullash të tjera, s’ka turp as të deklarojë që asociacioni sërb na qenka i mbështetur në ligje, prapë ka diçka të afërt me Abdullahpashë Drenin. Gj.D.)
“Në orën 11, ata, që përjashta hynë brenda, hapën zjarr dhe vranë Abdullahpashë Drenin, i dogjën gjithë sarajet, mbeti vetëm një kullë trekatëshe, në të cilën ishte Mehmet Alipasha.” (F.71)
(Djemtë e Vertëvendosjes ishin shumë të zemëruar. As ata kuqezinjtë e kombëtares gjithshqiptare nuk dalin kot rrugëve e shesheve. Por, a ka veshë e sy Evropa? Gj.D.)
“Në mesditë kulla filloi të digjej krejt dhe… u vranë… Shaqiraga e Hoshi i Nurës. Vetëm të birin e Abdullahpashës e morën në besë dhe e falën (se ishte i mitur, Gj.D.). Mehmet Aliut i prenë kokën brenda dhe ia vunë në një hu në Fushën e Bajrampashës, ndërsa kufomën e hodhën që nga dritarja në rrugë.” (F.72)
***
Perendimi duhet t’i merrte shumë seriozisht këto që po thuhen këtu. Mos e harroni Mehmet Hungarezin! Ne nuk duam të vrasim, por as ju mos na vrisni! Mos e vrisni dinjitetin tonë! Mos e copëtoni, edhe më shumë, tokën tonë! Mos ua falni tokat tona kumbarëvet tuaj! Atyre kumbarëve që dalëngadalë, si dikur hunët dhe avarët, po ju hipin edhe ju përsipër!
Ta kishit trajtuar Kosovën në vitet 1990, siç trajtuat Slloveninë, sot nuk do të kish arsye ta përmendnim Mehmet Alipashën, të ngulur në hu. Një grua që linte shtëpinë e dilte bashkë me burrin për t’u gdhirë e për t’u errur nëpër pyjet e Çiçavicës, e kish një hall të madh, që Evropa duhej ta kish kuptuar, qysh para se t’ia jepte përsëdyti Kosovën kumbarës së vet. Një grua që hedh gaz lotsjellës midis bashkëkombësvet të vet qurravecë, e ka edhe kjo një hall të madh.
E pra, halli ynë më i madhi është, që Evropa ka sy e veshë, edhe hundë, për pordhët e fendët e Sërbisë, por nuk ka sy e nuk ka veshë për t’i parë e për t’i dëgjuar KËRKESAT MË NJERËZORE TË SHQIPTARËVET.