Për të vijuar me pyetje te tjera si: sa prej tyre kanë ende banorë; sa fshatra janë zbrazur plotësisht nga banorët; sa kanë shkolla, minimumi fillore, që të paktën të mos rriten analfabetë; në sa fshatra udhëtohet me makinë; në sa më gomerë, e diku vetëm më këmbë? Të paktën thjeshtë për evidencë. Këto pyetje na i nxiti gazetari Marin Mema, i cili, nëpërmjet emisionit televiziv “Shqipëria tjetër”, na njohu me fshatin e harruar, Bruçaj, të Bashkisë së Shkodrës. Them i harruar, sepse ky fshat, ndonëse nuk është më larg se 30 kilometra nga qyteti i Shkodrës, nuk ka as shkollë për nxënësit, as rrugë makine ku mund të shkojnë ndonjëherë qeveritarët, e as drita elektrike, e cila do të na ndihmonte ta shikonim të paktën nga larg.
Fati, që fshati në fjalë nuk ndodhet afër kufirit shtetëror, se me siguri bijt e Krajl Nikollës të Malit të Zi do ta kishin aneksuar në territorin e tyre. Bruçajt gjendet në një grykë tepër të gjelbëruar midis tri maja malesh: Në veri maja e Derrit, në perëndim maja e Mgullës, në jugë maja e Maranait, ndërsa në lindje kufizohet me Pultin, ish komunë, aktualisht qendër administrative. Fshati në fjalë ka dy arsye, që të njihej nga qeveria, dhe veçanërisht nga dy ministret aktuale, ajo e Infrastrukturës dhe Energjetikës, si dhe nga ajo e Arsimit e Sportit. Arsyeja e parë: Siç thamë, fshati Bruçaj gjendet në një territor tepër piktoresk, jo vetëm prej maleve që e rrethojnë, por edhe për gjelbërimin e veçantë, resurse natyrore këto, që e bëjnë këtë fshat shumë tërheqës, nëse do të kishte infrastrukturë minimale për ta vizituar, dhe për më tepër nëse do të kishte drita elektrike, “infrastruktura” më e domosdoshme në ditët e sotme.
Këto të dyja, rruga dhe dritat i takojnë ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, zonjës Balluku, e cila po ta dinte ekzistencën e këtij fshati piktoresk, nuk do ta kishte lënë atë në pikë të hallit, e në errësirën e malit. Por krahas kësaj, fshati Bruçaj paraqet interes të shtuar edhe për punën e ministres së Arsimit e Sportit, Evis Kushin. Jo thjeshtë për ngritjen e një shkolle me katër klasë kolektive për nxënësit e pakët që kanë mbetur në fshat, por mbi të gjitha për emrin që gëzon ky fshat, çka do t’ia shtonte interesin e vizitorëve të mundshëm. Bruçajt në krye të herës kishin emër tjetër, por në vitin 1967, fshati në fjalë u pagëzua me emrin e mësuesit Ismet Sali Bruçaj. Po kush ishte Ismet Sali Bruçaj? Familja e Ismet Sali Brucajt , ishte nga Vuthajt e Plavë – Gucisë, por me pushtimin malazez të vitit 1913, u zhvendos në Shtoj të Shkodrës. Ismeti, pasi mbaroj shkollën e lartë “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, caktohet mësues në Likaj, (fshati Bruçaj i sotëm). Në punën e tij si mësues ai shkëlqeu, jo vetëm me nxënësit, por edhe me kurse plotësuese me të moshuarit.
Në vitin 1967, në prag të 28 e 29 nëntorit, ai së bashku me nxënësit e tij kishte përgatitur një program festiv, të cilin do ta jepte edhe për katundin. Në prag të festës i erdhi urdhri për të shkuar ushtar, ndaj u paraqit në Shkodër, ku mori leje dy-tre ditë, sa të realizonte programin festiv me nxënësit. Nga Shkodra u nis në këmbë drejt Likajve, por koha e keqe dhe shiu i dendur i kishte prishur urat e vogla të Zallit të Kirit, nga ku kalohej në fshat. Mësuesi i ri, nuk donte t’u dilte nga fjala nxënësve të tij, ndaj provoi ta kalonte përroin e rrëmbyeshëm të Kirit me këmbë. Por dallgët e furishme të lumit malor e morën me vete, duke lënë në mes ëndrrat e mësuesit dhe gëzimin e nxënësve e prindërve të tyre. Për aktin e lartë, gjer në sakrificë, pushteti i asaj kohe e shpalli mësuesin “Hero i Punës Socialiste”, dhe njëherësh shkollën e fshatit e emërtuan “Shkolla Ismet Sali Bruçaj”. Jo shumë kohë pas kësaj, i gjithë fshati mori emrin e heroit dhe u quajt fshati Bruçaj. A e di ministrja e Arsimit dhe Sportit këtë histori të shkurtër, por tepër sinjifikative për popullin e zonës, për brezin e ri, për arsimtarët e djeshëm e të sotëm dhe për gjithë shqiptarët?! Ministrja në fjalë është e re, dhe e pa shëtitur, por Kryeministri është bashkëkohës i mësuesit hero, Ismail Sali Bruçajt.
Në mos e ka takuar, të paktën ka dëgjuar për të. Dhe këtë duhej t’ia thoshte ministres së saj të Arsimit, siç duhej t’ia thoshte edhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjetikës, zonjës Balluku, për mungesën prej 25 viteve të dritave në këtë fshat të përmendur e me histori pikante brenda e jashtë vendit. Vetiu lind pyetja: KM dhe ministreshat e tij, a e ndjekin emisionin “Shqipëria tjetër”? Apo vetëm merren me “Shqipërinë e tyre të kullave, resorteve, pishinave dhe . . . marrinave”?
Nëse do të kishin parë, apo nëse do të shohin emisionin në fjalë, me siguri do të kujtohen, se është e pafalshme që një fshat brenda territorit të vendit, dikur me dhjetra shtëpi e me qindra banorë, sot është katandisur në një duzinë banorësh, që kridhen në terr, sapo bie mbrëmja dhe gjer sa zbardh dita. Aty nuk ka as televizor, as frigorifer, as radio. Madje edhe celularët e rrallë, i nisin me ndonjë person që ti karikojë në Shkodër, rrugë që në shumicë bëhet me këmbë, ose me ndonjë furgon që niset shumë poshtë fshatit në fjalë, dhe që e ka tarifën 1500 – 2000 lek të rinj, në të shkuar e kthim.
Fshati Bruçaj u elektrifikua në të gjashtë lagjet dhe shtëpitë e tyre në vitin 1972, me tension normal për çdo paisje shtëpiake. Por pas nëntëdhjetës “demokratike”, linja e tensionit u grabit, ndërsa tre transformatorët u morën nga KESH, ndërsa kabinat përkatëse u bënë strehë për ujkun dhe ariun. Plot 25 vjet ky fshat me emër, gjendet plotësisht në errësirë. Pushteti vendor dhe ai qendror, siç duket e kanë nxjerrë nga listat e tyre “organike”. Fshatit në fjalë s’i mbetet tjetër, veçse të “emigrojë” matanë kufirit. Por, edhe në i mungoftë atdhetarizmi, këtë veprim nuk mund ta bëjë, sepse është shumë më afër Shkodrës se sa “grepit” malazez të Krajl Nikollës. Por shpresat mbeten. Fshatarët mendojnë se KM, alias “Skënderbeu” nuk është në dijeni të hallit të tyre. Ai mund të mos i ketë marrë ankesat e tyre të shumta, por ama kur ta marrë vesh, do të kujtohet ta transferojë një “çerek kulle” në Bruçaj të Shkodrës. (Gazeta Sot)