Ndërsa po ndiqja festimet e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dhe intervistat e disa prej liderëve politikë e pushtetarë të saj, në ekranin e memories sime kaluan si “paralele” të logjikshme, momentet më kryesore të LANÇ të popullit shqiptar të viteve 1939 – 1944, frutet e së cilës i gëzojmë edhe tani pas 79 vitesh. Nga ky krahasim, më rezultoi se historia nuk është vetëm stoli e krenari, por një përvojë e çmuar për brezat e ardhshëm.
Lufta jonë Antifashiste Nacional Çlirimtare, e them me siguri matematike, ka qenë unike në Europë dhe tej saj, kur Bota u përfshi në Luftën më të egër që kishte përjetuar njerëzimi, siç ishte L.II.B. Partizanë dhe luftë partizane ka patur në shumë vende të pushtuara nga nzifashizmi në vitet 1939-1945, por ato u organizun dhe vepruan kryesisht në prapavija të armikut, ose në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me forcat e rregullta të Aleancës së Madhe Anglo-Sovjeto-Amerikane. LANÇ e popullit shqiptar, u organizua nga vetë shqiptarët dhe u çua prej tyre gjer në fitoren e plotë më 29 Nëntor 1944, pa praninë e forcave ushtarake të ndonjë shteti të aleancës në fjalë. Të vetmit ushtarakë të huaj në radhët e partizanëve, ishin disa këshilltarë anglezë dhe amerikanë, të cilët nuk patën asnjëherë rastin apo nevojën të luftonin me pushkë, në krah të çetave, batalioneve dhe Brigadave të UNÇSH.
Po, si shpjegohet që një vend i vogël, me më pak se një million banorë, arriti të matej në fushën e betejës me një armik të egër e shumë herë më të madh në numur e paisje luftarake, duke siguruar fitoren dhe çlirimin gati një vit para mbarimit të L.II.B., dhe madje edhe duke kontribuar në çlirimin e trojeve shqiptare në Jugosllavi dhe të vetë Jugosllavisë”?!
Pa diskutim, merita kryesore në këtë fitore të pashoqe në historinë e popullit tonë, ishte e shqiptarëve, por roli i Shqiptarit të madh Enver Hoxha dhe i Partisë Komuniste në organizimin dhe drejtimin e kësaj lufte dhe të fitores së sa,j ishte vendimtar. Po, si arriti Enver Hoxha dhe PK, të siguronin një fitore të tillë të LANÇ, që nuk ishte parë qysh nga Epoka e Skënderbeut, e cila daton pesë shekuj më parë? Cila ishte veçoria e kësaj lufte, e drejtuesve dhe luftëtarëve të saj?
Mbi të gjitha – njohja e historisë së popullit dhe shfrytëzimi i përvojës së saj.
Drejtuesit e LANÇ, por edhe luftëtarët e saj të orëve të para, e njihnin mjaft mirë përvojën e luftrave të popullit tonë, e cila nuk kishte pushuar asnjë çast gjatë shekujve të tërë kundër pushtuesve të shumtë. Ndaj dhe lufta kundër pushtuesve të rinj të shekullit të njëzet, nisi me çetat partizane dhe njësitet guerile, si dikur Komitat, për t’u zhvilluar me batalione, Brigada e Korparmata të një ushtrie të rregullt nga forma e nga përmbajtja. Megjithatë, kjo ushtri partizane, qoftë edhe në fazën më të lartë të organizimit të saj, nuk do të arrinte fitoren e plotë, nëse nuk do të kishte në krye një shtab politik udhëheqës. Pikërisht këtë realizoi Enver Hoxha me shokët e tij, duke krijuar Partinë Komuniste, e cila do të bëhej udhëheqëse e sigurtë e asaj lufte të madhe e fitimtare. Po luftëtarët, ku do të gjendeshin? Shqiptarët kishin në begraundin e tyre historik organizimet popullore, si Lidhjet dhe Kuvendet e famshme të popullit. Pikërisht kjo përvojë u realizua në Konferencën e famshme të Pezës, ku shqiptarët, pa dallim feje, krahine e ideje, u bënë tok në Frontin e madh Antifashist Nacional Çlirimtar.
Kjo Konferencë shënonte kollonën e parë të LANÇ të popullit shqiptar, e cila do të mbante peshën e luftës dhe të pushtetit të ardhshëm. Por “ndërtesa”, që u përurua në atë 16 shtator të vitit 1942, nuk mund të qëndronte vetëm me një kollonë. Një vit më vonë, dhe pikërsht më 10 Korrik 1943, në Elbasan, u ngrit “kollona e dytë” e luftës, u formua shtabi i Përgjithshëm i UPNÇSH. Dhe ndërsa lufta çlirimtare vijonte pa ndërprerje, ngriheshin një nga një edhe kollonat e tjera të fitores së ardhshme. Më 24 maj 1944, që qytetin e çliruar të Përmetit, në vendlindjen e vëllezërve të famshëm Frashëri, u mblodh Kongresi Antifashist Nacional Çlirimtar, që mori emrin “Kongresi i Përmetit”. Ky kongres, ishte “kollona”, që jo vetëm unifikoi formën e organizimit të Ushtrisë Partizane Nacional Çlirimtare, duke kaluar nga Brigadat tek Korpormatat nën një Komandë unike, por hodhi ligjërisht themelet e pushtetit të ri të pasluftës, si dhe ligjëroi disa masa vendimtare, të cilat siguronin pamundësinë e ndërkëmbsave dhe manovrave të ndërkombëtarëve e mercenarëve të tyre brenda vendit, në dem të të ardhmes së pushtetit të ardhshëm të popullit dhe të fitimtarëve. Pesë muaj më vonë, konferenca e Dytë e Këshillit Nacional Çlirimtar në Berat, do të ngrinte “kollonën” e katërt të fitores dhe pushtetit të ardhshëm, duke i siguruar përfumdimisht popullit shqiptar Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë në trojet e tij mijëravjeçare.
Përmenda më sipër, jo më kot, ndërkëmbësat dhe manovrat e ndërkombëtarëve. Historikisht, në çdo përpjekje të popullit shqiptar për liri e pavarësi, ndërkombëtarët nuk kanë munguar të fusin duart, duke devijuar frutet e luftës sonë në interes të tyre, apo të fqinjëve, që për rrezik kanë patur e vijojnë të kenë sëmundjen e pashërueshme të shovinizmit. Këtë përvojë të hidhur të historisë, Enver Hoxha me shokë, që drejtonin LANÇ, e kishin studiuar me vëmendje, ndaj kur në Kakomeo të Sarandës tentuan të zbarkojnë forcat Britanike për të na ardhur “në ndihmë”, përgjigja ishte e qartë: “Ju faleminderit për ndihmat ushtarake dhe për këshilltarët, por luftën çlirimtare do ta realizojmë vetë”!
Por edhe pas çlirimit, përvoja e së kaluarës u mbajt në ekranin e mëndjes. Pushteti që doli nga gryka e pushkës së popullit, nuk mund të ishte veçse pushtet i popullit. Dhe ky pushtet, nuk mund të pranonte konglomerat politikash, rrymash e fytyrash. Ndërtimi i shtetit, rindërtimi i vendit, transformimet e thella shoqërore, dhe mbi të gjitha mbrojtja e lirisë dhe pavarësisë, nuk mund të siguroheshin me parlamente borgjeze si ky i sotmi, që është kthyer si një zoopark kafshësh. Ne, si vend i vogël, e me resurse njerëzore të kufizuara, na duhet një Kuvend i vërtetë i popullit, si Kuvendi i Lezhës, i Prizrenit, e i Pezës, ku vendimet diskutoheshin e vendoseshin në mënyrën më pluraliste, ndërsa zbatimi i tyre realizohej në një unitet të plotë e solid. Vendet dhe popujt e vegjël, kurrë nuk mund ta arrijnë konsolidimin e shtetit dhe mirëqenien e nevojshme, nëse çështjet e tyre i lënë në dorën e pazarxhinjëve parlamentarë.
Disa nga liderët e luftës e të paqes të Republikës së Kosovës, në intervistat e tyre me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë, krahas evidentimit të arritjeve, nuk munguan të cekin edhe mangësitë e defektet, që janë verejtur gjatë luftës, e më shumë në vitet pas saj. Unë nuk kam të drejtë të gjykoj veprimet dhe mosveprimet e lufttarëve të UÇK-së dhe politikanëve e shtetarëve të Republikës së Kosovës, sepse nuk kam qenë as pjesëmarës i luftës, e as politikan apo shtetarë i paqes. Nga ana tjetër, situatat në të cilat u zhvillua Lufta për çlirimin e Kosovës, ishte shpesh e disfavorshme. Ajo luftë, vërtet pati ndihmën e ndërkombëtarëve, por fatkeqësisht i mungoi mbështetja e fuqishme dhe vendimtare e “Nanës Shqypni”, e cila, pikërisht atëhere kur duhej një “luftën finale”, ajo kishte degraduar në një “grua pa burrë” në votër.
Megjithatë, ngase është fjala për gjysmën e trojeve të kombit tim, nuk mund të rri pa ua kujtuar vëllezërve të mi, se po të kishit studiuar më me vëmendje historinë e popullit tonë dhe të luftrave të tij për liri e pavarësi, dhe mbi të gjitha, të ishit munduar të aplikonit përvojën e tyre, situata do të ishte shumë më e favorshme se sa kjo që kemi në këtë stad, ku po luhet me luftën, me gjakun dhe me lirinë e pavarësinë e trojeve tona.
Të paktën, tani që kemi mundësi të realizojmë shkaqet e gabimeve, le të mundohemi t’i eleminojmë ato. Është e vetmja mundësi që ne të rrimë drejt dhe në këmbë në trojet që na kanë trashëguar të parët.