Gjon Bruçi: Në dorë pushkën e lirisë, në gjoks zjarrin e lirisë
22/11/2021
Botimet, Kultura
(Vështrim letrar për përmbledhjen poetike, Pushka e tyre, Kushtrim Lirie, të autorit, Genc Sefa-Lushnja )
Kur lexuesi merr në dorë një libër të ri, kërkon më së pari të njohë autorin dhe jetëshkrimin e tij.
Dhe kjo është e natyrshme. Krijimi artistik, i çfarëdo gjinie qoftë, në subjektin dhe mesazhin e tij, ka medoemos përjetimet, mendimet dhe gjykimet e autorit për problemet që kumton, analizon dhe ia paraqet lexuesit.
Po, kush është autori i librit me poezi “PUSHKA E TYRE KUSHTRIM LIRIE”
Një nga luftëtarët dhe komandantët e UÇK-së, i cili, ndonëse i dha luftës çlirimtare të Kosovës, mundin, djersën dhe madje edhe pjesë të trupit të tij, sot gjendet i ndaluar i dënuar nga gjyqi politik i sllavo-maqedonasve dhe mercenarëve e tradhëtarëve në shërbim të tyre.
Genc Sefa, me pseudonimin e Luftës Çlirimtare,
“Lushnja”, ashtu siç e thotë edhe pseudonimi, është nga Lushnja, qyteti në kërthizë të Shqipërisë londineze. Deri në vitin 1998, Genci nuk kishte qenë asnjëherë në Kosovë. Kufizimet e para nëntëdhjetës, shkollat që duheshin mbaruar dhe detyrat e para funksionale në Ushtrinë shqiptare, e kishin penguar të kapërcente kufirin artificial shqiptar-shqiptar në qafën e Morinit. U deshën vitet e zjarrta 1998-1999 kur nisi lufta e hapur e UÇK së famshme kundër regjimit serb, që Genc Sefa me përgatitjen dhe uniformën e ushtarakut, të kapërcente kufirin dhe t’u bashkohej luftëtarëve, me një objektiv: Të çlironin tokat tona amtare nga pushtuesit serbo-barbarë dhe të realizonin amanetin e rilindasve tanë, për Bashkimin Kombëtar.
Fundvitet nëntëdhjetë e gjetën Genc Sefën, në radhët e Ushtrisë Popullore Shqiptare. Ishte diplomuar në Akademinë e Mbrojtjes, titulluar oficer dhe komanduar në repartet e Gardës së Republikës. Trazirat e vitit 1997, që shembën shtetin, ekonominë dhe ushtrinë e Shqipërisë, ndërprenë edhe karierën ushtarake të Genc Sefës, i cili mërgoi përkohesisht në Greqi, si shumë kolegë e bashkëkombas të tij.
Por planet për të nisur ndonjë punë si emigrant, do të liheshin mënjanë. Në Kosovën martire u ndez lufta për liri. 7 Marsi i vitit 1998, që shënon luftën dhe sakrificën e Adem Jasharit me gjithë pjesëtarët e familjes së tij, do të ndryshonte jetën e shqiptarëve në Kosovë dhe jashtë saj. Genc Sefa, që gjendej në ishullin Santorini të Greqisë, sapo dëgjoi lajmin për sakrificën e familjes Jashari, u nis për në Kosovë. Nuk mund të bënte ndryshe. Ai ishte rritur dhe edukuar në një familje patriote. Paraardhësi i tij, Nebih Sefa, në 28 Nëntor 1912 kishte qenë në krah të Ismail Qemalit, kur nënshkroi Aktin e Madh të Pavarësisë, nga ana tjetër, Akti heroik i Komandant Adem Jasharit, ishte sinjali i thirrjes së Atdheut. Aq më tepër kjo për një ushtarak, që Atdheu e kishte përgatitur për këtë ditë.
Jeta dhe veprimtaia luftarake e Genc Sefës në radhët e UÇK-së është tepër intensive. Falë përgatitjes së tij ushtarake, u inkuadrua në operacionin “Shigjeta” në Pashtrik, në një njësi diversante vëzhguese. Më 6 qershor 1999, në një nga përpjekjet me ushtrinë dhe paramilitarët serb, plagoset rëndë, duke humbur një pjesë të këmbës. Pas luftës, ndonëse me proteza në këmbë, vijoi të japë kontributin si oficer për trajnimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Në të njëjtën kohë, mbaron Fakultetin Juridik, dega Kriminalistikë, specializohet në kuadër të trajnimeve të Natos në Kosovë si instruktor i lartë, gjegjësisht në Komandën e Trajnimeve dhe Doktrinës, si instruktor i shkollës së lartë të oficerave. Realizon 12 specializime apo çertifikime të ndryshme si instruktor bazik e deri tek i avancuar për trajnimin e shtabeve e të komandave.
Në vitin 2000 inkuadrohet në UÇPMB, fillimisht si komandant i qendrave stërvitore në Dobrosin e më pas në përgatitjen e vijave të mbrojtjes po në të njëjtin front. Me kërkesë të Shtabit të Përgjithshëm, kalon në zonën operative të Karadakut për të ngritur e drejtuar Brigadën e 115, që më pasë do të mbante emrin e Dëshmorit të Kombit Nijazi Azemi. Pas përfundimit të luftës në Luginë, rikthehet në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, si instruktor i lartë i Qendrës Simulative në komandën e Trajnimeve dhe të Doktrinës, deri në trasformimin e saj.
Përpjekjet për Liri e Bashkim Kombëtar, Genc Sefa nuk i ndali për asnjë çast. Më 9 maj 2015, tashmë si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Genci me shokët e tij luftëtarë, u përplasën me forcat speciale sllavo-maqedonase. Në këtë përplasje të armatosur, humbën jetën 10 luftëtarë të UÇK-së, ndërsa nga pala maqedonase 8 pjesëtarë të forcave speciale dhe mbi 37 të plagosur. Aktualisht Genc Sefa, me pseudonimin e luftës “Lushnja”, së bashku me shokë të tjetë luftëtarë të UÇK-së vuajnë dënimin e dhënë nga Gjykata famëkeqe sllavo-maqedonase, për luftimet në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, më 9 maj 2015, luftime të cilat vunë në lëvizje faktorin ndërkombëtar dhe vetë BE, për të kuptuar kërkesat e shqiptarëve ndaj regjimit sllavomaqedon në Republikën artificiale të Maqedonisë së Veriut.
Në dokumentet e historisë së UÇK-së, midis të tjerave, për Genc Sefën është shkruar:
“I burgosur nga regjimi sllavo-maqedon, veprimtari i çështjes kombëtare, luftëtari i lirisë në UÇK dhe eprori në UÇPMB dhe TMK; invalidi i luftës, Genc Sefa-Lushnja, është një intelektual i formuar me kohë, ka kaluar shumë sfida si shumica e luftëtarëve të Kosovës. Gjithmonë në gatishmëri për të kontribuar me dijen, guximin dhe përvojën e posaçme si Ushtarak Kariere e Veteran i Luftrave, njohuri e përvojë të cilat i ka vënë në shërbim të Atdheut”.
Një nga të veçantat e UÇK-së, evidentojnë drejtuesit politikë e ushtarakë të saj, ishte gatishmëria për sakrificë e ushtarëve dhe eprorëve nga Shqipëria, ku Genci mori frymëzim tek shembulli i Legjendarit Adem Jashari, tek qëndresa e Bacë Adem Demaçit dhe liridashësve e çlirimtarëve të Kosovës.
Luftëtari Genc Sefa – Lushnja, siç e treguam edhe më sipër, sapo atdheu dha kushtrimin për liri më 1998 – 1999 kur mbërriti për herë të parë në Kosovën e Shqipërisë, e deri më 9 maj 2015, kur u burgos nga shteti sllavo-maqedon, nuk u shkëput për asnjë çast nga shokët e tij të UÇK-së. Ai edhe çerdhen e familjes së tij e ngriti në Ferizaj. Ishte jo vetëm admirimi për këtë pjesë të Atdheut të tij, së cilës iu përkushtua gjer në sakrificë supreme, por ishte edhe angazhimi i tij i drejtpërdrejtë në çështjen kombëtare, veçanërisht në përgatitjen e forcave të ardhshme të Republikës së Kosovës; dhe mbi të gjitha për vijimin e luftës sipas amanetit të Dëshmorëve dhe të Bac Ademit për bashkimin kombëtar.
Për fat të keq, objektivi dhe Amaneti i Komandantit legjendar, Adem jashari, për çirimin e gjithë trojeve shqiptare dhe realizimin e bashkimit kombëtar, përkohesisht u ndal. Shkak u bë politika e vjetër dhe e re e politikanëve dhe zyrtarëve europianë, ndihmuar kjo edhe nga tradhëtarët dhe bastardët e racës sonë, që jo njëherë, janë bërë pengesë në rrugën dhe luftën që na trashëguan Rilindasit tanë të mëdhenj. Themi përkohësisht, sepse lufta e shqiptarëve do të vijojë, deri sa ta realizojnë e ta shkruajnë të plotë togfjalshin domethënës, “BAC U KRYE”!
Në situatën e krijuar, Luftëtari Genc Sefa, gjendet në pamundësi të vijojë realizimin e amanetit të Komandant Adem Jasharit. Por ai, ndonëse i izoluar, ka gjetur mundësinë t’i shërbejë çështjes pa u ndalur. E vetmja mundësi aktuale e tij, është të japë kontributin në evidentimin dhe shkrimin e historisë së luftës më të re të popullit shqiptar, për liri, pavarësi dhe Bashkim Kombëtar. Dhe këtë kontribut, ai ka zgjedhur të na e përcjellë nëpërmjet poezisë, gjinia më frymëzuese e lëmit të krijimtarisë artistike.
Ushtaraku i nivelit të lartë, Genc Sefa, nuk njihet si poet, apo lëvrues i ndonjë gjinie tjetër të letërsisë, pos provave të vogla e të thjeshta që çdokush në moshën e rinisë, tenton të hedhë në letrat e artit, përjetimet që merr në punë e në jetë. Por poezitë që ka sjellë nëpërmjet librit të tij, tregojnë se njeriu i luftës, siç janë ushtarakët, diku në një qoshe të shpirtit, ruante edhe ndjenjat dhe përvijimet e bukura të artistit, të poetit. Ishte kjo arsyeja, që unë shkruesi i këtyre radhëve, mbasi lexova poezitë e tij, zgjodha të vë në krye të këtij shënimi titullin: “Në dorë pushkën e Lirisë, në gjoks zjarrin e poezisë”! Dhe besoj se nuk kam gabuar. Lexuesit, kur ta kenë librin e tij në dorë, do të më japin të drejtë.
Genc Sefa – Lushnja, që në vogëli u mëkua më patriotizmin dhe dashurinë për Atdheun. Ishte linja kryesore e trashëgimisë ndër brezat e familjes e të fisit të vet, të paktën që nga paraardhësi Nebih Sefa, nënshkruesi i Aktit të madh të Pavarësisë me 28 nëntor të vitit 1912, e nismëtar i kongresit kombëtar të Lushnjës më 1920. Ky zjarr patriotik dhe atdhedashës, ishte ushqyer më tej në shkollat që kreu, veçanërisht në atë ku dalin kuadrot e Ushtrisë, mbrojtësit më të parë të Atdheut, për t’u vënë në provën e zjarrit, në vitet dhe ditët e stuhishme të luftës për çlirimin e Kosovës.
Është ky pozicion i autorit, që ka ndikuar në realizimin e poezive me mjat art bashkohor, por veçanërisht me përmbajtje të lartë atdhetare. Libri “Pushka e tyre kushtrim lirie”, na sjell poezi të thjeshta, por me plot ndjenjë e art të vërtetë. Mbi të gjitha, libri në fjalë është një dëshmi e gjallë e asaj që ka ndodhur në vitet 1998-1999, kur populli i krahinës shqiptare të Kosovës, ngriti krahun e saj të armatosur, UÇK-në, dhe realizoi epokën më lavdiplote të shqiptarëve në kaërcyell të shekullit të njëzet.
Në libër janë radhitur mbi njëqind poezi, të cilat ngërthejnë jo vetëm personazhe të UÇK,-së, por kapin pothuaj gjitha historinë shumë shekullore të shqiptarëve, duke mos lënë mënjanë, edhe disa fenomene të ditëve të sotme, ku autori mban qëndrime të hapura kritike. Në substancë të të gjithë poezive, evidentohet postulati tashmë i njohur dhe i vertetuar nga historia, se “Liria nuk dhurohet, por fitohet”. Ashtu siç jepet, pothuaj në shumë poezi, mesazhi për bashkimin kombëtar, që është dhe mbetet objektivi kryesor i shqiptarëve.
Pjesën më të madhe të poezive, autori ua kushton Dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, të cilët në mjaft raste i ka njohur personalisht, e me disa ka qenë në një vijë zjarri gjatë luftimeve me forcat serbo-sllave. Poezitë kushtuar dëshmorëve, shkruar me shumë dashuri e nderim, janë edhe një material shumë i nevojshëm, si për vete të rënët, të cilëve populli u ka kënduar e do t’u këndojë këngë; por ato janë një material i domosdoshëm dhe shumë autentik për shkrimin e historisë së kësaj lufte, në mënyrë reale dhe me të gjitha përmasat e saj.
Poezitë për dëshmorët, autori i kombinon apo i alternon me poezi për Heronjtë e Kombit, që nga lashtësia, e gjer në kohët moderne. Dhe këtë ai nuk e bën nga rastësia, por për të treguar se midis dëshmorëve dhe heronjve të kombit tonë, të të gjitha periudhave historike, ka një lidhje organike, një trashigimi të pandërprerë, çka i siguroi kombit tonë mbijetesën përballë furtunave të kohës, duke ruajtur me fanatizëm dinjitetin dhe indentitetin e tij kombëtar.
Me pasion e devocion ai i këndon me vargje bashkëluftëtarit të tij, Dëshmorit Nijazi Azemi, emrin e të cilit mbante brigada e 115, strukturën e së cilës e ngriti dhe do ta komandonte Genc Sefa:
–
Në vijë të frontit një zë jehon,
Nijazi Azemi po këndon:
“Çohuni vëllezër të luftojmë,
Kosovën Lindore ta çlirojmë!”
–
Nisi lufta në ato shkrepa,
Thonë u vra komandant “Mjekrra”!
Pak pa vdek’ foli një fjalë,
“Moj Shqipni të qofsha falë!
—
Gjaku im t’u bëftë flamur,
U bëftë pishtar, që s’shuhet kurr’;
U bëftë udhërrëfyes për lirinë,
Për të bashkuar Shqipërinë!”
–
Autori, nuk mund të harrojë pa futur në librin e tij të poezisë, Indrit Carën, djaloshin e ri nga kavaja, me pseudonimin “Ushtar Kavaja”, ku midis të tjerave i këndon:
Gjëmojnë kodrat e Gallushës,
Ndizet toka e Pagarushës;
Ushtar Kavaja po lufton,
Sllavo-çetnikët po i tmerron!
–
UÇK-ja jep njoftimin,
“Në betejë, na e vranë trimin”!
U këput një këmbë mali,
Shqipërisë jetën ia fali!
–
Dëshmorit Astrit Suli nga Berati, autori i kushton dy poezi. Njërën nga këto, ai e ka shkruar në 21 vjetorin e rënies së dëshmorit, një poezi epike, e denjë për një Hero që bie në fushën e betejës për lirinë e Atdheut:
–
Majë Pashtrikut, malit lartë,
Po lufton ky zemër zjarrtë;
Si shqiponj’ mbi serb vërsulet,
Luftë e rreptë, por nuk përkulet.
–
Lufton burri me armë në dorë,
Mbi armiqtë shekullorë;
Me 27 Maj, bie dëshmorë
Maja e Pashtrikut i rri kurorë!
–
O Astrit Suli, o trim me fletë,
Je mes nesh, e nuk ke vdekë;
E dhé jetën për Shqipëri,
Ty përjetë të qoftë Lavdi!
–
Tabllo të tilla të heroizmit e të vetmohimit, të thurura thjeshtë, por me vërtetësi e me ndjenjë, gjen tek të gjitha poezitë kushtuar Dëshmorëve të UÇK-së, sepse të gjithë ata që ranë, fituan të drejtën që populli të përkulet me respekt e veneracion përpara varrit të tyre.
Autori e luftëtari, Genc Sefa, në ciklin e tij me poezi, u kushton mjaft vend dhe vëmendje zonave të Kosovës ku zhvillohen luftime dhe ngjarje që lidhen me luftën çlirimtare, por nuk len pa përmendur edhe krahina të tjera të Shqipërisë, veçanërisht Çamërinë, tokat e së cilës kanë mbetur nën pushtimin grek, ndërsa banorët e saj nuk lejohen të vizitojnë as varret e të parëve të tyre. Ashtu siç pasqyron edhe paradokse të tjera, të cilat lidhen me veprimet e gabuara apo mosveprimet e politikanëve dhe shtetarëve tanë ndaj çështjes kombëtare.
Genc Sefa, është i pakënaqur, madje i revoltuar me disa shqiptarë, që kanë harruar se nga vijmë si komb, dhe në disa momente, dalin jashtë identitetit që na kanë trashëguar paraardhësit. Për këtë, na sjell poezinë “Në kryqëzim të historisë”, ku autori “shkon” gjer tek “Pellazgu i parë”, ta pyesë për “rrënjët” e tij. “Pellazgu i parë” e përcjell tek dy djemtë, princët Epiroti dhe Arbërori, të cilët e pyesin përse ishte munduar gjer atje.
“Dy princët më pyetën, pse isha munduar,
U them se nga vijmë, ne kemi harruar;
Ndonëse në mes të globit, jemi çorientuar,
Kemi plot një shekull, endemi të hutuar!
–
Të parët në Europë, sot të refuzuar
Dje u dhamë jetë, por na kanë mohuar;
Ilirinë e lashtë, rëndë e kanë coptuar
Çdo gjë që na latë, e kemi shkatërruar . . .
–
Dhe për të argumentuar se në këtë shkatërrim, kemi ndihmuar edhe ne shiptarët, autori na jep më poshtë poezinë me titull: “Udhëtim në fejzbuk””, ku midis të tjerave thotë:
Kaq shumë legjendarë, kurrë s’kisha parë,
Para syve m’u dukën, mijëra kordhëtarë.
Me vrull ishin nisur për bashkim kombëtar. . .
Por ëndrra më doli, në momentin vendimtar!
–
Ah, sikur të zgjaste, udhëtimi imagjinar
Aq sa të bënim bashkimin kombëtar . . .
Por në fejzbuk, në gjysëm rruga mbeti,
Udhëtimi përfundoi, kish sosur interneti!
–
Autori konstaton se një nga fenomenet më negative dhe më dëmprurëse për vendin e shqiponjave, është tradhëtia, e cila është shfaqur që herët, dhe vijon edhe në ditët e sotme. Tradhëtinë e drejtpërdrejtë e ka provuar edhe vetë autori, dhe për shkak të saj gjendet sot i izoluar. Këtë fenomen e ka objekt të poezisë, ndaj në vjershën “Mallkuar qofsh tradhëti”, thotë:
–
Unë që shkruaj këto poezi,
Gjendem sot në burg të zi;
Bashkë me shokë që kam përbri,
Prerë në besë nga kjo tradhëti.
–
Ndaj urrejtja lind tek shpirti,
Dhe shpërthen e del nga fyti:
Qofsh mallkue tradhëti e poshtër,
Mos të mbiftë fara në votër!
–
Megjithatë, edhe pse midis nesh, e në vendin tonë, “lulëzojnë” plot vese, fenomene, e paradokse të çuditshme, huazuar apo imponuar nga pushtuesit e shumtë, Genc Sefa, Shqipërinë e tij nuk e hedh poshtë. Përkundrazi, poezinë “Moj e bukra Shqipëri”, e mbyll me këto katër vargje plot ndjenjë e dashuri:
.
Rri pa gjumë, mendoj shumë gjëra,
Psherëtij në pafundësi . . .
Të të shoh ZONJË, i fal të tëra,
Moj e bukura Shqipëri !!!
–
Temperamenti epik dhe luftarak që shoqëron poezitë, kushtuar figurave të ndritura të kombit tonë si Skënderbeu, Nënë Tereza etj.; ngjarjeve historike madhore si 28 Nëntori, Kongresi i Lushnjes si dhe Dëshmorëve e Heronjëve të Atdheut, gjatë shekujve të fundit dhe veçanërisht në Luftën për çlirimin e Kosovës, ballancohet me lirikën e poezive, kushtuar vendlindjes, dhe veçanërisht ato që ia dedikon prindërve të tij në Lushnje, dhe vajzës që vijon studimet në shkollën e lartë.
Në poezinë “Malli për vendlindjen”, shkruan me shumë përmallim:
–
Malli për vendlindjen, gjumin ma largoj!
Si dhimbja e një plage, shpirtin ma lëndoj.
Unë e di fort mirë, pse jam në izolim:
Kam për ty Atdhe, ëndërrën për bashkim!
–
Ndaj vendlindja ime, ti mos rri trishtuar!
Unë për çdo ditë, ty të kam kujtuar;
Fjalën lamtumirë, kurrë s’e kam shqiptuar,
Një ditë do të vij, vendlidja e bekuar!
–
Akoma më me ndjenjë, e që të shkaktojnë dhimbje gjer në përlotje, janë tri poezitë kushtuar prindërve të tij. Për arsye të izolimit, ai nuk ishte në varrimin e babait, por i kushton poezinë “Babait tim”, ku midis të tjerave shkruan:
–
Mua më ndau lufta, dhe ky burg i zi,
Shpresoj të më falësh, që s’erdha tek ti;
Që s’munda të vij, në atë ditë të zezë,
Malli për ty, baba, gjakun ma ka ndezë!
–
Edhe pse është dimër, malet plot dëborë,
Me mendje mbledh lule, dhe i thur’ kurorë;
Pres të vij një ditë, ti vendos mbi varr,
Pastaj le të shkrihem, në vajë e në zjarr!
–
Të njëjtat ndjenja, por edhe shpresë e optimizëm, gjejmë tek poezia “Vetmi”, kushtuar nënës së tij, të cilën, për arsye të izolimit, ka vite që nuk e ka parë:
–
Në mëngjes kur herët, lëshon rrezet Dielli,
E në mes të pyllit, nis këngën bilbili;
Syri më loton, për ty nga trishtimi,
Shpirti më zhuritet, më djeg përmallimi!
–
Ngrej sytë nalt, Diellit i drejtohem,
“Diell, me nënën time, kur do të takohem?”
-Mos i humb shpresat, më flet Diell-agu,
Nëna po të pret, e ulur tek pragu!
–
Po të pret me mallë, të pret me lirinë,
T’i tregosh për shokët, luftën, trimërinë;
Të të përqafojë, gjithë krenari,
Se të rriti nëna, trim për Shqipëri!
.
Ndërsa tek poezia “Gëzuar ditëlindjen, vajza ime”, kushtuar vajzës që e ka për studime në shkollën e lartë, optimizmi shtohet:
–
Vajza ime e bukur, rritur si zanë mali,
Në ditëlindjen tënde, s’mund të vijë babi;
Ndaj me fjalë zemre, unë po të uroj,
Mijëra përqafime, nga larg të dërgoj!
–
Jam baba i lumtur, të kam dritë syri,
Lulëzofsh në jetë, si një lule prilli;
Për ne ti je engjëll, je një mrekulli,
Ti po na zgjat jetën, na jep krenari!
–
Për ta përforcuar lirikën dhe optimizmin e tij, autori u kushton një poezi të veçantë vajzave shqiptare, nga krahina të ndryshme të trojeve tona:
–
VAJZAT SHQIPTARE
–
Porsi lulet e beharit,
Bukuroshet e Skraparit.
Trëndafil të kuq në rrema,
Duken vajzat nga Presheva!
–
Jua kalojnë luleve të mollës,
Bukuroshet e Sulovës.
Por si era e lules së blinit,
Janë vajzat e Ulqinit!
–
Vajza të bukura e plot haré,
I ka Lushnja në Myzeqé.
Lozanjare e të ëmbla fare,
Se ç’na janë çupat Korçare.
–
Shtojzovalle porsi zana,
Janë vajzat nga Tirana.
Më të bukura se Elena Trojës,
Janë çikat e Tropojës!
–
Lum për vajzat e Dardanisë,
Iliridës e Çamërisë;
Janë si lulet ndër saksia,
I ka bekuar perëndia!
–
Luftëtari i lirisë, Genc Sefa – Lushnja, na dhuron një cikël të madh me poezi, liriko-epike, shkruar në kushtet e izolimit politik dhe fizik, me të cilin u drejtohet gjithë shqiptarëve me mesazhe të fuqishme për Lirinë, për çlirimin e trojeve shqiptare të pushtuara nga shovinistët fqinj, për demokracinë, lumturinë dhe begatinë e popullit, dhe mbi të gjitha, që është edhe lajtmotivi i gjithë librit poetik, PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE, NË NJË SHTET TË VETËM, rruga që do ta çojë Shqipërinë në podin e Lavdisë e të Krenarisë që e ka patur dikur midis shoqeve të kontinentit europian.
Autori i librit, ndonëse gjendet në izolim, me shumë vite ndalimi, për asnjë çast nuk e ka humbur besimin tek vitaliteti i kombit të tij, dhe as shpresën se shumë shpejt ai do ta gjejë rrugën e vërtetë të zhvillimit, prosperimit dhe ribashkimit, ëndrra shekullore e shqiptarëve, që nga rilindasit e e mëdhenj, e deri tek luftëtarët e UÇ-së lavdishme e Komandantit të saj legjendar Adem Jashari.
Libri i Luftëtarit të Lirisë, Genc Sefa-Lushnja, është njëherësh edhe një apel për politikanët dhe pushtetarët e të dy shteteve shqiptare, veçanërisht për ata të Republikës së Kosovës, të cilët, ndërsa po përjetojnë e gëzojnë për fitoren dhe lirinë e fituar, kanë lënë mënjanë dhe jashtë kujdesjes shoqërore e shtetërore, shumë nga personazhet e kësaj fitoreje dhe kësaj lirie, disa prej të cilëve dhanë gjakun dhe jetën e tyre, apo u sakatuan në përpjekjet luftarake me pushtuesin barbar. Në këta personazhe të sakrificës, bën pjesë edhe Komandant Genc Sefa-Lushnja, i cili, së bashku me shokë të tjerë të luftës, falë mangësive, e madje edhe akrobacive të drejtuesve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare, gjenden në burgun politik të shtetit sllavo-maqedonas.
Është e pafalshme për politikanët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, disa prej të cilëve edhe në përbërje të parlamentit dhe të qeverisë maqedonase, që edhe mbas gjashtë viteve nga ngjarjet në Kumanovë, nuk kanë bërë asnjë lëvizje politike apo ligjore, për të sqaruar si duhet se çfarë dhe pse ndodhi konflikti luftarak, ku humbën jetën një dyzinë qytetarësh nga të dyja palët, duke synuar, që ashtu siç janë marrë e po merren vesh për probleme të tjera me politikanët dhe pushtetarët maqedonas, të gjenin mënyra për mbylljen edhe të konfliktit të datës 9 maj 2015 në “Lagjen e Trimave” të qytetit të Kumanovës.
Në mbyllje të këtyre shënimeve të thjeshta, uroj që autori i librit, Luftëtari e komandanti i Luftës çlirimtare të Kosovës, Genc Sefa – Lushnja, të arrijë sa më parë ditën e lirisë, për të vijuar në kushte normale e krahas shokëve, veprimtarinë e tij atdhetare, por edhe në botimin e librave të të gjitha gjinive për historinë e Luftës së UÇK-së dhe të të gjithë historisë së popullit tonë. Qëndresa e palëkundur dhe vijimi i veprimtarisë atdhetare edhe në kushtet e izolimit, na krijon besimin, se ai do të vijojë me vendosmëri në rrugën e lavdishme për çlirimin e trojeve tona dhe realizimin e Bashkimit Kombëtar.