Gjon Bruçi: “Koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarëve”

Gjon Bruçi: Politikanë dhe pushtetarë, kujdes! Haxhi Qamili, mund të “duket” përsëri!

Personazhin më të përshtatshëm për ta përballur me politikanët dhe pushtetarët tanë të sotshëm, zgjodha Haxhi Qamilin, një personazh interesant i viteve 1913 – 1915. Dhe këtë po e bëj, sepse në shumë pika, situata e sotme e vendit tonë, ngjan me ato që ndodhnin në ato vite, të cilat historia i ka quajtur “vite të mbrapshta”.

Në vitin 1913, Haxhi Qamili ishte një tiranas pothuajse anonim. Biografia e tij përfshinte si vlerë, qenien si ushtarak i thjeshtë xhonturk, tentativën e dështuar për t’u rekrutuar në repartin e radifëve dhe një medalje trimërie dhënë nga komandanti turk, Hasan Riza Pasha, gjatë luftës për mbrojtjen e Shkodrës, ku Haxhi Qamili kishte shkuar si vullnetar.

Pikërisht në pranverë të vitit 1914, personazhi ynë do të vihej në krye të kryengritjes, e cila njihet në histori me emërtimin “Kryengritje e fshatarëve të Shqipërisë së Mesme”. Po, ç’ishte kjo kryengritje që përfshiu qindra e mijëra fshatarë? Pa diskutim ishte një revoltë popullore, e cila shpërtheu në kryengritje të armatosur, kundër shtypjes e shfrytëzimit nga bejlerët e agallarët; kundër tradhtarëve të kallëpit të Esat Toptanit, që i ishin kundërvënë pavarësisë dhe qeverisë së sapo shpallur nga Ismail Qemali në Vlorë; kundër copëtimit të Shqipërisë nga kancelaritë europiane dhe planeve për zhvatjen e trojeve tona nga shovinistët fqinjë; të gjitha këto në prag të rënies së Perandorisë Osmane. Sigurisht, një kryengritje fshatare, pa drejtim politik dhe me një komandant gjysmë analfabet, siç ishte Haxhi Qamili, nuk mund t’i shpëtonte manipulimit dhe përdorimit për interesa të caktuara. Por, pavarësisht kësaj, Kryengritja e fshatarëve të Shqipërisë së Mesme, kishte karakter klasor më shumë se fetar, apo krahinor, siç mundohen ta devijojnë bejlerët e djeshëm dhe pinjollët e tyre të sotëm. Këtë e vërteton fakti se, kryengritësit fshatarë, në sulmet e tyre të armatosura, nuk prekën pasurinë e asnjë fshatari apo qytetari të zakonshëm; përkundrazi konfiskuan pasuritë e bejlerëve dhe agallarëve, duke ua shpërndanë fshatarëve të varfër, dhe dogjën shtëpitë e pasanikëve, gjer te sarajet e Esat Toptanit në Tiranë. Sjellja e vrazhdë e kryengritësve fshatarë ndaj klasës së pasanikëve, e kishte bazën tek shfrytëzimi i egër që kjo klasë u kishte bërë fshatarëve dhe qytetarëve ndër vite dhe luksi i tepruar me të cilin ata jetonin, përkundrejt varfërisë ekstreme të popullit.

Një paralelizëm: Shekuj më parë, Anglia kishte një Robin Hud, i cili ashtu si Haxhi Qamili ynë, u rrëmbente pasanikëve pasuritë dhe ua shpërndante fshatarëve të tij. Por anglezët nuk e injoruan Robin Hudin, përkundrazi e kanë heroin e tyre. Madje në kujtim të këtij Robinit anglez, ne e kemi quajtur atdhetarin tonë Isa Boletini, “Robin Hudi shqiptar”. Po ashtu, populli çek para disa shekujve, pati dy personazhe të tipit “Robin Hud”, Jan Husin dhe Jan Zhishkën, të cilët në kohën e tyre u sikterisën nga kisha dhe klasat sunduese, por koha e re i vuri ata në piedestalin e heronjve të popullit cek.

 Me argumentet që paraqita, e që i njeh çdo nxënës i shkollës së mesme, unë kam plotësisht të drejtë që Haxhi Qamilin ta konsideroj një personazh pozitiv, një personazh, i cili në thelb përfaqëson popullin e viteve të para të shekullit të njëzet. Historitë dhe përrallat e popujve, siç e dimë të gjithë, kur duan të vënë në qendër popullin, përdorin “Qerosin”, “Nastradinin”, “Kurrizon”, “Kuazimodon”e gjer tek “Shimpazenë”, kushëririn tonë të largët.

Le të vijmë tani tek situata e sotme e vendit tonë, që unë pretendoj se i përafrohet, e madje edhe e kapërcen mjerimin moral, politik e social-ekonomik të viteve 1913 – 15 të kohës së Haxhi Qamilit: Nëse do të ngjiteshim në një platformë të lartë, nga ku shihet i gjithë territori i Shqipërisë dhe të përqendrojmë mendjen e vëmendjen, mbi gjithçka ka ndodhur në këto tri dekada të së ashtuquajturës “demokraci borgjeze” mbi këtë truall me sipërfaqe modeste prej vetëm 28 mijë kilometra katrorë, do të konstatonim dëmet e pallogaritshme, që i janë shkaktuar vendit në të gjitha fushat dhe parametrat e jetës, nga klasa politike aktuale, ose pashallarët e sotëm modern të tipit “Toptani” me shokë. “Bëmat” e politikano-pushtetarëve, që na kanë qeverisur e po na qeverisin në këto tri dekada të fundit, janë dhjetëra e qindra herë më të zeza, se bëmat e gjithë pashallarëve turq me origjinë shqiptare, të cilët kanë qeverisur katër Vilajetet e copëtuara shqiptare në katër shekuj e gjysmë pushtim osman.

Themi dhjetëra e qindra herë, sepse pushtuesi turk, kur zaptoi vendin tonë, gjeti një vend të shkretuar nga luftrat skënderbejane për mbrojtjen e Arbërisë dhe për pasojë nuk pati edhe shumë punë për shkatërrime të mëtejshme, ose më saktë, shkatërrimin e mëtejshëm e plotësoi me moszhvillim absolut të vendit.

Pashallarët tanë të tri dekadave të fundit, kur në vitin 1990 “pushtuan” Atdheun e tyre, kishin një atdhe të lulëzuar në të gjitha fushat e jetës ekonomike, sociale, arsimore, shëndetësore, kulturore, sportive, me tradita të kultivuara, me dinjitet e identitet të konsoliduar, me një unitet të pashembullt në botë, me një mbrojtje ushtarake moderne, me një shtet e pushtet solid e modern, me njohje të gjerë ndërkombëtare, me qytetarë tërësisht oksidentalë e të civilizuar, e të tjerë parametra modernë, të barazvlefshëm me popujt e qytetëruar të kontinentit ku bëjmë pjesë. Të gjitha këto arritje e tregues progresistë, pashallarët tanë modernë të tri dekadave të fundit, i rrafshuan, i dërmuan dhe i asgjesuan. Merrini dhe analizoni me radhë bujqësinë, industrinë, arsimin, kulturën, shëndetësinë, sportin, familjen, shtetin, pushtetin, normat e moralit e të sjelljes në shoqëri, në punë e në familje, dinjitetin dhe identitetin e shqiptarit dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, e gjer tek prag shpopullimi gradual që po i imponohet vendit me politikat antipopullore e antikombëtare; dhe duke i krahasuar me parametrat përkatës të para viteve nëntëdhjetë, kur “pllakosi demokracia borgjeze”, do të bindeni për katastrofën që politikano-pushtetarët tanë aktualë, alias pashallarët tanë modernë, i kanë shkaktuar Kombit dhe Atdheut tonë.

Pashallarët tanë aktualë, ashtu si paraardhësit e tyre të 1914-s, akuzojnë e denigrojnë Haxhi Qamilin, se dogji, konfiskoi dhe u shpërndau të varfërve pasuritë e bejlerëve dhe pasanikëve, që për shekuj me radhë kishin pirë gjakun e fshatarëve dhe qytetarëve të varfër. Nga ana tjetër, në rolin e një “Haxhi Qamili modern”, në tri dekada tranzicion të vetëquajtur “demokratik, këta dogjën, shkatërruan dhe grabitën e po grabisin pasuritë e një populli të tërë, ngritur me mundë e djersë gjatë gjysëm shekulli të sistemit socialist. Pashallarët tanë të sotëm e modernë, ashtu si sivëllezërit e tyre të 1914-s, akuzojnë e denigrojnë Haxhi Qamilin, njeriun pa asnjë gram shkollë e dijeni për historinë e kombit të tij, se kryengritjes së tij fshatare i vuri në krye flamurin gjysmë hëne të Turqisë dhe thirri sloganin “Duam Babën”, të vetmin flamur e të vetmin mbret që ai njihte në jetën e tij.

Pashallarët tanë të sotëm, me një gomar shkollë mbi supe, që e njohin mjaft mirë flamurin dhe historinë e kombit të tyre, mbajnë nëpër xhepa të gjithë llojet e flamujve, veçanërisht ata që kanë ngjyrën e dollarit e të euros. Dhe më tej: Ndërsa pëllasin ditë e natë për Europën dhe “Oksidentin”, lëshohen drejt “Orientit”, duke thirrur tashmë jo “baba Sulltanin”, por “vëlla Erdoganin” stërnipin e të parit. Akoma më tej: Ndërsa Haxhi Qamili i 1914-s, tentoi të mbronte tokat që po pushtoheshin nga shovinistët fqinjë, pashallarët tanë aktualë, përkundrazi u buzëqeshin atyre, si t’i kishin vëllezër për nënë e për babë, e madje u hapin udhën drejt detit, apo u japin copa nga trualli ynë për memorialet dhe varret e të rënëve të tyre në tokën tonë për llogari… të “Eladhës” dhe “Naçertanjes”!

Nëse pashallarët tanë aktualë, do të ndalnin këtu hovin e grabitjes e të degradimit të atdheut, të kthenin gjënë e vjedhur dhe të hiqeshin mënjanë, duke i hapur rrugën rimëkëmbjes së vendit, mund të mbyllej çështja me një amnisti, si ajo e vitit 1997, sepse fundja, pashallarët aktualë janë pjesë e familjes sonë dhe brenda familjes nuk kemi kujt ia kërkojmë “gjakun”. Prilli i Pashkëve të sivjetshme, koincidon me zgjedhjet politike, një shans i mirë për amnistinë që përmendëm më lart. Por, “siç duken bathët, janë larg Pashkët”, – perifrazon populli ynë. Mundësia për “amnisti” nuk ka shanse të realizohet. Pashallarët tanë modernë e kanë “syrin kokërr” në veprën e tyre antipopullore e antikombëtare, ndaj nuk mbetet rrugë tjetër, veçse rrugës “qamiliste”, sigurisht e maturuar sipas rregullave dhe ligjeve objektive të kohës.

Po, a mund të kthehet sot Haxhi Qamili dhe turma e tij kryengritëse? Kupa e së keqes është mbushur e po derdhet, më keq se në vitet e mbrapshta të fillimshekullit të njëzetë, ndaj revolta e “Haxhi Qamilit”, mund dhe do të përsëritet. Sigurisht jo si ajo e viteve 1913-1914, as si ajo e vitit 1997, kopje e keqe e së parës, por një revoltë e një lëvizje e fuqishme popullore e demokratike, e cila do të jetë qindra herë më e organizuar, më e fuqishme dhe më efikase se çdo lëvizje tjetër në historinë e popullit tonë.

Pashallarët tanë modernë, që kanë livadhisur e po livadhisin mbi kurrizin e drobitur të popullit e të vendit, të dehur nga “rezultatet” me politikën e tyre të përdredhur e mashtruese, shpesh herë e imagjinojnë popullin një turmë, apo akoma më keq një “Tufë delesh”, që mund ta vësh përpara me stapin e çobanit. Por gabohen rëndë. Populli është i madh e i gjerë si deti. Ai nuk është një përrua malor, që zemërohet dhe hidhet përpjetë, sapo në të derdhet një rrëke shiu. Populli, ashtu si deti, fryhet e lëviz ngadalë dhe kur i vjen ora, apo kur i soset durimi, shpërthen me dallgë të hatashme, duke përlarë gjithçka gjen përpara.

Kujdes ju pashallarë modernë, “shërbëtorë të një barku të panginjur”, mercenarë të një sistemi të padrejtë e shfrytëzues, me emrin kapitalizëm: Durimi i shqiptarëve po soset. Ata do ta gjejnë mënyrën dhe udhëheqësin e vërtetë të tyre, dhe do të ngrihen në revoltë shpërthyese. Mjerë ju pastaj, që jeni tallur dhe po e telendisni prej tri dekadave mashtruese të gjoja demokracisë. Kur të ndodhë kjo, ju nuk do të keni asnjë mundësi për amnisti, e as të fitoni statusin e të përndjekurit politik, siç e fituan në sajën tuaj, një pjesë e pashallarëve të kohës së shkuar. ( Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …