Gjon Serreçi ka qenë njëri ndër intelektualët dhe personalitetet më të shquara dhe më me ndikim të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare të Kosovës. Gjoni, ishte i biri e Gjergj Serreçit. Lindi në Ferizaj më 11 shkurt të vitit 1920. Nëna e Gjergjit quhej Anisa, e gjinisë Kurti, po ashtu nga Ferizaj. Mësimet e para i mori në vendlindje. Duke qenë se shquhet për zell dhe talent të veçantë, babai, Gjergji, e regjistron në Seminarin peshkopal në Prizren, të cilin edhe e kryen me sukses.
Në vitin shkollor 1940-1941 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku studioi deri në vitin 1943. Ndërkohë vazhdon studimet në Firencë të Italisë. Vetëm pak kohë pasi kthehet në Kosovë në vitin 1944, duke qenë në postin e kryetarit të komunës në Babush të Ferizajt, arrestohet nga Gestapoja dhe në qershor të po atij viti internohet në Vjenë në mesin e shumë antifashistëve. Pas kapitullimit të Gjermanisë Naziste, Gjoni kthehet në Kosovë dhe në vjeshtë të vitit 1945 pranohet profesor në gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës. Ka qenë në kontakt me lëvizjet përparimtare të kohës dhe nën ndikim të literaturës atdhetare të Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Naim Frashërit e të tjerëve.
Duke qenë i ndikuar nga qarqet e lëvizjeve demokratike evropiane të kohës, Gjon Serreçi, së bashku me profesor Ymer Berishën, Luan Gashin e të tjerë pretendon krijimin e një lëvizjeje të re nacional-demokratike, e cila nuk ishte komuniste, por as balliste. Gjon Serreçi, Ymer Berisha e disa intelektualë të tjerë si: Kemajl Skënderi, Hysen Tërpeza, Hasan Bilalli, Hilmi Zariqi, Arif Shala, Osman Bunjaku, Azem Jashanica, Ajet Gërguri e të tjerë, përfaqësonin rrugën autentike të çlirimit dhe bashkimit kombëtar, duke u mbështetur në vlerat e demokracisë perëndimore.
Duke folur për këtë zhvillim pozitiv, afirmativ të lëvizjes çlirimtare, njëri ndër ideologët e kësaj lëvizjeje, Hysen Tërpeza në Kuvendin e Tunushës, në dimër të vitit 1945, kishte propozuar që organizatat luftarake nacionaliste të asaj kohe të quheshin Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar. Të pranishmit në atë tubim kanë pranuar propozimin e Hysen Tërpezës.
Gjon Serreçi, një intelektual i ri me orientime demokratike kombëtare, kishte dijeni për rirreshtimin e forcave atdhetare.
Pas thyerjes së rezistencës të Shaban Polluzhës dhe të Mehmet Gradicës, në Drenicë në mars të vitit 1945 dhe ikjes për në Greqi të grupit të Adem Gllavicës dhe të Qazim Llugaxhiut, në vjeshtë të po atij viti, forcat atdhetare nacionaliste të kohës pretendonin që sërish të rirreshtoheshin.
Gjon Serreçi asokohe punonte profesor në gjimnazin real, “Sami Frashëri” të Prishtinës. Ai, përmes disa miqve të besuar kishte vendosur kontakte me Azem Jashanicën, Ajet Gërgurin, ndërsa mbante kontakte korrespondence edhe me Imer Berishën, Marie Shllakun, Ndue Perlleshin. Mbante lidhje edhe me kreun nacionalist të Shkupit, si me Kemajl Skënderin, Mahmut Dumanin.
Në prill të vitit 1946, Gjon Serreçi ishte në mesin e veprimtarëve militantë, që mendonin se duhej likuiduar fizikisht disa elementë tejet të dëmshëm pro-jugosllavë. Asokohe merr pjesë në përgatitjen e një atentati të pasuksesshëm kundër Alush Zariqit, kryetar i Rrethit të Prishtinës, komunist i përbetuar jugosllav. Pasi qe dekonspiruar plani i përgatitjes së atentatit Gjon Serreçi me ndihmën e një nxënësi të tij, bashkohet me Ajet Gërgurin, i cili jetonte ilegalisht në fshatin Terstenik të Drenicës.
Po kështu Gjon Serreçi, i cili përcillte me shumë interesim rirreshtimin e forcave nacionaliste, vë kontakt edhe me prijësit e çetave në malet e Llapit e të Gollakut, të cilat vepronin të izoluara, në tërheqje e sipër, në mungesë të komunikimit dhe konsolidimit të radhëve.
Më 27 prill të vitit 1946, Gjon Serreçi i bashkohet çetës së Shemsi Hazir Gashit të fshatit Mramor. Kjo çetë nacionalistësh të njohur vepronte në rajonin e maleve të Llapit e të Gollakut. Duke qenë se Shemsiu kishte konsideratë të posaçme për përkushtimin dhe përcaktimin atdhetar të profesor Gjon Serreçit, me qëllim për t`u përkujdesur për të në mënyrë të veçantë, ai cakton disa truproje besnike si: Musli Gashin, Sadik Tushin, Brahim Gajtanin dhe Abaz Matiçanin. Këta kishin për detyrë që të përkujdeseshin për Gjon Serreçin, për tërë komunikimin dhe korrespondencën e tij.
Gjoni ishte tepër i mirëpritur edhe nga kreu nacionalist i kohës. Në radhë të parë sepse ishte nacionalist, personalitet i arsimuar që fliste disa gjuhë botërore, dhe ishte kuadër i cili nuk qe komprometuar në organizimet politike, ideologjike të asaj kohe.
Gjon Serreçi merr pjesë në Kongresin e Katërt të LNDSH-së, në Kozmaq të Drenicës. Kongresit të Lipovicës i paraprijnë disa takime të krerëve nacionalistë në malet e Qyqavisë, pastaj në Radishevë, Kotorr, Runikë e vende të tjera. Sipas shkrimeve të historianit, Islam Dobra, më 1 maj të vitit 1946 në malet e Kozmaqit të Drenicës u mbajt një takim i rëndësishëm i kreut nacionalist shqiptar.
Kongresi i Katërt, ndryshe quhej Kongresi i Besëlidhjes së Madhe Shqiptare kundër komunizmit. Personalitetet që e udhëhoqën Kongresin ishin: Ajet Gërguri, kryetar i Komitetit Nacional Demokratik, Gjon Serreçi sekretar i LNDSH-së së Kongresit të Katërt dhe Ilmi Zariqi kryetar i komitetit për Drenicë.1) Në Kongresin e Katërt para dhjetëra LNDSH-istëve kishin folur: Ajet Gërguri dhe Gjon Serreçi. Ata i bëjnë një paraqitje realiste zhvillimit të ngjarjeve pas vendosjes së pushtetit komunist në Kosovë dhe në Shqipëri. Nga analiza dhe shqyrtimi i situatës së përgjithshme, konsiderohej e nevojshme që të bashkoheshin të gjitha forcat e vërteta nacionaliste dhe të konsolidoheshin me qëllim për të vepruar bashkërisht në drejtim të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Më 15 maj të vitit 1946, Gjon Serreçi dhe Ajet Gërguri nga Malet e Drenicës i dërgojnë një letër Komitetit “Besa kombëtare” të cilin e udhëhiqte profesor Ymer Berisha, njëri ndër ideatorët dhe kreatorët e LNDSH-së. Në këtë letër të nënshkruar nga Gjon Serreçi, kryetar i Organizatës dhe Ajet Gërguri sekretar, Komiteti njoftohet për punën dhe aktivitetin e shtrirjes së veprimtarisë së degëve të organizatës në terren. Në letër krahas shtrirjes së aktivitetit jepen të dhëna për numrin e ushtarëve, stërvitjet dhe aktivitetin edukativ arsimor, armatimin, municionin, logjistikën e të tjera.
Gjatë kohës sa kishte qëndruar nën përkujdesjen e Shemsi Hazir Gashit nga Mramori, Gjon Serreçi punon intensivisht në drejtim të vendosjes së komunikimit me grupet nacionaliste të kohës. Ai, ashtu sikurse edhe disa krerë të tjerë nacionalistë mendonte të kryesuesit e grupeve të armatosura do të duhej të tuboheshin në një vend të caktuar për të mbajtur një tubim, apo kongres, ku do të shqyrtohej situata politike dhe e sigurisë dhe ku do të merreshin qëndrime definitive për fatin e mijëra nacionalistëve, të cilët kundërshtonin riokupimin e Kosovës nga Jugosllavia komuniste titiste dhe ishin të gatshëm për kundërvënie të armatosur.
Përmes korrierëve të tij besnikë, Gjon Serreçi, në pranverë të vitit 1946, për një kohë të shkurtë vë kontakte me të gjithë udhëheqësit e grupeve nacionaliste të asaj kohe si: Ajet Gërgurin, Azem Jashanicën, Hilmi Zariqin, Arif Shalën, Halim Oranën, Kemajl Skënderin, Mustafë Spahiun, Osman Bunjakun, Ukë Sadikun e shumë të tjerë. Ishte ndër më meritorët për aktivizimin dhe mbajtjen e Kongresit të Pestë të Nacional Demokratikës Shqiptare, që më vonë u quajt Kongresi i Lipovicës.2)
Kontributi që ka dhënë Gjon Serreçi në organizimin dhe mbajtjen e suksesshme të Kongresit të Lipovicës më 25 korrik të vitit 1946 është kontribut i jashtëzakonshëm dhe tejet i çmuar në të gjitha aspektet, e sidomos në pasqyrimin dhe përshkrimin realist të situatës, e cila asokohe mbretëronte në Kosovë dhe në rajon dhe të cilën nuk e kuptonin si duhet e sa duhet grupet që vepronin ndaras, edhe pse kishin qëllim të njëjtë.
Atë ditë vere të 25 korrikut, në Blinajë-ish Lipovicë, qenë tubuar qindra krerë nacionalistë nga mbarë Kosova. Gjon Serreçi ishte më i arsimuari ndër të gjithë, por kishte përparësi edhe me faktin se ishte jurist dhe i njihte mjaft mirë punët organizative dhe ato administrative. Mbi të gjitha ishte një ideolog i një nisme të re të lëvizjes çlirimtare. Ai, kishte kuptuar me kohë se forcat e Ballit, në rastin konkret, në Shqipëri, ishin komprometuar me vetë faktin se kishin qenë aleate të forcave okupatore fashiste italo-gjermane. Gjoni e kishte kuptuar me kohë se në luftë dhe në aleancë me forcat jugosllave e ruse ishin komprometuar edhe shumë nga forcat partizane, edhe pse ato ishin në koalicion me forcat antifashiste botërore. Me kualitetet e tij arsimore ideologjike e kombëtare, kishte arritur të trasonte rrugën më të përshtatshme të cilën e kushtëzonin rrethanat e reja të luftës dhe të ropozicionimit ideologjik e strategjik të luftës për çlirimin dhe bashkimin e trojeve të Shqipërisë. Ai e kishte perceptuar drejt çështjen e ripozicionimit të Lëvizjes për çlirimin dhe bashkimin e trojeve të Shqipërisë.
Në Kongresin e Lipovicës, Gjon Serreçi kishte fjalën kryesore. Ai para delegatëve të pranishëm kishte shkoqitur një raport të hollësishëm lidhur me gjendjen aktuale, dhe duke parë disponimin divergjent të kreut nacionalist, lidhur me riorganizimin luftarak apo ikjen për në Greqi, kishte kërkuar mendimin e shumicës, duke mbështetur me këtë rast parimin demokratik të vendosjes mbi vullnetin e shprehur të shumicës. Me vendim unanim gjatë punimeve, Kongresi, në të cilin bënte pjesë shumica dërrmuese e kreut nacionalist të Kosovës, kishte vendosur që profesor Ymer Berisha të caktohej Komandant i Përgjithshëm i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare të Kosovës, ndërsa Gjon Serreçi emërohet kryetar i Komitetit Nacional Demokratik të Kosovës.
Gjon Serreçi kishte arritur në përfundim se kreu i arsimuar i NDSH-së nuk pajtohej me kreun militant luftarak, të cilin në Kongresin e Lipovicës e kishin shprehur haptas dhe prerë: Osman Bunjkau, Jetullah Zabeli, Hilmi Zariqi e disa të tjerë. Gjoni e kishte kuptuar shqetësimin e krahut militant, por kishte mbështetur mendimin e shumicës dhe kishte vepruar në atë drejtim. Gjithnjë nën përkujdesje meritore dhe të fortë të Shemsi Hazir Mramorit dhe të truprojave të tij, ai së bashku me disa grupe të armatosura fillon depërtimin në drejtim të kufirit, me qëllim për t’ u vendosur në Greqi, ku një vit më parë kishin shkuar: Adem Gllavica, Hysen Tërpeza, Qazim Llugaxhiu etj.
Më 8 gusht të vitit 1946, pararoja e formacionit nacionalist, bie në pritë të forcave ushtarake jugosllave në malet e fshatit Billushë mbi Hoqë të Qytetit të Prizrenit. Edhe kësaj radhe Gjon Serreçit dhe Ajet Gërgurit iu bie barra e rëndë për të vendosur lidhur me depërtimin me çdo kusht, apo tërheqjen taktike të formacionit. Duke përcjellë zhvillimet e luftimeve disaorëshe, nën breshërinë e granatave armike, Gjon Serreçi, pas konsultimit me Ajet Gërgurin, Azem Jashanicën, Kadri Bebën e të tjerë vendos dhe jep urdhër për prapakthimin e formacionit, edhe pse luftëtarët e pararojës kishin asgjësuar pararojën e ushtrisë armike. Gjoni e kishte marrë këtë vendim të vështirë, duke qenë se e dinte raportin e forcave, dhe nuk dëshironte të humbiste bashkëluftëtarë edhe nga frika se forcat okupatore jugosllave, ndërkohë mund ta rrethonin formacionin nga të gjitha anët. Në rast të tillë nuk do të kishte kohë për tërheqje. Gjatë luftimeve të ashpra disaorëshe ranë në altarin e atdheut: Emin Fejzullah Saraçi nga Bivolaku i Vushtrrisë, Isuf Muharremi nga fshati Petrovë afër Shtimes, Beqë Zeqiri nga fshati Gjurkoc, ndërsa ishte plagosur rëndë kryetrimi i pararojës Sadri Sahit Duhla Nezir Buja dhe disa luftëtarë të tjerë.
Tërheqja e forcave nacionaliste qe bërë në grupe të ndara. Deri në Ribar të Madh, Gjon Serreçi ishte përcjellë nga grupet luftarake të Shemsi Hazir Mramorit, të Kadri Bebës dhe të Salih Rexhë Ribarit. Në mbrëmjen e 10 gushtit, Gjon Serreçi me grupin e Shemsi Mramorit depërtojnë me sukses në malet e Gollakut.
Më 13-14 gusht të vitit 1946, Gjon Serreçi, Osman Abazi, Ahmet Hajdini Sadik Tusha e të tjerë shkuan në viset e Kopilakës, ku u takuan me grupin e Sylë Hotllës e të Hajriz Kajollit… Ndërkohë takohen në Lybeten edhe me grupet nacionaliste të Abdyl Durës, Din Hoxhës e të Rizah Gogës. Në fillim të tetorit të po atij viti Gjon Serreçi së bashku me Osman Gagicën do të vendosen ilegalisht në fshatin Shipashnicë të Kamenicës. Një kohë qëndroi edhe në fshain Tërnovc, ku grupit të tij i bashkohet edhe Lam Breznica. Më pas, kah fundi i tetorit, në malet e Karaçevës, grupit ilegal të Gjon Serreçit i bashkohen edhe Xhepë Shipashnica, Mehmet Toponica, Taip Dajkoci e të tjerë.
Asokohe, OZN-a burgos disa nacionalistë e në mesin e tyre edhe Rexhep Shemë Dajkovcin si dhe disa kryetarë komitetesh të NDSH-së si : Mulla Rizah Poliçka, Arif Sylë Rogana, Ramadan Agushi, Maliq Malisheva e shumë të tjerë. Gjoni druante me të drejtë se veprimtaria dhe lëvizja e tij do të mund të dekonspirohej, andaj edhe mori masa për izolim të thellë. Në majën e malit të Shipashnicës së Epërme, Gjon Serreçi me Osman Abaz Gagicën strehohen në një bunker të izoluar dhe në një vend, që vështirë hetohej. Meqë Gjoni nuk pranonte të dorëzohej, ai planifikon kalimin e dimrit në atë bunker, duke ndërprerë lidhjet me shumicën e të njohurve dhe duke u mbështetur vetëm në dy tre shokë të besës, të cilët edhe do të përkujdeseshin për ushqimin e tyre. Pikërisht në dhjetor 1946 dhe janar shkurt të vitit 1947, OZN-a kishte shpartalluar shumë nga grupet nacionaliste të NDSH-së.
Gjon Serreçi ndodhej në izolim të thellë te bunkeri i rregulluar me kujdes në Shipashnicë dhe ende i pazbuluar nga njerëzit e OZN-ës. Komiteti i Shipashnicës kishte ndërprerë veprimtarinë, por edhe lidhjet me Gjon Serreçin i cili, mbetet vetëm me përcjellësin e tij besnik, Osman Abaz Gagica, i cili nuk iu kishte ndarë Gjonit qysh prej kthimit nga Hoqa e Prizrenit, më 10 gusht të vitit 1946. Meqë OZN-a nuk kishte të dhëna të sigurta për vendndodhjen e Gjon Serreçit, burgosi disa nga ish nxënësit e tij me qëllim që përmes dhunës të nxirrej ndonjë informatë. Asokohe arrestohen Ismet R. Dërmaku, Hamdi Mustafa, Rrahman Latifi, Jusuf Venhari, Shukrie Zymi Igballe Çuni dhe Nazif Zymberi. Ata i mbajtën në hetuesi deri më 21 janar 1947.
Oficerët e OZN-ës përmes një bariu kishin identifikuar Bunkerin në malet e Shipashnicës, ku ndodhshin Gjon Serreçi dhe Osman Gagica. Mirëpo ndërkohë, përmes lidhjesh që Gjoni kishte me disa besnikë të tij, që punonin edhe në polici, informohet se vendi qe identifikuar. Më 10 shkurt 1947, forcat e OZN-s rrethojnë bunkerin nga ku Gjoni dhe Osmani ishin larguar një natë më parë.Të zhgënjyer dhe të çartur për shkak të dështimit të aksionit, oznistët arrestojnë shumë të dyshuar në Shpashnicë dhe të afërm të Osman Abazit. Asokohe Gjon Serreçi dhe Osman Gagica shkojnë në fshatin Desivojc, te vëllezërit Shkodriqi. Gjatë takimit që Rizah Shkodriqi pati me Gjonin dhe Osmanin, kërkoi nga ata që sa më parë të largoheshin, meqë prania e tyre do t’ia rrezikonte krejt familjen.
Rizah dhe Bejtë Shkodriqi iu propozojnë dy ilegalëve të depërtonin në male e prej andej në Malësinë e Medvegjës. Në pamundësi për të gjetur strehim të sigurt, një natë me acar të shkurtit, Osman Abazi troket në konakun e kushëririt të dajës, Aziz Shkodriqi, meqë familja jetonte në periferi të fshatit.
Më 23 shkurt 1947, në një kësollë verore të shkodriqëve të Desivojcës, Shefki Abazi, Bejtë Shkodriqi dhe Rizah Shkodriqi takohen me Gjon Serreçin dhe Osman Gagicën…. Xhaxhai i Osmanit, Shefki Abazi, kërkon që Osmani të dorëzohet, me kusht që të betohej se nuk do të tregonte asgjë për Gjon Serreçin as për jatakët, ndërsa Gjoni të përcillej deri atje ku ai kërkonte. Edhe pse Osmani fillimisht nuk pranoi, të afërmit e tij e bindën dhe gjatë asaj nate, Osmani përshëndetet përgjithmonë me Gjon Serreçin.
Ditën e 24 shkurtit Gjon Serreçi mbetet krejtësisht i vetmuar në bjeshkët e Desivojcës. Ndodhej në kasollen e ftohtë të malit duke pritur zënien fatale apo vdekjen tragjike. Nga frika se do të mund të kapej në befasi ai dogji dokumentacionin.
Rreth orës 21, të 24 shkurtit 1947, në kasollen e tij, në malet e Desivojcës hyn Rizah Bajram Shkodriqi, i cili ia çoi bukën. Pak kohë më vonë, meqë Gjoni i besonte mikut, që i solli bukën, të cilën nuk arriti ta hante edhe pse ishte shumë i uritur dhe i mërdhirë nga të ftohtit, befasisht dhe fare papritur në kasolle futen me rrëmbim, dhe me armët drejtuar kundër Gjonit dy oficerë të OZN-s, Aleksa Vuçiniq dhe Dragutin Papoviq me katër policë përcjellës të cilët arrijnë ta kapin Gjonin para se të aktivizonte bombat e dorës.
Më 3 maj të vitit 1947 në lëndën akuzuese kundër Gjon Serreçit, Ukë Sadikut, Ajet Gërgurit, Ilmi Zariqit dhe Osman Bunjakut, në pjesën e lëndës ku shpallet fajtor Gjon Serreçi, atij i përshkruhen këto vepra: Si mësimdhënës në gjimnazin e Prishtinës ka shfrytëzuar detyrën dhe ka bashkëpunuar me nxënësit për të zhvilluar veprimtarinë e tyre të dhunshme nëpër komitete, duke dhënë betimin për besnikëri ndaj Organizatës…. Në fund të prillit të vitit 1946 ka krijuar lidhje me anëtarët e Komitetit Qendror të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, Azem Moranën dhe Hasan Bilallin… Në radhët e kësaj organizate të cilën e kryesonte Ajet Gërguri, pranoi detyrën e sekretarit… Ka hartuar programin dhe ka udhëhequr punimet në Kongresin e Lipovicës më 25 korrik 1946…Ka bërë përpjekje për të ikur në Greqi… Pas shpartallimit të grupit në Hoqë të Qytetit më 8 gusht 1946 ka shkuar në rrethin e Neredimës, kamenicës e Preshevës për të vazhduar punën në formimin e komiteteve ilegale nacionaliste. Më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-ës në Prishtinë, Gjon Serreqi i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar: Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….
Gjon Serreçi shpallet fajtor dhe dënohet me vdekje, pushkatim. Organet e RSFJ-së, Gjon Serreçin e pushkatuan, më 31 gusht të vitit 1947, në orën tre pas mesnatës, në vendin e quajtur Strelishte, te “Vorret e hebrenjve” në Tauk-Bahqe të Prishtinës. Po atë natë, në të njëjtin vend pushkatohen edhe Osman Bunjaku, Ukë Sadiku, Ajet Gërguri. Të katërtit varrosen në një varr të përbashkët.
Pas gjykimit dhe dënimit me vdekje nga Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, vendimin për pushkatim e kanë vërtetuar: udhëheqësit e Shërbimit të Seksionit të Punëve të Brendshme:
Hashim Mustafa,
Gligorie Sharanoviq,
Sadri Doçi dhe
Vaso Jovanoviq.
Udhëheqës i Seksionit Mazllum Nimani, kapiten dhe
Prokurori publik për Kosovë e Metohi, Ali Shukriu.
Ahmet Qeriqi ( Luftëtarë të NDSH-së 1944-1950)