Gjykata e Apelit në Slloveni e ka refuzuar padinë e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili e kishte paditur për shpifje gazetarin Vitomir Petroviq, që ia kishte zbuluar skandalin për tërheqjen e mijëra eurove. Lajmin për “Albanian Post” e ka konfirmuar zyrtari për medie i Gjykatës së Qarkut në Lubjanë, Mateja Jazbec. Vendimi për hedhjen poshtë të ankesës së Berishajt është marrë më 7 korrik 2023. Në përgjigjen e gjykatës është sqaruar se pas vendimit nga trupi gjykues për të rrëzuar padinë private të Berishajt, tashmë është vendosur që edhe ankesa e tij të hidhet poshtë. Gjykata kishte theksuar se Berishaj nuk ka mundur të vërtetojë asnjë prej pretendimeve të tij, andaj padia për shpifje rrëzohet.
