Gjykata e Hagës ka dorëzuar më 10 mars 2025 një mocion për pranimin e dokumenteve që pretendohet të jenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Qeverisë së Përkohshme në Zonën e Dukagjinit, duke argumentuar se ato mbështesin dhe plotësojnë dëshmitë e dëshmitarëve. Sipas tyre, këto dokumente dëshmojnë për nivelin e lartë të organizimit të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, duke përfshirë veprimtarinë e zonës operative të Dukagjinit, që përfshin Deçanin, Pejën, Gjakovën dhe pjesë të Komunës së Istogut e Klinës. Mocioni përmban gjithashtu detaje për veprimet e komandantëve të UÇK-së në Dukagjin, si Ramush Haradinaj dhe Lahi Brahimaj, të cilët, sipas prokurorisë, ishin të pranishëm në vendet kyçe të kësaj zone, duke dhënë udhëzime për operacione ushtarake dhe të sigurisë. ZPS-ja kërkon që provat e propozuara të pranohen si pjesë e dosjes përkatëse, duke përfshirë dokumentet administrative, operacionale dhe të inteligjencës të sekuestruara nga autoritetet serbe, si dhe disa që janë gjetur në shtëpitë e ish-udhëheqësve të UÇK-së Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
