Gjykata e Posaçme ka vendosur që të kalojë për gjykim dosjen “Gërdeci” në ngarkim ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjykata zhvilloi këtë të enjte një seancë paraprake ku shqyrtoi kërkesën e SPAK për të marrë të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe vendosi që çështjen ta kalojë për gjykim. Avokati i familjes Durdaj, kërkoi që në gjykim të jenë të pranishëm edhe familjarët e viktimave. “Dosja nuk është ende e plotë. Ky proces do të jetë me pjesëmarrjen e familjarëve, nuk ka për të shkuar dot para pa praninë e tyre dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe”, u shpreh avokati Matlija. Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorimi detyre në bazë të Kodit Penal dhe shpërdorim detyre në bazë të Kodit Ushtarak. Avokatët e tij pretendojnë që procesi nuk mund të kryhet për shkak të parashkrimit të veprave penale, duke pretenduar se ish-ministri po goditet politikisht.
