Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Ligjin për Çmimet Tavan si jokushtetues me arsyetimin se ndërhynte në ekonominë e tregut të lirë. Sipas tij, rrëzimi i ligjit u bë për t’iu favorizuar disa tregtarëve që përfitonin nga abuzimi me çmimet. Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, ka dhënë një shpjegim më të gjerë mbi vendimin. Ajo sqaroi se Kushtetuta e Kosovës kërkon që rregullimi i tregut të bëhet përmes organeve të pavarura, gjë që ky ligj nuk e kishte respektuar. Për më tepër, ajo theksoi se ligji krijonte paqartësi juridike duke përcaktuar mekanizma të ndërhyrjes në treg në mënyrë të dyfishtë, pa harmonizim me ligjet ekzistuese.