Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me gjithsej 82 vjet burgim shtatë të akuzuarit për tentim-vrasje të liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, më 27 prill të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë. Nikolla Vojmovski është dënuar me 13 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa me nga 13 vjet Kire Georgievski dhe Aleksandar Janevski-Toshta. Me nga 10 vjet burgim janë dënuar Andrej Micov, Nikollce Dimitrievski, Oliver Oshakovski dhe Kosta Dellov, raporton “REL”. “Të akuzuarit ditën kritike më 27 prill, pas ndërhyrjes së dhunshme në Kuvend me paramendim kishin tentuar të likuidojnë Ziadin Selën. Të gjithë të akuzuarit kishin role të veçanta… vepra është e rëndë edhe për faktin se sulmi është bërë ndaj institucionit ligjvënës, përkatësisht Ziadin Selës, i cili në momentin e sulmit ishte në vendin e punës”, ka deklaruar gjykatësja Sllavica Andreevska. Prokurori i lëndës ka kërkuar që të gjithë të dënuarve t’iu vazhdohet paraburgimi deri sa vendimet të bëhen të plotfuqishme, pasi pala mbrojtëse ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …