Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj ka folur para Panelit të Apelit, të Gjykatës Speciale në Hagë dhe ka kërkuar lirim nga aktakuza si dhe kërkim-falje nga prokuroria e Speciales. Haradinaj ka thënë se ai dhe Hysni Gucati kanë sinjalizuar për rrjedhje të dokumenteve që pretendohet të jenë të Zyrës së Prokurorit të Gjykatës Specale, derisa ka kërkuar zbardhje të tërësishme të rastit për arritjen e tyre në zyrat e organizatës. Ai ka kërkuar që asgjë në këtë çështje të mos mbetet mister por të sqarohet se si rrodhën dokumentet, kush e nxori dokumentacionin dhe kush i dërgoi ato në zyrat e organizatës. Zotëri prokuror Holing, nëse jeni i sinqertë e pranoni që eprori juaj Uajting pak më parë tha një gënjeshtër të madhe, që nuk ka pikëpyetje, këtu ka shumë pikëpyetje e disa pika habitore. Ne duam patjetër të zbardhet këtu, sepse kur të zbardhen, del se ne personalisht nuk na lidhë asgjë me kryesit e kësaj vepre, andaj ne duhet të lirohemi tërësisht nga aktakuza dhe prokurori të kërkojë falje për sjelljet abuzive, poshtëruese, të pamoralshme dhe të pajustifikuara në baza juridike e njerëzore”, ka thënë Nasim Haradinaj para Apelit të Gjykatës Speciale.
