Gjykata Speciale, në Hagë, ka bërë të ditur se më 10 shtator, trupi gjykues ka pranuar si prova dëshmitë me materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve, në çështjen gjyqësore kundër krerëve të UÇK-së. Po ashtu, trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit, raporton “Betimi për Drejtësi”. Veç kësaj, më 5 shtator, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e prokurorisë për të lejuar pranimin në prova të disa pjesëve të dëshmisë me shkrim të një dëshmitari dhe për ta lejuar atë të dëshmojë nëpërmjet video-konferencës, pasi është më e favorshme për mirëqenien e dëshmitarit dhe ndihmon në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor, është thënë në njoftimin e Gjykatës Speciale. Trupi gjykues u bind se dhënia e dëshmisë prej tyre nëpërmjet video-konferencës nuk do t’u shkaktojë dëm të akuzuarve dhe kjo është në përputhje me mbrojtjen e efektshme të të drejtave të tyre.
Kontrolloni gjithashtu
Edita Tahiri: Sulmi në Banjskë, pjesë e skenarit të Serbisë për destabilizimin e veriut
Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka komentuar zhvillimet dhe prapaskenat pas sulmit në Banjskë. …