Gjykata Themelore në Pejë, ka shqiptuar aktgjykimin lirues kundër ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 35 të pandehurve tjerë, të cilët akuzoheshin për korrupsion me tenderë në Komunën e Gjilanit në bashkëpunim me operatorët ekonomikë. Aktgjykimi u shpall sot nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi“. Sipas gjykatëses, provat e nxjerra, respektivisht përgjimet e nxjerra në bazë të urdhëresës së Gjykatës së Qarkut, ishin nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe se mungonte kërkesa e prokurorisë për lëshimin e urdhëresës për masat e fshehta të përgjimit. E njëjta shtoi se zbatimi i masës së fshehtë pa kërkesë të prokurorisë, është i paligjshëm. Kurse, tha se provat e mbetura pa përgjime, nuk i formojnë elementet e veprës penale. Tutje, gjykatësja tha se Prokuroria Speciale nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale, e cila iu ngarkohej.