Gjykata Themelore në Prishtinë, ka dënuar milicin, Muhamet Alidemajn me 15 vjet burg për krime lufte mbi popullatën civile në Izbicë. Në kohëzgjatjen e dënimit do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 31.03.2021 e tutje. Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më tepër se dënimi i shqiptuar. Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 — 11 qershor 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, me dashje dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kishte shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre. Më 28 mars 1999 në fshatin Izbicë, në orët e hershme të mëngjesit, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe zbritën nga mali në drejtim të fshatit, shkuan te vendi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, fillimisht i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12-vjeç nga turma dhe nën kërcënimin e armëve i detyruan të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa burrat e mbetur i ndanë dhe i ekzekutuan me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan.
Po ashtu, i akuzuari së bashku me pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor, cenimin e integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosja, grabitja dhe shkatërrimi i pasurisë civile, ashtu që me të hyrë në Izbicë, fillimisht i detyruan me dhunë civilët shqiptarë të largoheshin nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e armëve dhe i grumbulluan në një livadh në mes të fshatit, pastaj filluan djegien dhe shkatërrimin e të gjitha shtëpive të fshatit, me ç’rast i akuzuari së bashku me katër persona të paidentifikuar, shkuan te shtëpia e të dëmtuarit A.O, e thirrën bashkëshorten e tij që të dalë nga turma e njerëzve ku ishin grumbulluar dhe të shkonte te shtëpia e saj.
Me të arritur e dëmtuara në shtëpinë e saj, i akuzuari nën kërcënimin e armës ia merr 500 marka të dëmtuarit A.O., ndërsa të dëmtuarën nën kërcënimin e armës e detyron që së bashku ta kontrollojnë shtëpinë. Në momentin kur Xh.O. refuzon të del në katin e dytë të shtëpisë, i pandehuri e godet me shuplakë në fytyrë te dera e shtëpisë dhe e urdhëruan që të shkojë te turma e civilëve të grumbulluar në livadh.
Në largim e sipër e dëmtuara e sheh që të gjitha shtëpitë e fshatit po digjeshin nga zjarri, pastaj një grup i forcave policore ushtarake serbe ku bënë pjesë edhe i pandehuri shkon te popullsia civile dhe nën kërcënimin e armëve iu plaçkitën të gjitha sendet personale me vlerë dhe paratë.
Disa burra u sulmuan brutalisht dhe pësuan plagë të rënda nga sulmi i dhunshëm, ndërsa gratë dhe fëmijët nën kërcënimin e armëve u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të nisen drejt Klinës duke i urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.