Refuzohet ankesa e Prokurorisë në rastin e Murat Mehës dhe dy të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare Gjykata e Apelit ka mbështetur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për hedhje të aktakuzës ndaj tre të akuzuarve për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”. Arbër Jashari nga Gjykata e Apelit të Kosovës ka thënë se Apeli e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në rastin e të akuzuarve Murat Meha, Ismet Kryeziu dhe Nemanja Spasiq, për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq në njoftimin nga Apeli, thuhet se e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 31.07.2017, sipas të cilit aktakuza ndaj tyre është hedhur, konform dispozitës 253 të Kodit të Procedurës Penale dhe është pushuar procedura në këtë çështje.
