Gjykatësi paraprak, Nicolas Guiju, ka marrë vendim, me anë të së cilit ia ka vazhduar masën e paraburgimit Pjetër Shalës, i cili nga Prokuroria e Gjykatës Speciale akuzohet për gjoja krime lufte. Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka ardhur në përfundim se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Shala do të arratiset, do ta pengojë progresin e procedurave ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që i kanë ofruar dëshmi Prokurorisë. Luftëtari i lirisë, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars të vitit 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit të Prokurorisë Speciale. Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
