Srebrenica

Google: Srebrenica është gënjeshtër!

Në shfletuesin më të njohur të kërkimeve në internet, në disa gjuhë të botës, mohohet fakti që forcat serbe kanë kryer gjenocid kundër popullatës myslimane në Bosnje e Hercegovinë.  Radio-Evropa e Lirë bën të ditur se kur të hyni në një librari për të blerë një libër për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës,  titulli i parë që shihni është: “Srebrenica është gënjeshtër”. Dhe, ai nuk është i vetmi. Gjashtë ose shtatë titujt tjerë në raft janë të ngjashëm. Çfarë do të mendonit? Kaloni nga një dyqan i ndërtuar me tulla e lloç tek interneti… dhe është pothuajse e njëjta gjë. Kjo është shqetësuese, pasi njerëzit sot, kur kërkojnë informacione, rrallë marrin një libër, por hapin Google, ose YouTube, ose burime të tjera në mediat sociale. Në Bosnje, të rinjtë e moshës 18 deri në 30 vjeç mbështeten në informacionet e mbledhura në rrjetet e mediave online dhe sociale, tregon një sondazh i vitit të kaluar, i realizuar nga Mediacentar Sarajevo. Kjo e fundit është një organizatë joqeveritare, që mbështet dhe ndihmon zhvillimin e mediave të pavarura në Bosnje.

Kur Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka kontaktuar Google, duke ia vënë në dukje këtë, kompania ka ndërmarrë veprime për ta hequr përmbajtjen që e mohon gjenocidin në Srebrenicë. Megjithatë, kjo duket se zbatohet vetëm për rezultatet e kërkimit në gjuhën angleze në Google. Kërkimet për gjenocidin e Srebrenicës në gjuhë të tjera vazhdojnë të nxjerrin dezinformata. Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë të Bosnjës janë mbledhur dhe janë vrarë nga forcat serbe pranë qytetit lindor të Srebrenicës. Ka qenë kjo vrasja më e rëndë masive në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Masakra në Srebrenicë është cilësuar si gjenocid edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Ratko Mlladiq, dhe ish-udhëheqësi politik i serbëve në Bosnje, Radovan Karaxhiq, janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, për shkak të roleve të tyre në gjenocidin e Srebrenicës. Zyrtarët serbë mohojnë se forcat serbe kanë kryer gjenocid. Për Qeverinë në Serbi, ky është një “krim i tmerrshëm”, ka thënë presidenti Aleksandar Vuçiq në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, qershorin e vitit të kaluar. ( Radio-Evropa e Lirë)

Kontrolloni gjithashtu

Agjencia e Statistikave

ASK ka publikuar raportin për tregtinë e mallrave për muajin tetor, import 580.4 milionë, eksport vetëm 87.3 milionë euro

Agjencia e Statistikave të K9s9vës ka publikuar raportin për tregtinë e mallrave për muajin e …