Mbrojtja e ish-kryetarit të Kosovës Hashim Thaçi në Hagë po vazhdon të insistojë që nëntë dëshmitarë të saj kryesisht të moshuar, të dëgjohen para se të nis çështja e prokurorisë në Gjykatën Speciale. Në një parashtresë, avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, ka listuar arsyet pse po e kërkon një gjë të tillë. Faktorët kryesorë pse kjo kërkesë duhet të pranohet, sipas mbrojtjes janë mosha e shtyrë e dëshmitarëve si dhe koha e parashikuar kur do të fillojë çështjen e saj. Në këtë kontekst, sipas avokatit Keohe, ekziston rreziku që dëshmitarët të mos jenë gjallë kur gjykimi është në fazën e paraqitjes së çështjes së mbrojtjes. Mbrojtja e Thaçit ka kërkuar që dëshmitarët, që gjithsej janë nëntë në moshë të shtyrë të dëgjohen në sallën e gjyqit gjatë muajit të ardhshëm. Një prej tyre, është i gatshëm që dëshminë e tij ta jap në muajin prill.
