Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka përshëndetur vendimin e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar dialogun. Biden kritikon administratën Trump se “nuk ka arritur të bashkërendojë me emisarët evropianë, të cilët kanë ndërmjetësuar dialogun mes dy vendeve për afro një dekadë” gjatë planifikimit të takimit të qershorit në Shtëpinë e Bardhë. Përfaqësuesi i Trumpit në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell reagoi menjëherë ndaj deklaratës duke e akuzuar zotin Biden se po e politizon procesin e dialogut mes dy vendeve. Ai në një seri postimesh, garanton “se asgjë nuk do të avancojë para zgjedhjeve të nëntorit dhe se populli i Kosovës dhe Serbisë do të detyrohen të presin përsëri që të mos përdoren nga politikanët”. “Në dallim nga taktika e llafeve pa vepra e Biden-it,” shprehet më tej zoti Grenell, “administrata Trump është e përqëndruar tek hedhja e hapave të parë të rëndësishëm të normalizimit ekonomik mes dy vendeve”. Ai përmend marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor e rrugor mes dy vendeve të arritura me angazhimin amerikan si shembull se administrata Trump ka arritur “rezultate të dëshiruara prej kohësh dhe Joe Biden vetëm vazhdon e flet, ashtu siç ka bërë për 40 vjet në Uashington”.
Kontrolloni gjithashtu
Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …