Greqia po luan me “Fillin e Arianës”

Tashmë është bërë një ritual i zakonshëm media, që opinioni shqiptar të informohet herë pas here me situatën e marrëdhënieve midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, por kurrsesi nuk do të besonim se ky familjarizim do të arrijë të zbusë mendimin mbi gjërat e frikshme që u shkojnë njerëzve për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Ka mjaft arsye të gjykojmë kështu, po të kemi parasysh se heshtja dhe reagimet kanë në mes tyre dinakërinë greke, e cila nuk ngurron të shfaqet edhe sot, si një simptomë historike tradicionale, që e ka bërë politikën greke të tillë që në lashtësitë e saj.
Thonë se një herë breshkës i hipi në kokë të fluturojë dhe për këtë ju lut shqiponjës ta ngrinte lartë. Dhe ashtu u bë. Breshka u mahnit nga bukuritë e lartësisë dhe harroi se nuk kishte krahë të fluturonte dhe i kërkoi shqiponjës që ta lëshonte. Kur shqiponja e lëshoi breshka ra në tokë dhe u bë copa-copa. Të shkretës breshkë, ju duk vetja se ishte në përrallë dhe harroi se lartësitë i takonin shqiponjës dhe jo asaj! 
Njerëzit në nevojë kanë kuptuar tashmë, se jeta nuk është përrallë, veç në jetën tonë ndodhin gjëra të pabesueshme që ngjajnë me to, e megjithatë, ka edhe shumë të tillë në ditët e sotme që kanë filluar t’i duan përrallat, por nuk duan që jeta e tyre të ndërtohet si në përrallë. I dëshirojnë, por dhe nuk i duan!! Ato sot janë therëse dhe sa më shumë të jenë të tilla, aq më shumë jeta e njerëzve që e duan lirinë dhe drejtësinë do të kërkojë të ndryshojë. Kjo është e nevojshme sot për të gjithë kombet që jetojnë në Ballkan, për të qenë larg “miteve” që kanë dominuar jetën e tyre.
Dhe këtë radhë syri na shkon në bashkëjetesën e dy kombeve të lashtë në Ballkan, midis të cilëve sot shohim një marrëdhënie të nderë në hapësirën e tyre të jetesës. Ato, hera-herës pësojnë luhatjet e tyre për shkak të veprimit të qarqeve të dyshimta, që i fryjnë me zell ashpërsimit të tyre nëpërmjet tendencave aneksioniste, veçanërisht në dëm të shqiptarëve. Vetë politika dhe inteligjenca greke sot nuk arrijnë të besojnë se po vjen një kohë që duhet të godasin vesin e keq të një politike dinake ultranacionaliste, e cila e ka pikënisjen e saj nga kontributi i shqiptarëve në fillimet e shtetit modern grek. Një pikënisje historike që i ka të gjitha shanset për t’i hapur rrugën virtyteve njerëzore e qytetare të marrëdhënieve të mira dhe bashkëjetesës. Këtu fillon dilema e dinakërisë greke, e cila duke mos pranuar se shqiponja ilirike i dha krahë dhe nuk e la të përplaset në tokë, sot investon maksimalisht që ajo të mbulohet nga pluhuri i harresës. Sot në përrallat ballkanike flasin kafshët që të mësojnë “me gjuhën e tyre” njerëzit.
Ezopi grek është simboli i vetëm i mesazhit historik, se “zotat” janë atje lart dhe duhen dëgjuar, edhe kur flasin me gjuhën e kafshëve. Këtë po e shohim të veprojë, por nuk bindemi akoma për sa kohë do të besojmë se në jetë po ndodh e kundërta, flasin njerëzit që të mësojnë kafshët. Çfarë kanë ato të përbashkët me realitetin njerëzor? Atëherë të mësojmë nga përrallat që të mos lejojmë që jeta jonë të bëhet një përrallë, që ta tregojnë të tjerët më pas.
Ka kaluar pa sensacionin e zakonshëm njoftimi mbi mbajtjen e kongresit “panvorioepirot” në Janinë dhe vizitën e antishqiptarit të deklaruar, Nikolas Geixh në Shqipërinë e Jugut, në “takimet” e tij me minoritetin grek në Shqipëri. Nën rendin kushtetues grek zhvillohet një kongres i përvitshëm, i cili duhet shpjeguar për përmbajtjen e synimeve të tij përballë absurditetit të deklarimeve të politikës zyrtare greke ndaj segmenteve të tilla ultranacionaliste, që i fryjnë pa pushim destabilitetit në rajonin ballkanik. 
Me sa duket teoria arkaike e “megalidhesë” dhe synimet helene për “voriepirin” janë një dashuri e zjarrtë e politikës zyrtare greke, përderisa ajo lejon dhe nuk distancohet nga vepritari të tilla politike, që dhunojnë marrëdhëniet midis dy vendeve në rajon. Është keq kur në një shtëpi minjtë mund të bëjnë gjithçka duke mos e përfillur maçokun. Çfarë synojnë aktivistët “panvorioepirotë” grekë?! Këtë më mirë se kushdo duhet ta shpjegojë vetë politika zyrtare greke, e cila bën të paditurën për të gjithë veprimtaritë që zhvillohen nën hundën e saj në dëm të interesave shqiptare në Ballkan. Kjo veprimtari me përmbajtje ultranacionaliste zhvillohet pak kohë pas veprimtarisë së popullsisë Çame në Qaf Botë, në përkujtim të masakrimit të popullsisë shqiptare të Çamërisë 62 vjet më parë nga bandat zerviste. Përballë kurorave me lule dhe qirinjve të ndezur të njerëzve paqësorë, në vijën e kufirit nuk ngurruan të shfaqen ushtarët e armatosur, duke bërë karshillëk ndaj një popullsie që kërkon të drejtën e saj, dhe se fundi kongresi “panvorioepirot”, qu u kujton çamëve dhe Shqipërisë se ne jemi këtu për të luftuar për “Vorioepirin” dhe se, “çështja çame nuk ekziston”!! 
Edhe sot në kohët moderne pinjollët e tyre i kanë të qarta porositë dhe amanetet e të parëve. Ata janë po kaq agresivë sa të parët e tyre. Ata janë po aq dinakë dhe mashtrues me vlerat e klimës së demokracisë sa të parët e tyre. Ata janë po aq të dhunshëm, shpifës, agresorë, ëndërrimtarë dhe ultranacionalistë të tërbuar, sa të parët e tyre. Kush i ka harruar këto? Populli shqiptar e thotë bukur fjalën e tij; “ujku qimen e ndërron por zakonin se harron”. Shikoni se çfarë ndodh në një vend “demokratik”, anëtar të NATO-s dhe të BE-së, siç është Greqia. Ndërhyrja në punët e brendshme të shtetit shqiptar prej funksionarëve grekë, si në rastin e zhvarrimeve në Përmet, të cilët vrapuan për t’i dalë në mbrojtje priftit varrmihës, hedhja në qarkullim e kartës së “dy nënshtetësisë” për emigrantët shqiptarë, qëndrimi arrogant e përbuzës i Hirësisë së Tij, Janullatos, përballë reagimeve të drejta të intelektualëve shqiptarë për bëmat në emër të kishës që ai drejton, deklarimet e zotit Ceka për dhunimin e ligjeve shqiptare nga kompanitë celulare greke që operojnë në Shqipëri, hapja e shkollave greke të pa licencuara, tendenca për të konturuar jugun e Shqipërisë si “multietnik”, joshja me pensione greke të njerëzve në nevojë, qëndrimi ksenofob ndaj emigracionit shqiptar etj. nuk i trondit aspak politikanët shqiptar, por ata vazhdojnë të merren me “minjtë që hanë karrike”, me letrën e Ilirit për Fatosin, me poturet e Edi Ramës, me humorin e “hollë” të Sali Berishës dhe me sherriadën Kadare – Qose, duke lënë të lirë “djemtë e mirë të vorioepirt” të livadhisin në lëmshin e politikës shqiptare! Askush nuk kujdeset për mbështetjen dhe amplifikimin e reagimit të intelektualëve shqiptarë, të cilët çdo ditë e më shumë, hapur në opinion po nxjerrin në dritë të vërtetat që ekzistojnë në marrëdhëniet midis dy shteteve.
Ka të tillë në Parlamentin Shqiptar që vihen në hall se si do t’ja bëjnë për të mbyllur problemet që hapen publikisht në lidhje me marrëdhëniet midis dy shteteve dhe për qëndrimin e Janullatosit në Shqipëri. Pakënaqësia e disa deputetëve socialistë ndaj problemeve të ngritura nga zoti Brokaj nuk duan komente.
Në tërësinë e këtyre marrëdhënieve jo pak është përfolur edhe çështja çame, e cila për shtetin grek “nuk ekziston”. Sido që sillet politika zyrtarë greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, ajo nuk po e kupton akoma se ka filluar të luajë me “Fillin e Arianës”, dhe një ditë do ta ndjejë se gjithçka që bën sot në dëm të kombeve të tjerë, nesër do t’i kthehet mbrapsht. Është kuptuar se “ka shumë arsye” që Greqia mban një qëndrim të tillë. Nuk na duket e çuditshme edhe antiamerikanizmi i tyre, mosnjohja e çështjes çame, e popullsisë maqedone në veri të saj, mosnjohja e problemit të pronave dhe në tërësi e pasurive të të huajve në Greqi (përfshi edhe ato të njerëzve me shtetësi amerikane), mospranimi i problemit hebre, kur vetën në Selanik kanë jetuar mbi 250 mijë të tillë, dhe dihet se çfarë ka ngjarë me ta në Luftën e Dytë Botërore e këtej, problemi “Qipro”, i vetmi shtet në Evropë pa një xhami për popullsinë e besimit mysliman, etj. Kjo nuk është e thjeshtë për Greqinë, e cila meqë në historinë e saj është shtrirë në veri dhe në perëndim me dhunë, dhe ka tentuar të asimilojë brenda vetes të gjitha kombësitë e aneksuara padrejtësisht, ka zgjedhur sot metodën e mbrojtjes nëpërmjet sulmit. 
Duke mos dashur të bëjmë një përmbledhje të skandaleve të fundit të pranishme në mjedisin shqiptar me protagonisë qarqe të caktuara të mbështetura nga politika zyrtare greke, vërejmë me shqetësim se politika shqiptare duke mos dal dot nga bataku moral politik, nuk arrin të shikojë, ose nuk dëshiron të shikojë se fqinjët janë duke kryer shkallë-shkallë në rrugë religjioze dhe ekonomike një uzurpim të traditave dhe vlerave tona të pamohueshme kombëtare, të cilat janë realizuar me lumenj gjaku. Askush nuk ka të drejtë të heshtë përballë shkeljes së të drejtave të reciproritetit, edhe atëherë kur rrezikohen elementët e sigurisë kombëtare, edhe atëherë kur funksionarë grekë fusin hundët në punët e strukturave të shtetit shqiptar, edhe atëherë kur një prift meshon në gjuhën greke, edhe atëherë kur një kryetar bashkie vendos lidhje me pushtetin e matanë kufirit, edhe kur një shkollë greke hapet në kundërshtim me rregullat e shtetit shqiptar, edhe kur një prift grek, aksidentalisht në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, fut hundët në politikë dhe tenton përditë të grabisë vlerat e kulturës sonë kombëtare, edhe atëherë……
Qëndrimi grek ndaj Shqipërisë do të meritojë përherë vëmendje, përsa ngjarjet e hidhura në marrëdhëniet midis dy vendeve do të jenë të pranishme në çdo kohë. Do të vijë një ditë që fija e “Lëmshit të Arianës “ do ta ngatërrojë keq politikën greke, por deri atëherë…. Hipokrizia në politikën greke, veçanërisht ndaj kombit shqiptar, do të mbetet një kapitull i hapur, që do të shërbejë në të ardhmen për shumë individë, politologë shqiptarë dhe grekë, në fushën e marrjes së gradave të tyre shkencore.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …