Pak pasi ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, iu kërcënua Shqipërisë por edhe Turqisë, qarqe të caktuara antishqiptare janë vënë në veprim. Mediet në Shqipëri kanë botuar një foto ku dallohet flamuri grek i ngritur mbi kalanë e Himarës, pikërisht në pjesën më të dukshme të saj për vizitorët e turistët. Ndërkohë në aksin rrugor kombëtar Tepelenë-Gjirokastër është shkruar parulla për “Vorio-Epirin”. E përditshmja greke “Stohos” është hapur me një kryeartikull ku i bën thirrje autoriteteve qeveritare të dëbojnë të gjithë emigrantët shqiptarët, që sipas shkrimit janë “kolona e pestë e Turqisë në Greqi”. Me anë të një fotomontazhi provokues, “Stohos” e ka përafruar flamurin tonë kombëtar me atë të Turqisë duke vendosur përballë një ushtar grek të acaruar që i gjuan me plumba.
Të gjitha këto reagime kanë nisur pa u mbushur as 24 orë nga deklaratat provokuese të ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos. I pranishëm në garnizonin ushtarak kufitar në Molivdoskepasti, në kufi me Shqipërinë, i veshur me kamuflazh dhe në praninë e gjeneralëve më të lartë të ushtrisë greke, Kammenos ka folur prerë duke paralajmëruar Tiranën se “Greqia nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”. Kurse kreu i PBDNJ-së, Vangjel Duke, ka reaguar ditën e sotme në lidhje me disa deklarata të bëra nga ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos dhe ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po tenton që të zbeh rolin e Greqisë, duke shtuar se ajo është avokate e Shqipërisë për në NATO dhe BE.