Grupi përfaqësues i fëmijëve “Respect Our Rights” – ROR kërkon nga Ministria e Arsimit,
Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), që të veprojnë në mënyrë urgjente për
të shmangur një grevë të përgjithshme në arsim.
Ne grupi i fëmijëve “Respect Our Rights – ROR” shprehim shqetësim të madh për situatën e krijuar
në arsim, si pasojë e vonesave në miratimin e Ligjit për Paga dhe vendimit të Sindikatës së
Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBAShK) për grevë të përgjithshme në të gjitha
institucionet edukativo-arsimore në Kosovë.
Ne si zë përfaqësues i fëmijëve në Kosovë, vlerësojmëse një grevë e përgjithshme në arsim ndikon
negativisht te ne. Fillimisht, greva na mohon ne fëmijëve të drejtën për arsim, të garantuar nga
Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare. Greva, gjithashtu, ndikon
negativisht në shëndetin mendor dhe psikologjinë tonë si fëmijë. Ajo na pamundëson të kthehemi
në shkolla në datën standarde – 1 shtator, ndërsa u pengon fëmijëve edhe më të vegjël, në arsimin
e hershëm, që të vijojnë me procesin e shoqërimit dhe mësimit bazik në çerdhe.
Duke marrë si precedent rastet e mëparshme të humbjes së ditëve të mësimit si pasojë e veprimeve
sindikale, shkollat pritet të zëvendësojnë orët e humbura gjatë ditëve të fundjavës, duke shkaktuar
mbilodhje dhe stërngarkim te ne si nxënës, gjë që ndikon në cilësinë e mësimnxënies. MAShTI ka
detyrim ligjor-kushtetues që t’u garantojë fëmijëve shkollim efektiv dhe cilësor, andaj ne presim
që ky detyrim të përmbushet, në përputhje me normat dhe afatet standarde arsimore.
Ne u bëjmë thirrje MAShTI-t dhe SBAShK-ut që të angazhohen në dialog social për të zgjidhur
këtë çështje, dhe jo të na dënojnë neve për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre. ROR gjithashtu
thekson se mban qëndrim neutral sa i përket diskutimeve për Ligjin e Pagave dhe kërkesave të
SBAShK; dhe u apelon të gjithë mësimdhënësve që të mendojnë për të mirën e përgjithshme, dhe
në veçanti për nxënësit.
Sinqerisht,
Grupi ROR
Kontakti: 049733979 & 045693339