(GSH)Fatjona Mejdini: Intervistë me ish-ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Sabit Brokaj

Ish-funksionari i lartë i socialistëve, Sabit Brokaj, aktualisht pjesë e Këshillit të të Urtëve në PS, flet për sfidat që duhet të përballojë opozita një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Brokaj i fton aleatët e PS-së të mos bëjnë presion mbi këtë parti, por së bashku të kërkojnë me ngulm nga PD-ja ndryshimin e sistemit zgjedhor. Nga ana tjetër, Brokaj deklaron se PS-ja nuk duhet të lërë pas dorë aleancat, duke mos nënvlerësuar LSI-në, por edhe dy partitë e reja që kanë dalë në skenën politike. Brokaj flet dhe për pjesëmarrjen e tij në Këshillin e të Urtëve në PS, duke e quajtur këtë organ konsultativ si një vend të duhur për të folur hapur në lidhje me aksionin e socialistëve. Duke mos rënë dakord me qëndrimin dyshues së ish-kryeparlamentarit,  Servet Pëllumbi për këtë strukturë, Brokaj thekson se është shumë shpejt për të dalë në konkluzione të tilla.>>>

Vendin e ndan vetëm një vit nga nisja e procesit elektoral për qeverinë qendrore, kohë e përshtatshme kjo për krijimin e koalicioneve zgjedhore. Por duket se në këtë moment Partia Socialiste ka një marrëdhënie tejet të acaruar me aleatët e saj tradicionalë, si pasojë e kërkesave të tyre për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Si e shikoni këtë situatë dhe çfarë ndikimi mund të kenë këto debate në vitin 2013?

Situata në jetën politike të PS-së ka karakteristikat e një situate parazgjedhore, ku partia po përgatitet për procesin e ardhshëm elektoral. Kryesisht po punohet me programin, me konsolidimin organizativ që konsiston në shtimin e radhëve të PS-së. Momenti tjetër që duket se është delikat në këto ditë, është ai i krijimit të aleancave parazgjedhore dhe debati ka lindur për shkak të pretendimeve të aleatëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Në forumin brenda PS-së, ku unë bëj pjesë dhe që quhet Këshilli i të Urtëve, kryetari i PS-së, Edi Rama, është shprehur për ndryshimin në Kodin Zgjedhor dhe korrektimin kombëtar. Kjo kërkesë, që bëhet nga aleatët dhe është shumë e arsyeshme, sepse në thelb synon barazinë e votës, është edhe në favor të vetë Partisë Socialiste. Faktikisht PS-në e ka dëmtuar sistemi pa korrektim kombëtar dhe ndryshimi i kësaj situate është në interesin e vetë PS-së. Pra ka një përputhje interesash objektivisht të PS-së me aleatët e saj. Kjo është pohuar publikisht edhe nga Edi Rama. Por tani dëgjoj se aleatët kanë pretendime lidhur me përpjekjet e PS-së për ta realizuar këtë synim. Nuk mund të them që këto qëndrime i quaj plotësisht korrekte, për arsye se në qoftë se PS-ja thotë ne e duam korrektimin, por kjo varet edhe nga Berisha, kjo është normale, sepse PD-ja ka veto në këtë komision. Nëse Rama angazhohet në emër të PS-së se kjo do të bëhet patjetër, që të bëhet duhet që aleatët të mos merren me PS-në, kur veprimi i tyre duhet të jetë sinkron me socialistët ndaj PD-së. Pra jo të bëhet presion mbi PS-në, në lidhje me atë që është vetë në interesin e kësaj partie, por këta si bllok duhet të bëjnë presion mbi PD-në.

Në skenën politike shqiptare këto vitet e fundit, Lëvizja Socialiste për Integrim ka pasur vendin e saj. Mendoni se PS-ja duhet ta mendojë seriozisht një aleancë me këtë parti në zgjedhjet e ardhshme, apo mendoni se pa këtë parti socialistët arrijnë t’i fitojnë më mirë zgjedhjet?

Në princip, në rast se një parti arrin ta realizojë e vetme fitoren, atëherë sigurisht është mirë që t’i fitojë zgjedhjet e vetme. Por kur nuk e realizon dot fitoren vetë dhe synimi i luftës politike është të arrish fitoren, këtu fillojnë operacionet politike të koalicioneve, aleancave etj. A mund të bëhet konkretisht me LSI-në koalicion? Unë jam shprehur përpara se të ndodhnin disa ngjarje, se kjo gjë ishte plotësisht e mundshme. Zhvillimet e mëvonshme e kanë bërë të vështirë këtë lidhje, edhe për faktin se kontributi që jep LSI-ja në dobi të qeverisjes së dështuar të Berishës është i madh. Nga ana tjetër, ka një mendim që nuk është irracional, që cilido koalicion përligjet vetëm që Berisha të ikë nga qeverisja. Por nuk duhet të harrohet fakti se kjo lidhje duket e vështirë edhe për qëndrimin që mban LSI-ja ndaj vetë PS-së. Por për ta mbyllur këtë përgjigje të vështirë, do të thosha që cilido veprim politik që sjell ndryshimin në Shqipëri, duhet pranuar dhe arsyetimi këtu duhet bazuar.

Në këtë kuadër, a e konsideroni normale futjen e PS-së në zgjedhje në koalicion me dy parti, të cilat janë në krijim e sipër në vend dhe që drejtohen nga figura që kanë mbështetur në të shkuarën PD-në? Po flas këtu për Aleancën Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut dhe partinë e re të së djathtës, që me shumë gjasa do të drejtohet nga ish-deputeti demokrat Gazmend Oketa…

Unë nuk e përjashtoj këtë. Pavarësisht se Spahiu si person ka qenë i djathtë, në Shqipëri e djathta dhe e majta janë ngatërruar shumë. Unë nuk e di se sa të djathtë janë brenda PD-së? Po kështu ka në PS dhe njerëz që s’janë të majtë fare dhe në këtë kuadër nuk jam njeri që besoj shumë në pozicionim fillestar politik. Gjykoj se kjo aleancë duhet të bazohet mbi përmbajtje konkrete, siç janë programet e partive. Përfundimisht mund të them se nuk e përjashtoj një lidhje të tillë. Mund të shtoj këtu se personalisht mendoj se koalicione parazgjedhore nuk duhet të kishte, madje kjo gjë e ka bërë të vështirë politikën shqiptare. Gara për mendimin tim duhet të bëhet e vetme dhe më pas le të bëhen llogaritë. Të kuptohet pesha e çdo partie, në mënyrë që të kuptohet mirë se kush janë ato forca politike që vlejnë të drejtojnë vendin.

  1. Brokaj, kolegu juaj në forumin konsultativ të PS-së, Servet Pëllumbi, ka shprehur rezerva të mëdha për Këshillin e të Urtëve, duke folur dhe për largimin nga kjo strukturë. Cila është eksperienca juaj në këtë këshill të ngritur së fundmi nga lidershipi i PS-së?

E vërteta është që unë kam munguar në dy nga mbledhjet, kështu që jam ende me përshtypjet e pothuajse një takimi e gjysmë. Nga përshtypja që kam, e vlerësoj pozitivisht këtë nismë, në kuptimin që aty ne kemi shprehur lirisht dhe pa asnjë pengesë qëndrimet tona. Ndërkaq këto qëndrime janë pranuar pa asnjë kontestim nga Rama, apo edhe nga kolegë të tjerë. Mendimet kanë qenë shumë të hapura dhe jam i qëndrimit se në tavolinë ose jashtë saj ka dalë një vendim disi më i konsoliduar. Është shumë shpejt të ngresh konkluzione për një strukturë këshillimore. Edhe për strukturat e rëndësishme ekzekutive që marrin vendime do të ishte e vështirë të diskutohej për efikasitet për kaq pak mbledhje që janë kryer. Ne duhet të kuptojmë faktin se kjo strukturë është këshillimore dhe zhvillimi politik në Shqipëri nuk varet nga një qëndrim i prerë i Ramës ose i PS-së, kur ai veprim është i varur nga shumë faktorë të tjerë. Mendoj se një konkluzion i tillë është i parakohshëm. Po kështu mendoj se Rama dhe Asambleja e PS-së që menduan për ngritjen e një strukture të tillë e kanë parë në mënyrë objektive, cerebrale dhe jo emocionale këtë organizëm.

Në axhendën kryesore të politikës pritet të vendoset së shpejti edhe çështja e presidentit të ri. Mendoni se socialistët kanë të drejtë të kërkojnë një president konsensual në një kohë kur bashkë me demokratët vendosën që kreun e shtetit ta zgjidhnin në fund të procesit dhe me një shumicë të thjeshtë parlamentare?

Ka diskutime për këtë gjë. Njëra anë është ajo që thatë ju, që derisa e ke pranuar ta zgjedhësh presidentin me një shumicë të thjeshtë, atëherë duhet ta pranosh këtë fakt. Dua të theksoj këtu se ndryshimet e Kushtetutës mes PS-së dhe PD-së për këtë çështje kanë sjellë shumë problematika. Por ka dhe një anë tjetër çështja. Duke qenë se fitorja e shumicës, apo e së djathtës, realisht është një fitore e vjedhur. Kjo vjedhje bëri që PD-ja të rrinte përsëri në pushtet, u bë më publike edhe në zgjedhjet e shkuara lokale. Në këto kushte është e drejta e PS-së të kërkojë një president konsensual. Ishte e drejta gjithashtu e PD-së që në vitin 2002 të kërkonte një president me konsensus. Pse atëherë një president me konsensus si Alfred Moisiu u pranua? Kjo u bë sepse atëherë u gjykua nga ndërkombëtarët, që fitorja e PS-së, ndonëse ishte një fitore reale, ishte rritur artificialisht dhe kishte kapur 84 deputetë për të nxjerrë presidentin. Duke qenë se ajo fitore nuk e kishte moralin që të zgjidhej presidenti, në rastin konkret PD-ja ka shumë më pak moral. Kjo, në një kur diskutohet vetë fitorja dhe jo përmasa e fitores së saj. Duke e parë nga ky këndvështrim situatën, mendoj se pretendimi i PS-së për një president konsensual është i drejtë. Ka edhe një aspekt tjetër kjo situatë, që lidhet me autoritarizmin e vetë Berishës, që ka si synim mbledhjen e të gjithë pushteteve. Në një kohë kur Kryeministri nuk ka një komunikim normal me institucione si Prokuroria e Përgjithshme, SHISH etj., marrja e presidentit nga PD-ja do të bëhej e rrezikshme.

 

A mund të ishte Fatos Nano një kandidaturë konsensuale për PS-në?

Unë nuk e pranoj tezën e Ramës “pështyj dhe lëpij”. Nano është pështyrë në kuptimin e veprimit politik që ka bërë. Ka pasur mijëra akuza mbi të dhe realisht humbja e pushtetit erdhi nga korrupsioni që ai bëri etj. Të konsiderosh Nanon si konsensual është një kthim prapa, se nëse sot ke një Sali i bie që me Nanon të bëhen dy. Ai është një figurë e provuar dhe Shqipëria s’ka nevojë të kthehet sot te figura të shkuara, të cilët madje nuk votojnë as atë parti që kanë drejtuar. Kjo ka të bëjë me principin politik dhe atë moral.

(Gazeta Shqip)

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …