Ismet Krasniqi

H. Abdullahu: Gjaku i dëshmorëve, inspirim për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme për mbrojtjen e Atdheut!

Si në shumë, protesta, aksione, dhe padëgjueshmëri tjera të popullit shqiptar ndaj pushtuesit serb, edhe në demonstratat e fuqishme të para 29 vjetëve, të cilat konsiderohen më të përgjakshmet në Kosovë, njëherësh edhe më rezistueset ndaj pushtimit serbo-sllav, trimi dhe patrioti i madh shqiptar,  Ismet Krasniqi ishte në ballë të organizmit, duke qenë inspirim i madh për rininë shqiptare se ia vlen të jetë në krye të obligimit ndaj atdheut, pa e kursyer aspak veten, për çka dëshmia më e mirë ishte rënia e tij heroike në fushën e nderit më 27 mars të vitit 1989 në Prishtinë.

Ismet Krasniqi gjatë shërbimit ushtarak në ish-armatën jugosllave arrestohet dhe burgoset, duke u maltretuar rëndë nga oficerët e asaj ushtrie antishqiptare, ndërsa në burgun e Zagrebit përjetuan tortura çnjerëzore. Pas kthimit në Kosovë, Ismeti sërish arrestohet dhe burgoset, duke vuajtur në burgjet e Prishtinës, Ferizajt dhe Mitrovicës. Më pas disa herë merret në pyetje. Sërish UDB-a serbe e kishte përndjekur Ismetit. Dhe, pesë ditë para se të binte dëshmor, Ismeti arrestohet nga policia, duke u mbajtur në stacionin e atëhershëm në lagjen Dardania në Prishtinë. Aty merret në pyetje dhe i kërkohet të heqë dorë nga veprimtaria e tij kundër ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, duke e kërcënuar edhe me likuidim fizik. Megjithatë Ismet Krasniqi, duke treguar mospërfillje ndaj kërcënimit të UDB-ës, ishte i vendosur në qëndrimet e tij se rezistenca për liri dhe bashkim kombëtar duhet të jetë një përpjekje e pandalshme deri në arritjen përfundimtare të saj, duke u sendërtuar në vepër i amanetit të dëshmorëve të kombit por edhe vullneti i shqiptarëve për një shtet të përbashkët shqiptar.

Ishte 27 marsi i vitit 1989. Në qendër të Prishtinës filluan demonstratat, si dhe përleshjet e para të demonstruesve shqiptarë me forcat e shumta policore të armatosura deri në dhëmbë. Rinia shqiptare ishte më e vendosur se kurrë. UDB-a kishte filluar të dallonte demonstruesit më të vendosur dhe filloi t’i arrestonte disa sish. Ismeti duke iu falënderuar zhdërvjelltësisë që posedonte iu shmang kapjes, duke i plandosur për tokë dy UDB-ash. Pas kësaj rinia shqiptare mori hov dhe filloi marshimin e tyre kundër policisë serbe, duke kërkuar largimin e pushtetit okupues serb nga Kosova, dhe me brohoritje të fuqishme për Republikën e Kosovës. Ismeti me shokë u gjend përballë kriminelëve serbë, para gazit lotsjellës, tankeve dhe autoblindave, duke brohoritur për liri e për fitore deri në bashkim. Pas intervenimit brutal të policisë serbe, demonstruesit u shpërndanë për t’u organizuar sërish më vonë edhe më fuqishëm. Por, më pas policisë që ishin të pajisura edhe me autoblinda, tanke, si ndihmë u shkuan edhe disa helikopterë të cilët nga ajri përcillnin përleshjet me demonstruesit sypatrembur shqiptarë ndaj forcave të shumta policore serbo-jugosllave. Dhe, nën krismat e kallashnikovëve, hedhjen e gazit lotsjellës, si dhe helikopterëve të cilët ishin shumë afër vendndodhjes së demonstruesve, Ismeti me shokët sypatrembur nuk u ndalën së thirruri për liri dhe për fitore definitive deri në çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar. Mirëpo guximin, idealin e Ismetit dhe shokëve të tij nuk kishte kush ta ndalë pos plumbave të kriminelëve të regjimit serb, dhe kështu ai u bë një nga shembujt e shumtë se si duhet sakrifikohet për liri dhe kauzën e drejtë kombëtare deri në bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.

Vlen të theksohet se në demonstratat e 27 dhe 28 marsit në Kosovë ranë 28 dëshmorë , si dhe u plagosën e u arrestuan qindra të tjerë. Vetëm në Prishtinë, ranë dëshmorë Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli, Shukrije Obërtinca dhe Mustafë Veselaj, ndërsa u plagosën dhjetëra të tjerë.

Në këto përballje të fuqishme të rinisë shqiptare ndaj forcave policore okupuese serbo-jugosllave, vlen të përmendet edhe heroizmi i demonstruesit Sevdat Xhafolli, i cili duke u përpjekur t’i shkelte policët serbë me buldozerin që e kishte siguruar në Fabrikën e Tjegullave afër Xhamisë së Llapit, bie dëshmor.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …