Habib Halil Berisha (30.7.1965 - 25.7.1998)

Habib Halil Berisha (30.7.1965 – 25.7.1998)

Më 26 prill të vitit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me pretendime serioze e interesuar për t’u pozicionuar në pikat sa më strategjike bri aksit të magjistrales Prishtinë-Pejë, veçanërisht në hyrje të grykave që konsideroheshin “termopile” të Kosovës; Gryka e Llapushnikut dhe Gryka e Carralevës dhe në hyrje të fshatin Gjergjaj të Drenasit, sulmon forcat serbe që lëviznin lirshëm prej Prishtine kah Peja për në Rrafshin e Dukagjinit duke shfrytëzuar këtë arterje shumë të rëndësishme të kurthuar me pika kontrolluese të policisë serbe të montuara për djelmoshat e Adem Jasharit. Në këtë sulm, ndër të parët në historinë e luftimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës marrin pjesë: Mehedin Morina i Qëndresës së Klinës, Imer Krasniqi i Qarralugut të Llapushës, Fatos Krasniqi i Fatosit (ish-Negrosit) të Drenasit, Besim Halilaj i Grykasit (ish-Tërdevcit) të Drenasit, sot të gjithë dëshmorë të kombit dhe Gani Krasniqi, Ilmi Shala, Ferat Shala, Sokol Krasniqi e Isni Kilaj prej fshatrave të Llapushës e të Drenicës, sot krenarë për tërë atë që mundën dhe bënë për Kosovën e lodhur nga barra shekullore dhe nga psikologjia e robit të kultivuar me pacifizmin dekadent.
Sulmi filloi në orët e paradrekës me koordinimin e operacioneve të njësiteve: “Lumi” e “Pëllumbi” nën komandën e Ferat Shalës, të Isni Kilajt e të Gani Krasniqit. Ky aksion edhe shënon hapin e parë të operacionalizimit në pikat më të nxehta të areales e cila ndante Drenicën prej Llapushës, prej Anadrinit e prej Rrafshit të Dukagjinit. Në këto fshatra, veçanërisht në Llapushë fryma mobilizuese për vazhdimin e rrugës së Komandantit Legjendar Adem Jashari, frymonte që nga java e dytë e marsit ose pak ditë pas Betejës së Prekazit.
Krahas Malishevës, mobilizimet kishin filluar në Drenar, vendlindje e heroinës Xhevë Krasniqi, në Damanek, në Qypevë, në Turjakë, në Mirushë e në Gurbardh, veçanërisht falë kontributit të dëshmorit të kombit profesor Hamdi Berishës, të përjetësuar në Betejën e Rahavecit më 19 korrik të vitit 1998. Me të marrë lajmin për një lëvizje të këtillë drejt formimit të instrumentit të forcës profesor Hamdi Sadri Berishës, sot dëshmor i kombit i bashkohet edhe kushëriri Habib Halil Berisha i njohur si “Hoxha” i Gurbardhit.
Dëshmori i kombit Habib Halil Berisha është i lindur në fshatin Grubardh të Llapushës së Malishevës më 30 korrik të vitit 1965. U lind në një vatër fisnike të Berishëve të Bjeshkës, shumë të varfër por mikritëse e bujare, me trima e luftëtarë të shquar në të gjitha periudhat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në Luftën e Dytë Botërore e në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shkollën fillore, Habibi, i biri i xha Halilit, të martuar me Sadije Hotin e Qarralugut të Malishevës, i vëllaj i Mexhidës, Miseretit, Halitit dhe Sedatit, babë i Shqipëronit, Meritës, Sejdiut dhe Merlindës, arriti ta mbarojë me shumë mund e skamje në vendlindje e pastaj si shumë gurëbardhas e llapushas të tjerë, si atëherë ashtu edhe sot, detyrohet ta marrë rrugën e mërgimit me një thes ëndrrash në krah se një ditë do të kthehet te Gurra e Gurbardhit, do ta ndërtojë një shtëpi e do të përgatitet për t’ia dhënë krahun Kosovës. Kishte një zë të këndshëm e melodik, dashuri të madhe ndaj këngës dhe valles, i njohur si në vendlindje ashtu edhe në kurbet. Plagën e luftës e të kurbetit familja e Halil Berishës e kishte dhe e shijonte me shekuj, prandaj edhe Habibit i ra një hise e këtillë të hidhet në “Vallen e Haresë së Madhe” e cila po përgatitej në Kosovën e Adem Jasharit. Duke rrahur shtigjet për kafshatën e bukës vendoset në Slloveni dhe lakmon t’i mbërrijë shokët e fshatit, Hajdin Berishën që studionte në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Hamdi Berishën, student, Ademin dhe Afrimin të cilëve u kishte lakmidhe familjes i thoshte: “Do ta mbaroj edhe unë shkollën kur t’i boj sendet”.
Mirëpo organizimet e manifestimeve kundër dhunës serbe që instalohej çdo ditë e më fortë në Kosovë, e veçanërisht në fshatrat e Malishevës, ua prenë shtigjet e ardhmërisë të rinjve të kësaj ane, prandaj edhe Habibi detyrohet që në kurbet ta lë të anë Halilin, të kthehet në Kosovë dhe t’u bashkohet çerdheve të para organizative të veprimtarisë ilegale në krye të të cilave prinin studentët gurbardhas, veçanërisht profesor Hamdi Berisha, prandaj nuk ka organizim kundër dhunës qoftë në Anadrini, qoftë në Llapushë që mund të jetë mbajtur pa Grupin e Gurbardhit e veçanërisht pa Habib Berishën.
Më 1986, Habib Berisha detyrohet të shkojë në shërbim ushtarak të ish-armatës jugosllave në Manastir të Maqedonisë. Atje, si duket i ranë në gjurmë dhe dënohet “për veprimtari armiqësore” (kundërshtar i regjimit të kohës). Pas mbajtjes së burgut dhe të shërbimit ushtarak, lëvizja ilegale në fshatrat e Anadrinit shënon shtim e rritje dhe më 14 mars të vitit 1998 në fshatin Gurbardh konstituohet bërthama e parë e lëvizjes së armatosur në krye të së cilës vendoset profesori shumëvjeçar Hamdi Sadri Berisha, njohës i mirë i fshatrave të Llapushës, por edhe i Anadrinit. Në këtë çerdhe aderonte luftëtari i lirisë Jakup Hoti prej Qarralugu, të cilin Habibi e kishte dajë dhe përreth tyre u bashkuan Hajdini, Ademi e Afrim Berisha që do të mbeten shtylla më të forta të Brigadës 122 “Ymer Krasniqi” të Zonës Operative të Pashtrikut. Së këtejmi filloi zhvillimin kompania e Gurbardhit dhe formacioni “Lumi” i cili mblodhi të gjithë luftëtarët e fshatrave për rrjedhe të lumit Mirushë dhe avancoi deri në Shkollën Fillore të fshatit Astarzup nën komandën e eprorëve Isni Kilaj e Selman Hoti. Së bashku me Habibin në këtë formacion janë edhe Hamdiu, Ademi, Afrimi, Hajdini, Isa, Shyqriu, Samedini, Azemi, Haziri, Sheremeti e Agimi, të gjithë Berishë të Gurbardhit.
Me formimin e Batalionit të Rahavecit, në “Kërshin e Keq”, ndërmjet Astarzupit, Zatriqit dhe Rahavecit, formacioni “Lumi” fillon jetën e përbashkët ushtarake me luftëtarët e Rahavecit në shkollën fillore të fshatit Astarzup, ndërsa me rastin e avancimit të formacioneve në drejtim të “Rrasave të Rahavecit”, luftëtarët e Gurbardhit, me në krye Habib e Hamdi Berishën, patrullojnë deri te “Lugu i Shqipeve” e jo rrallë edhe deri në “Rrasa të Rahavecit”, pranë “Ujësjellësit të Qytetit”, “Ura e Aliagës” e deri në fshatrat Fortesë, Celinë, Sapnik e Burim i Poshtëm.
Depërtimi i forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahavec, më 17 korrik të vitit 1998, e në Fortesë më 18 korrik, forcoi moralin e luftëtarëve të lirisë pasi që me këtë hap zgjërohej “Zona e Lirë” që shtrihej prej Malisheve deri në fshatin Fortesë, kah Apterrushi e kah Kromniku, që për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës do të thoshte një shtrirje e madhe.
Lufta e Rahavecit, te “Rrasat e Rahavecit”, te “Kroni i Gurit”, te “Kroni i Kajës”, te “Ujësjellësi i Rahavecit” dhe në “Kodër të Pallaticës” mbeten luftime në të cilët me heroizëm, trimëri e vendosmëri shkëlqenin Berishët, veçanërisht Habib Berisha, i njohur si “Hoxha i Caravranës”. Por luftimet në Rahavec dhe përreth Rahavecit, “Hoxhën” e tronditën thellë kur i përjetësohen shokët. Kështu, gjatë luftimeve në fshatin Fortesë të Anadrinit i përjetësohen eprori Gani Paçarizi i Lumnishtës së Malishevës, bashkëluftëtarët Agim Kelmendi, Tafil Zyberaj e Skënder Jahë Kastrati, në “Kodra e Pallaticës” i përjetësohet kushëriri profesor Hamdi Berisha, në luftimet te “Kroni i Kajës”, bashkëluftëtari Afrim Fazli Krasniqi i Bardhit të Malishevës, te “Ujësjellësi i Qytetit”, Agim Çelaj, Gëzim Hamza, Sadik Shala, Liman Gegaj, Faik Rama, Remzi Ukshini e Bajram Veliu, e në ”Majën e Shkodranit” edhe Mizahir Isma, Arian Brahimi, Bekim Isma, dhe Eshrafedin Kastrati. Por, Habib Berisha mbetet i pathyeshëm deri më 25 korrik, ditë kjo kur edhe fillon “Beteja te Lugu i Shqipeve”, pozicion i përshtatshëm për operacione të kombinuara në harkun prej Qelive, rrëzë Zatriqit, deri në Saramicë të Shkozës. I madh e i vogël, në natën e 24 korrikut qenë mbledhur për të ndërtuar istikame përreth “Arave të Dulës”, përreth “Kërshit të Keq”, përreth “Kronit të Asman Nikës” e përreth “Urës”, te” Mullini i Haxhi Hisës” dhe kah mesdita e 25 korrikut, forcat e mëdha policore, paramilitare e ushtarake, pasi i kishin marrë “Rrasat e Rahavecit”, mësyjnë drejtimin e Malishevës e së andejmi drejt Maleve të Berishës, sigurisht për t’u vendosur në Kleçkën legjendare. Atë ditë forcat serbe granatonin me kanonada të gjata prej Pnishi, rrëzë Pashtrikut, prej Megjaku të Landavicës e prej Gardhishti te “Ura e Fshajt”, mirëpo depërtimin e këmbësorisë serbe në drejtim të Malishevës e breshëronte Togu i Zatrqit i vendosur bri “Majës së Zezë” dhe mbante në objektiv aksin e rajonales Malishevë-Rahavec, te “Laku i Carecit”, andaj edhe këmbësoria serboçetnike as që mund t’i qasej “Lugut të Shqipeve”, madje as “Majës së Shkodranit”. Në harkun defansiv, bri “Arave të Dulës” komandantët Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Vllaznim Kryeziu, Isni Kilaj e Haxhi Shala, Selman Hoti e Fatmir Shurdhaj, sajuan strukturën defansive të përbërë prej luftëtarëve të komapanive nga Astarzupi, Burimi, Magjara, Maralia, Dragabili, Gurishti, Pagarusha, Gurbardhi, Turjaka dhe Panorci, prandaj edhe sajohet një gardh i fortë i forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para të cilit zbrapseshin forcat serboçetnike që niseshin prej ”Rrasave të Rahavecit”. Por, nga Rahaveci për çdo çast shtohej numri i forcave të këmbësorisë serbe të prirë e të ndjekur prej një teknike të madhe e prej efektivëve të motorizuar.
Habib Halil Berisha, luftëtar i Kompanisë së Gurbardhit, në përbërje të “Lumit”, specialist për murtaja të dorës, atë ditë i pajisur me murtajë 500-she, i pozicionuar në krahun e majtë të rajonales Malishevë-Rahavec, afër Shtabit të Batalionit të Rahavecit, në cepin e “Lugut të Shqipeve” shkrin me murtajë tankset dhe autoblindat dhe gjatë një rezistence të pashoqe e një lufte në distancë bombë-dore, përjetësohet edhe luftëtari i lirisë Habib Halil Berisha.
Trupin e pajetë të këtij dëshmori e tërheqin luftëtarët e lirisë, e bartin deri në fshatin Gurbardh e më 26 korrik bëhet përcjellja e fundit por edhe madhështore për në “Varrezat e Batareve” ku ishin varrosur të parët e Hamdiut e të Habibit, të pushkatuar më 1919 e 1945. Në krye të kortezhit që u nis prej shkollës fillore të fshatit Gurbardh printe Ismet Jashari-komandant Kumanova ndërsa pranë trupit të pajetë të “Hoxhës” marshonin komandantët Xhelal Hajda-Toni e Selajdin Mullabazi-Mici, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Habibi, nën hijen e lisave të gjatë të “Vorreve të Batareve” pushonte pranë kushëririt dhe idolit të tij profesor Hamdi Berishës, mirëpo me ngritjen e kompeksit memorial të varrezave të dëshmorëve, të dy dëshmmorë nga Gurbardhi, barten në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në Malishevë, ndërsa në një cep të mermerit në “Varret e Batareve” të Gurbardhit u gëdhend mbishkrimi “Trupi është bartur në Varrezat e Dëshmorëve” në Malishevë, e një lapidar modest shkëlqen në një cep te “Shtabi i Rahavecit”, aty ku u përjetësua dëshmori Habib Halil Berisha, aty ku u zhvillua beteja e famshme e “Lugut të Shqipeve”, aty ku së bashku me Habib Berishën u përjetësuan edhe Ramadan Morina e Qypevës, Ruzhdi Xhemë Xhuliqi i Maralisë, Gëzim Fahredin Mullabazi i Rahavecit, Samir Selim Nurkasa i Rahavecit, Xhafer Zenel Nurkasa i Rahavecit dhe Xhevat Ymer Kasapi i Rahavecit, por nuk ra “Lugu i Shqipeve”, nuk ranë “Arat e Dulës”, nuk ra Kosova, nuk ra Shqiptaria sepse Habib Halil Berisha i Gurbardhit lë djemë që sot janë burrëruar prandaj me krenarinë për të anë ushqehen Shqipëroni e Sejdiu me motrat Meritën e Merlindën. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …