Hajdar Abaz Shala (15.10.1969 - 11.3.1999)

Hajdar Abaz Shala (15.10.1969 – 11.3.1999)

Themelimi i Fondit “Atdheu në rrezik – vendlindja thërret”, grupimet e djelmoshave të diasporës nëpër qendra mërgimtsrësh, që ishin bërë çerdhe e ajkës së burrave më të devotshëm ndaj “Çështjes së Madhe”, aktivizimi i logjistikës së mërgimtarëve, dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, marsi i Jasharajve e i Haradinajve, komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprimtaria e grupeve guerile, shënuan ngjarje sa të rëndësishme aq edhe me jehonë të madhe që ndikuan mbi kurbetçarët për ta braktisur Perëndimin e madje edhe Amerikën, për t’u përgatitur mirë dhe për t’iu kthyer Kosovës së lodhur me premtime, Kosovës së Adem Jasharit e të Luan Haradinajt.

Djalëria shqiptare që braktisi luksin e vendeve ku po derdhej rinia e paatdhe tregoi gatishmëri për të rënë në luftë për atdheun e të parëve, përkthimin e idnetitetit të humbur e për bashkimin e trojeve të ndara me Sharr e Pashtrik, me Gollak e Karadak, me bjeshkët e Nemuna e me Alpet Veriore të lara me gjak djalë pas djali. Kjo djalëri kishte në zemër rënien e Jahë Hotit e Shkëlzen Krasniqit, për të kaluar prej Shqipërie në Shqipëri, e kishte në kujtesë rënien e Luan Haradinajt në krye të “Djemve të Zgjedhur” n’mal e n’vrri, por mbi të gjitha e kishte dëshirën që edhe më shumë të jehojnë krismat e Komandantit legjendar Adem Jashari, e në “Gllogjan të jehojë kushtrimi” i njohur “Priti djemtë e Dukagjinit!” Ndër grupet e para që depërtuan nëpër Alpet Shqiptare, ishte edhe ai i dëshmorit të kombit Hajdar Abaz Shala.

Dëshmori Hajdar Shala, i xha Abazit e i nënë Hyrisë, bijë e Kryezive të Vërrinasit (ish – Lubiçevë) të Vërrinit, i vëllai i pesë vëllezërve e tri motrave, është i lindur në fshatin Kushnin të Sharrit, më 15 tetor të vitit 1969. Të parët e Abaz Shalës, Hajdari, emrin e të cilit e trashëgoi dëshmori, Shahsivari e Tusumi, gjithashtu patën rënë në altarin e lirisë që u lindën dhe u rritën edhe në Vërrinin e varfër, rrëzë Maleve të Sharrit iliro – dardan.

Abaz Shala, kurbetçar i ndjekur e i persekutuar, braktis Kushninin dhe zbret në fshatin Atmaxhë, komuna e Prizrenit, prandaj Hajdari shkollën fillore e nisi në Atmaxhe dhe e mbaroi në Nashec, kurse të mesmen në Prizren, Shkollën e Ekonomisë, dega e Hotelierisë. Për të kërkuar punë, Hajdar Shala, me një thes shpresa në krah, mërgoi në shumë vende, duke ëndërruar se dikur do ta ketë një strehë pranë gjirit familjar Shala, në Breg të Drinit. Në fillim punonte si punëtor krahu, si ndërtimtar, së bashku me të anë, e në fund edhe në hotelieritë e qendrave të mëdha evropiane, nëpër Zvicër e Gjermani, për t’u vendosur në Belgjikën e Enver Hadrit, ku krijon lidhjet më të devotshme rreth mërgimtarëve, veprimtaria e të cilëve mbetet në faqet më të ndritshme të historisë, sepse Kosovës i ndejtën gati me laps, me lekë e me pushkë.

Kontaktet dhe hapat konkretë në diasporë e begatuan jetën dhe veprimtarinë e Hajdar Shalës, nisur në Prizren në ditët e rënies së profesor Xhemali Berishës, nisur në protestat e janarit në krye me profesor Ukshin Hotin, e në veprimatrinë e ilegales së Tususit, të Arbanës e të Landavicës, prandaj në Belgjikë Hajdar Shala vazhdon veprimtarinë patriotike deri në dhjetor të vitit 1997, kur në bashkëveprim me grupet përgatitore zë të mendojë për vigjilencën, kondicionin fizik, disponimin shpirtëror dhe mundësitë materiale për të vajtur në Shqipëri e së andejmi në Kosovë, prandaj priste çastin më të volitshëm. Në marsin e vitit 1998, grupi i luftëtarëve të lirisë nga Belgjika u bashkohet grupeve nga Holanda, Gjermania, Franca, Italia dhe Zvicra dhe të gjithë së bashku, bash si në dasmë nisen “Krushqit e Lirisë” dhe arrijnë në Shqipëri. Pjesa dërmuese ishte e stërvitur mirë; e përgatitur kombëtarisht dhe ushtarakisht. Dhe kështu, një ditë kah fundmarsi 1998, Hajdar Shala depërton në Junik e së andejmi në Gllogjan.

Në krye të grupit e kishte Bekim Berishën, idol të çlirimtarëve ndërsa ëndërronte që të vëllanë, Abdullahun, do ta takonte ushtar të veshur e të sistemuar nëpër pikat më të zjarrta të Vërrrinit, atje ku ilegalja ishte më e gjallë e më e pathyeshme.

Gjatë veprimit në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit (Gllogjan, Smolicë, Shqiponjë e Ratishë), Hajdar Shala vepron në logjistikë; shumë herë e thyen “Shkëlzenin” e “Lugjet e Sylbicës”, për ta bartur “Zjarrin e Lirisë”. Atje është së bashku me Bekim Berishën – Abeja, me Lum Haxhiun, me Ramadan Bashën e me shumë shokë; më 20 prill 1998 gjendet te “Diga e Radoniqit”, kurse me zgjerimin e “Zjarrit të Lirisë” kah Bardhatini, Gardhishti, Drinasi, Kromniku dhe i tërë Anadrini, Hajdar Shala përpiqet për t’iu afruar vendlindjes – Lezit Legjendar të Xhevat Berishës ose Gjeçit dhe t’u bashkohet vëllezërve të idealit në Zonën Operative të Pashtrikut, ku e priste i vëllai ‘Abdullahu, luftëtar i lirisë.

Nëpërmjet Sahit Krasniqit, Hysen Rexhepit, Xhelal Hajdes, Selajdin Mullabazit e Ramadan Bashës, Hajdar Shala shpesh e kalonte Drinin e Bardhë për të depërtuar në rajonin e Vërrinit; në fshatrat: Nashec, Atmaxhë e Gjeç, kurse pas luftimeve nëpër “Izbisht”, “Lis Dervish”, “Llazet” dhe nën “Përrua të Keq”, me shokë vendoset definitivisht në Reti të Anadrinit. Këtu riorganizohet edhe Brigada 125 e areales së Vërrinit të Prizrenit, me pretendime që të konsolidohet dhe të shtrihet e të rivendoset në fshatin Gjeç (ish – Jeshkovë) ashtu siç e kishte konceptuar Remzi Ademaj – komandant Petrit Kodra dhe së andejmi të zhvillohet duke u zgjeruar si kah Luma, ashtu edhe kah Opoja.

Pas ushtrimeve stërvitore për intervenime të shpejta, Njësiti Special, i kombinuar, i,Brigadës 125 të Prizrenit, në javën e parë të marsit 1999, në përvjetorin e Luftës së Prekazit, vendosi që të depërtojë në “Çerdhen e Parë”, në fshatin Gjeç të Vërrinit e të shpërndahet nëpër fshatrat: Kushnin, Lez, Nashec, Verrinas, Hoçë e Qytetit e deri në Tusus të Prizrenit. Duke shfrytëzuar korridorin relativisht të sigurt, sipas vlerësimit të situatës në terren, njësiti kalon nëpër Reti, Qëndresë, Piranë, Tupec, Atmaxhë, Nashec e Kobaj nën komandën e Hysen Rexhepit dhe të njohësve të mirë të terrenit, Hajdar Shalës e të Smajl Kryeziut. Kështu, në fshatin Gjeç fillon “Epopeja e Vërrinit”, ose “Beteja e [eshkovës”, në të cilën morën përjetësinë: Hysen Rexhepi i Celinës së Anadrinit, Feriz Susuri i Zhurit, Hamit Thaçi e Tahir Gashi të Landavicës, Skënder Latifi i Piranës, Ymridin Çengaj, Besnik Kastrati, Alajdin Xhezairi e Bashkim Suka, të Prizrenit dhe Hajdar Abaz Shala i Atmaxhës. Po në këtë betejë u zhdukën pa gjurmë dhe asnjëherë nuk u kuptua gjë për Ymerin, Nuredinin, Shemsidinin e Hilmi Shalën, Shehadinin e Musli Gashin, Rexhep Budurin, Faik Begajn, Bali Avdajn dhe për shumë luftëtarë dhe civilë të tjerë.

Në orët e hershme mëngjesore të 11 marsit të vitit 1999, Gjeçin heroik e rrethojnë hordhitë e egra e barbare të bandave ushtarake, paramilitare e policore serbe. Me një arsenal të madh armatimi të të gjitha llojeve e kalibrave sulmohen dhe rrethohen pozicionet e marsit në Gjeç dhe në tërë Vërrinin legjendar, me destinacion permanent për ta shkatërruar Shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operatvie të Pashtrikut, të Brigadës 125 të Prizrenit e të Njësitit për Intervenime të Shpejta, të kombinuar me Policinë Ushtarake të kësaj brigade. Kjo ishte ndër betejat më të ashpra sepse rreth 3 mijë forca serbe, të çmendura e të shfrenuara, të përgatitura për masakra sadiste mbi popullatën civile, vërsulen mbi rreth 30 luftëtarë të lirisë. Kjo betejë u zhvillua në një afërsi “bombë – dore” e herë – herë edhe “fyt për fyti”. Por luftëtarët e lirisë të komanduar prej Hysen Rexhepit, dëshmor i rënë në këtë betejë, Hajdar Shalës dhe luftëtarit të lirisë Samedin Xhezairi, të njohur si “Komandant Hoxha”, bëjnë qëndresë të pashoqe duke u përballur sulmeve të hordhive të dehura serboçetnike. Këtu dhe në këto luftime, më 11 mars të vitit 1999, në krye të shokëve të njësitit, merr përjetësinë edhe Hajdar Abaz Shala.

Beteja e Vërrinit mbetet ndër luftimet më të përgjakshme që do të shënohet në faqet e arta të historisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku me turp u thyen paramilitarët, policët dhe ushtarët e “Divizionit të Turpit” i cili marshonte përherë prej Prizrenit dhe pas disfatave që pësonte hakmerrej mbi popullatën e pafajshme civile në Vërri, në Anadrin dhe në tërë Kosovën martire, sot të mbushur me varre masive e lapidarë për të njohur e të panjohur, që ranë anembanë këtyre trojeve.

Më 17 mars 1999, luftëtarët e lirisë – dëshmorët e kombit që ranë më 11 mars në Gjeç, varrosen në “Varrezat e Dëshmorëve” të Zonës Operative të Pashtrikut, në fshatin Pagarushë. Të mërkurën e 17 marsit, të mbuluar me dëborën e bardhë të pragut të pranverës, si pranverat e Hysen Rexhepit, Hajdar Shalës, Ferid Susurit, Ymridin Çengajt, Hamit Thaçit, Tahir Gashit, Skënder Latifit, Alajdin Xhezairit, Besnik Kastratit e të Bashkim Sukës me shokët, të cilëve ende nuk u dihen nishanët, nga Prizreni i Remzi Ademajt, kishin arritur nënat, motrat, etërit, vëllezërit dhe farefisi i madh prej viseve të ndryshme të Trojeve Etnike, për t’i përcjellur “Djemtë e Vërrinit”, ashtu siç i renditi rapsodia popullore.

Atë ditë, në muzgun e mbrëmjes, në fshatin Pagarushë u hapën varret për Dëshmorët e Vërrinit, por edhe frymuan zemrat e krenarisë kombëtare e të qëndrimit burrëror të nënave, të motrave e të bashkëshorteve të cilat i forconin bonjakët e dëshmorëve, që rrinin pranë arkivoleve të etërve të rënë “Lugjeve të Vërrinit”, e të sjellur në zemrën e Zonës së Lirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – në Pagarushën e Malishevës. Edhe fshati Pagarushë i cili ato ditë kishte luftime dhe përgatitej për “Pranverën e Përgjakshme”, të cilën e paralajmëronin paramilitarët e Hoçës së Madhe e të Rahavecit, atë ditë marsi vlonte prej popullatës së madhe e cila kishte arritur për ta kaluar “Qafën e Madhe” e “Qafën e Vogël” të Pagarushës dhe ishte mbledhur te “Livadhi i Spahisë”, bri “Xhamisë së Katundit” për t’ua ngritur shtëpitë e amshueshme bijëve të kombit, djelmoshave të zgjedhur nëpër Vërri e Anadri. Edhe lisat e “Livadhit të Spahisë”, të ngarkuar prej dëborës së madhe, nuk thyheshin, i përballonin barrës së rëndë dhe dukeshin krenarë, sepse edhe lufta, por edhe vdekja për Atdhe kanë krenarinë e vet më të fortë se guri e se druri. Ndërsa, më 15 shtator të vitit 1999, në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në Landovicë, me solemnitete për Burrat e Kombit, rivarroset dëshmori i kombit Hajdar Abaz Shala, së bashku me “Djemtë e Vërrinit”. Në krye të kortezhit për beqarin-dëshmor, të cilin e rriti në skamje, por me dinjitet e mburrje, hapëronin nëna Hyrije, me bijat Ner:xhivanin, Hatmanin dhe Shahzinë, duke ruajtur gajretin burrëror.

Dëshmorit të kombit Hajdar Shala i është ngritur një lapidar në qendër të Atmaxhës, kurse të gjithë dëshmorët e “Epopesë së Vërrinit” janë skalitur në një lapidar të përbashkët në Gjeç, i cili do ta ruajë djalë pas djali kujtimin për heroizmin e luftëtarëve të Vërrinit dhe gjakut të derdhur për këtë epope të madhe. (S. c.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …