Familja Haliti është njëra ndër familjet e shpërngulura me dhunë në vitin 1878 nga treva e Toplicës nga ku në atë kohë qenë shpërngulur banorët shqiptarë nga rreth 640 vendbanime.
Familja mbijetoi falë punës së ndershme që në vazhdimësi e bënin anëtarët e kësaj familje duke u shquar në rajonin e Gollakut si një ndër familjet më të njohura për traditë atdhetare. Sahit Haliti u martua me Mihanen nga Prapashtica, nga një familje që kishte përjetuar masakrën e njohur të kësaj ane në të cilën disa anëtarë të saj ishin masakruar nga bandat çetnike serbe. Bashkëshortët Haliti patën pesë djem e një vajzë (Hajdini, Fehmiu, Hakifi, Afrimi, Naimi dhe Floria). Sahiti, që në rini kishte marr rrugën e kurbetit për të siguruar ekzistencën e familjes me shumë anëtarë. Vuajtjet e kurbetit iu lehtësuan paksa kur i lindi fëmija i parë të cilin e pagëzuan me emrin Hajdin, emër i ripërtërirë në këtë familje, me të cilin emër identifikohej kjo familje si familja e Hajdin Shillovës. Rrita e Hajdinit të vogël sillte gëzim dhe ngrohtësi në familjen e gjerë Haliti.
Dëshmori, Hajdin Haliti u lind më 1 janar të vitit 1961 në fshatin Orllan të Gallabit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Besianë. Në të dy këto nivele të shkollimit kishte sukses të shkëlqyeshëm. Më tej kreu Akademinë policore në Vushtrri dhe më pas në këtë profesion punoi në Prishtinë. Ai dha një kontribut të çmuar edhe në sindikatën e Pavarur të Policisë së Kosovës deri në vitin 1989.
Në vitet ‘90-ta të shekullit njëzet, pas fillimit të shpërbërjes së shtetit jugosllav, Hajdini ishte njëri prej të paktëve që ju besua krijimi i strukturave të sigurisë së Kosovës.
Me paraqitjen publike të UÇK – së në Zonën e Llapit, Hajdini filloi të kontribuojë në forcimin e saj, veçanërisht në organizimin e të rinjve që do t’u bashkoheshin radhëve të saj. Ishte njëri prej atyre që i vunë bazat e organizimit të policisë ushtarake të UÇK – së në ZOLL.
Më 5. 1. 1999, Hajdini kaloi në Buricë, në Brigadën 151, në njësitin “Zjarri – 600” dhe nga kjo kohë mori pjesë në luftimet që u zhvilluan në ZOLL.
Ishte pjesëmarrës në të gjitha betejat e kësaj zone ku mori pjesë njësiti i tij.
Në një detyrë të tillë, në prill të vitit 1999, u dërgua në vëzhgim, në fshatin e lindjes, në Orllan. Më 11 prill 1999 gjatë kryerjes së detyrës, së bashku me Sami Plakollin nga Letanci i Besianës u ballafaquan me pritën e forcave serbe me ç’rast luftuan e rezistuan deri në rënien e tyre heroike, duke i shkaktuar dëme armikut e duke lënë të vrarë disa ushtarë e policë të tij.
Nga familja e tij përpos dëshmorit Hajdin Haliti, në radhët e UÇK-së ishin të angazhuar edhe dy vëllezërit e tjerë, Afrimi dhe Hakifi. Po ashtu në radhët e UÇK-së në ZOLL ishin edhe dy djemtë e axhës së Hajdinit, Astriti dhe Agimi.
Dëshmori, Hajdin Haliti ishte i martuar me Shukrie Dërgutin nga Braina dhe pas vetes la vajzat: Albertën, Arditën, Ardelinën dhe djalin, Armendin.
Në vendin e rënies, te pishat në Orllan është ngritur lapidari që ruan kujtimin për dëshmorët Hajdin Haliti e Sami Plakolli. Ndërsa te varri i Hajdinit në varrezat familjare në Orllan po ashtu familja i vënë ngritur pllakë përkujtimore.
Në shenjë respekti për jetën dhe veprën e dëshmorit janë thurë poezi dhe i janë kushtuar këngë. Ndërsa pas luftës familja e dëshmorit është dekoruar nga SHP UÇK – së, Zona Operative e Llapit, SHFD të UÇK-së në Besianë etj. (M. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …