Hajrush Kurtaj: Historiku i Brigadës 162 "Agim Bajrami"

Hajrush Kurtaj: Beteja e Gajres, 28 shkurt 1999 – Njëra nga ngjarjet e lavdishme të UÇK-së

Beteja e Gajres, 28 shkurt 1999 – Njëra nga ngjarjet e lavdishme të UÇK-së

Njohuri të përgjithshme për fshatin Gajre

Fshati Gajre shtrihet rreth 3,5 km në jug të Kaçanikut, në anën e djathtë të lumit Lepenc. Është fshat kodrinor-malor i Grykës së Kaçanikut, i shpërndarë nëpër disa lagje të lidhura me një rrugë kryesore. Sipërfaqja: 374 ha, 92 ari, 68 m. Fshati përbëhej nga 7 lagje.

Me emrin Gajre ishte i regjistruar në sallnamatet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311h), të vitit 1896 (1314h) dhe të vitit 1900 (1318h). ( Dr. Jusuf Osmani, në librin “Vendbanimet e Kosovës – 10, Kaçaniku, Prishtinë, 2004, fq. 97, 98, 99: Lagjet: Tuma, Spahiu, Çallaku, Hasanaj, Shahinaj dhe Kikaj).

Para agresionit serb, deri më 1999, fshati Gajre kishte 83 shtëpi me 615 banorë shqiptarë. Nga agresori serb, më 24 dhe 25 mars 1999, ky vendbanim u dogj dhe u shkatërrua në tërësi. Nga gjithsej 83 shtëpi të banuara, u dogjën 59 sosh ose shprehur në përqindje 71.08% të vendbanimit ishte i djegur. Shkolla e fshatit u granatua me mjete të rënda ushtarake edhe pse nuk është dëmtuar shumë. Ky fshat është sulmuar për herë të parë nga forcat okupatore, më 28 shkurt 1999, por falë rezistencës së njësiteve çlirimtare të Brigadës 162 “Agim Bajrami” popullata civile ka arritur të largohet, me këtë rast është vrarë 65 vjeçari, Rrustem Çallaku, ndërsa Fejzulla Çallaku është plagosur. Vlen të theksohet se nga forcat çlirimtare bie heroikisht Hetem Hasaj nga fshati Gabrricë.

 

Vendosja e njësiteve të Brigadës 162 Agim Bajrami” në Gajre

Vendosja e njësiteve të Brigadës 162 “Agim Bajrami” në fshatrat kodrinore-malore: Bob, Gajre, Ivajë, Kotlinë dhe Puset e Nikës (të shtrira në anën e djathtë të lumit Lepenc) ishte e një rëndësie të veçantë, sepse ishte një terren strategjik për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, megjithëse ishte një paralajmërim i qartë për ushtrinë, policinë, njësitë paramilitare serbe dhe aparatin shtetëror okupues serb. Për t’i njoftuar banorët e këtyre fshatrave për situatën e fundit, komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” organizoi takime për t’i njoftuar të gjithë banorët me situatën e përgjithshme si dhe të përkeqësimit të situatës, si pasojë e vrasjeve të qytetarëve të paarmatosur nga njësite ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Takimet me qytetarë filluan, më 28 shkurt 1999 në orën 9:00 në fshatin Kotlinë, koordinuar nga përgjegjësi për popullatën civile, Heset Loku dhe udhëhequr nga Hajrush Kurtaj, zëvendëskomandant i Brigadës. Ndërsa takimi i dytë mbahet në të njëjtën ditë, në fshatin Ivajë, në orën 11:00, koordinuar nga përgjegjësi për popullatën civile Nexhadi Luta dhe udhëhequr nga komandanti i Brigadës Qamil Ilazi (gjë që për këto takime ekziston procesverbali i këtyre mbledhjeve). Në këto takime popullata ndahet e kënaqur, që erdhi dita të kenë mbështetjen dhe sigurinë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Njëkohësisht, qytetarët e këtyre fshatrave i dhanë një përkrahje masive UÇK-së, me të gjitha mundësitë e tyre njerëzore, materiale, strehimore, pa munguar edhe veprimtaria vetëmohuese e burrave, grave, vajzave e djemve dhe gjithë të tjerëve, deri në flijim. Gjatë takimit me qytetarët e Ivajës, vëzhguesit e njësiteve të UÇK-së nga terreni njoftojnë se në fshatin Gajre kanë filluar të sulmojnë forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, ndërsa njësitë çlirimtare të Brigadës 162 “Agim Bajrami” po iu kundërvihen atyre duke bërë qëndresë heroike. Pra, ky është fillimi i një beteje të ashpër.

 

Zhvillimi i Betejës së Gajres, më 28 shkurt 1999  

Beteja e Gajres, 26 vite më parë, shënoi fillimin e luftës frontale në territorin e komunës së Kaçanikut. Më 28 shkurt 1999, në fshatin Gajre u zhvillua njëra ndër betejat e shumta në mes të Ushtrisë Çlirimtare dhe forcave okupatore serbe, e cila në historinë tonë të re njihet me emrin Beteja e Gajres.  Beteja e Gajres, e 28 shkurtit 1999, ka rëndësi të veçantë për luftën e UÇK-së, ngase shënon njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe si dhe shtrirjen e luftës së UÇK-së në Grykën e Kaçanikut dhe deri në kufi me Maqedoninë.

 

Harta topografike e operacioneve luftarake në Betejën e Gajres, më 28 shkurt 1999, ku janë të paraqitura me ngjyrë të kaltër forcat e UÇK-së, kurse me ngjyrë të kuqe forcat okupatore serbe apo aparatit shtetëror okupues serb

 

 

Në fazën kur UÇK-ja kishte dalë publikisht në territorin e komunës së Kaçanikut, radhët e saj po shtoheshin me të madhe. Njëkohësisht lufta po zhvillohej nëpërmjet operacioneve ushtarake të kombinuara, që karakterizoheshin me sulme të rrufeshme dhe me mbrojtjen e zonave të vogla e të lira, që ishin zbatuar, sidomos në fshatrat Bob, Gajre, Ivajë, Kotlinë dhe Puset e Nikës.

Një ndër operacionet luftarake më të suksesshme të UÇK-së, kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, që po tentonin të sulmonin fshatin Gajre, ishte ai i zhvilluar në afërsi të rrugës magjistrale, Prishtinë – Shkup, në afërsi të tunelit të parë, tre kilometra larg qytetit të Kaçanikut. Operacionet luftarake filluan nga ora 11:45, ndërkaq njësitë okupatore serbe filluan marshimin rrugës për në fshat, por falë qëndresës heroike të Kompanisë së Parë të Batalionit të Parë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, të udhëhequra nga zv.komandanti i kompanisë Naser Hasaj, në hyrje të fshatit, tek Përroi i Shtekut, u zhvillua luftë e ashpër deri në 20 metra largësi ndërmjet forcave kundërshtare. Rezistencë të ashpër po zhvillonte toga e udhëhequr nga komandanti Hetem Hasaj dhe toga e udhëhequr nga komandanti Muharrem Baftiu si dhe toga e udhëhequr nga komandanti Nazmi Osmani, të cilët ishin në vijën e parë frontale, në fshatin Gajre.

Luftimet u zhvilluan në një distancë të vijës frontale mbi një kilometër, tek vendi i quajtur Përroi i Shtekut, në hyrje të fshatit Gajre. Toga e UÇK-së, e udhëhequr nga komandanti Hetem Hasaj, bëri një rezistencë të palëkundur, duke i shkaktuar humbje të mëdha armikut në njerëz dhe teknikë luftarake. Me këtë rast, duke parë se beteja po merrte përmasa të gjera, komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” urdhëron shefin sektorit për marrëdhënie civilo – ushtarake, në bashkëpunim me udhëheqësinë e fshatit, që të evakuojnë popullatën civile, të strehohen në vende të sigurta që të  mos rrezikohen nga forcat okupatore apo grupet  paramilitare.

Pas tërheqjqes së popullatës civile dhe përforcimit të pozicioneve të UÇK-së, luftimet u ashpërsuan, ngase zhvilloheshin luftime të rrepta për disa orë tek Përroi i Shtekut, në hyrje të fshatit Gajre. Kështu, filloi edhe beteja frontale në mes forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Zona Operative e Nerodimes, në fshatin Gajre. Njësiteve çlirimtare në ndihmë iu erdhën komanda e Brigadës nga Ivaja me njësitë mbështetëse dhe policia ushtarake e UÇK-së nga fshati Bob. Po ashtu, në ndihmë iu erdhën edhe të gjithë qytetarët: gra, burra, djem dhe vajza, që ishin vënë në përkrahje të njësiteve të UÇK-së me të gjitha format e mundshme.

Në këto luftime forcat serbe përdorën gjithë makinerinë e blinduar, me armatime të rënda dhe gjatë gjithë kohës iu vinin forca shtesë nga Ferizaj, Vita dhe Gjilani.

Luftimet ishin gjithnjë e më të ashpra, meqë forcave okupatore serbe iu erdhën në ndihmë edhe forca të tjera më të mëdha ushtarake, policore dhe paramilitare. Gjatë këtyre luftimeve të ashpra dhe qëndresës heroike të njësiteve çlirimtare, në vijën e parë të frontit bie heroikisht komandanti i togës Hetem Hasaj, i cili luftoi ballë për ballë kundër forcave serbe. Hetemi ishte ai luftëtar i paepur, i cili iu doli përballë forcave armike, duke u shkaktuar atyre humbje të mëdha dhe theu mitin e pathyeshmërisë së tyre, duke e lënë të vrarë edhe komandantin e tyre të forcave okupatore serbe. Humbjet e forcave ushtarake, policore e paramilitare ishin të mëdha, si dhe u vra komandanti i policisë serbe në Kaçanik, Bogoljub Staletoviq së bashku me 10 policë dhe paramilitarë, u plagosën policët serbë Zoran Gjuriq, Slobodan Jankoviq, Gjorgjija Milosavljeviq si dhe Sllagjan Jovanoviq. Në këtë betejë, që zgjati mbi 10 orë, u vranë shumë policë dhe ushtarë serbë dhe u plagosën shumë të tjerë ku u shkatërruan: një autoblindë, një auto “Niva” dhe një pizgauver.

Plagë të lirisë në këto luftime morën zëvendëskomandanti i kompanisë, Naser Hasaj si dhe luftëtarët e lirisë: Bekim Vishi, Ekrem Ahmetaj dhe plaku 75 vjeçar Fejzullah Çallaku, i cili tërë kohën qëndroi duke iu ndihmuar ushtarëve të UÇK-së, ndërsa në rrugë të fshatit, snajperistët serbë, vranë Rrustem Çallakun, 65 vjeçarë. Pas arritjeve të përforcimeve të Komandës së Brigadës dhe njësiteve tjera çlirimtare, luftimet u ashpërsuan dukshëm më shumë. Me urdhër të komandantit të Brigadës, shumë njësi edhe nga Batalioni i Dytë, policia ushtarake dhe njësitë speciale të Brigadës, ishin në gjendje gatishmërie për t’u përballë me forcat okupuese, ku në ballë të kësaj beteje u vu vetë komandanti i Brigadës, Qamil Ilazi.

Në Betejën e Gajres, morën pjesë 60 luftëtarë të njësiteve të Batalionit të Parë. Në mesin e këtyre luftëtarëve nga ky fshat ishin pjesëmarrës: Sakip Mulaku, Haxhi Çallaku, Sadik Çallaku dhe Abedin Çallaku, ndërsa nga njësitet e Batalionit të Dytë, komandës së Brigadës dhe Policisë Ushtarake, morën pjesë 70 luftëtarë.

Në anën e ushtrisë serbe, përveç numrit shumë të madh të ushtarëve, policëve dhe paramilitarëve serbë, në ndihmë u erdhën edhe shumë forca ushtarake e paramilitare të mbështetura me autoblinda, tanke, praga, dhe mjete të tjera luftarake. Beteja e Gajres, në aspektin gjeografik, u zhvillua në pjesën jugore të Kaçanikut, dy kilometra në dalje të qytetit, në drejtim të Grykës së Kaçanikut dhe në rajonin e fshatrave: Bob, Gajre, Ivajë, Kotlinë dhe Puset e Nikës, ku ishin të pozicionura njësitë e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Lufta zgjati më shumë se shtatë orë, deri në orët e mbrëmjes, ku forcat serbe edhe pse me mjete të rënda luftarake, u thyen nga forcat e UÇK-së dhe u detyruan të tërhiqen me humbje, ashtu të revoltuara u lëshuan në përndjekje të popullatës civile në Kaçanik me rrethinë. Në mbrëmjen e 28 shkurtit 1999, forcat u tërhoqën dhe u përqëndruan rreth kësaj zone, ku ishin zhvilluar luftimet, me qëllim që ta pamundësonin tërheqjen e luftëtarëve të plagosur të UÇK-së. Falë sakrificës së madhe, të luftëtarëve të UÇK-së, u arrit që me sukses të tërhiqen ushtarët e plagosur dhe u dërguan në spitalin ushtarak të Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Ivajë. Vlen të vihet në pah se burrat, gratë dhe vajzat e Gajres, në këtë rast kanë dhënë një kontribut të madh në mbështetje të luftës çlirimtare.

Në shërbim të UÇK-së ishin të gjithë banorët e këtij fshati. Pas kësaj beteje të lavdishme të UÇK-së, menjëherë me një entuziazëm iu bashkëngjitën radhëve të UÇK-së, nga ky fshat  këta djem dhe vajza: Sylejman Mulaku, Reshat Mulaku, Fadil Çallaku, Avdi Çallaku, Naim Mulaku, Murat Spahiu, Haqif Spahiu, Naser Spahiu, Agim Mulaku, Enver Mulaku, Bujar Mulaku, Arben Mulaku, Avdi Spahiu, Shefqet Çallaku, Gëzim Çallaku, Xhevat Çallaku, Latif Shahini dhe Vahide Shahini.

Beteja e Gajres ka një rëndësi të madhe historike dhe strategjike, jo vetëm për territorin e Kaçanikut, por edhe të Kosovës. Duke vlerësuar këtë rëndësi të madhe historike dhe rolin e komandantit të togës në këtë betejë, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, shpall Hero të Kosovës komandantin Hetem Hasaj, më 10 gusht 2019. Shumë e rëndësishme është të potencohet se njësitet e UÇK-së të Brigadës 162 “Agim Bajrami” kishin një forcë ushtarake, e cila pavarësisht nga vullneti, motivi, guximi, organizimi, disiplina, njohja e terrenit dhe nga përkrahja e popullatës, ishte e armatosur me armatim të lehtë, municion të paktë, me veshmbathje të dobët dhe numër të vogël ushtarësh. Ajo luftën e zhvillonte në terren të populluar me popullatë shqiptare, të cilin duhej ta mbronte në objektivin e saj për çlirimin e vendit, përballë një force pa vullnet, pa motiv, pa guxim, pa disiplinë, por të armatosur me armatim modern dhe të sofistikuar, me ushtarë të shumtë në numër e me municion të pakufizuar, duke mos u kujdesur për pasojat në popullatën civile, madje duke e sulmuar dhe duke masakruar, si formë të presionit për mospërkrahje të forcës së tyre ushtarake. Prandaj, studiuesit e rinj, që mund e që duhet të marrin për studim temën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet t’i kenë parasysh këto fakte të lartpërmendura, një për një, jo vetëm për t’i numëruar por për t’i analizuar në imtësi.

Armiku ishte i pranishëm me forca të shumta dhe i armatosur deri në dhëmbë. Por, të mos harrojmë se në këtë kohë, vështirësitë shtoheshin akoma edhe nga veprimtaria ogurzezë e kolaboracionistëve, fatkeqësisht shqipfolës, të maskuar ose hapur, në shërbim të armikut?!

Luftërat shekullore, që zhvilloi populli shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm, për të fituar lirinë dhe pavarësinë kombëtare, krijuan tradita të shkëlqyera luftarake e patriotike. Por, sikur asnjëherë më parë gjatë historisë, populli ynë nuk ishte më i bashkuar dhe aq i vendosur e i sigurt për fitore se sa në luftën e UÇK-së. Duhet të veçojmë se në këtë betejë për trimëri u dalluan: Hetem Hasaj, Fadil Çaka, Naser Hasaj, Ekrem Ahmetaj, Rrustem Dema, Bekim Vishi, Nehat Çaka, Afrim Kurtaj, Nusret Cena, Sylejman Selmani, Hajredin Hasaj, Muharrem Baftiu, Haki Troni, Muhamet Zeneli, Osman Burrniku, Ilir Zharku, Sadik Çallaku, Haxhi Çallaku, Nexhat Zeneli, Skender Hasaj, Shefket Hasaj, Azem Hasaj, Bafti Hasaj, Abedin Çallaku (i cili në ditën e luftimeve, më 28 shkurt 1999, me pushkën automatike të tij iu bashkëngjit radhëve të brigadës) e shumë të tjerë.

 

 

Burimet dhe literatura

 

  • Një Akt Trimëror – Krenari Kombëtare (Shqiponjat e 10 gushtit 1998), Prishtinë 2000,
  • Shungullon Gryka e Kaçanikut (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000,
  • Feniksët e Lirisë, vëllimi (1 deri në 19),
  • Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Prishtinë, 2012,
  • Në Rrugën e Lirisë (ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente), Prishtinë, 2012,
  • Flakë e pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë
  • KLA ËAR – In Nerodime Operation Area, Prishtinë, 2015,
  • The Way to Liberty, Prishtinë, 2018,
  • Kontributi i Femrës në Luftën Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik dhe në Han të Elezit (1998 – 1999), “SAS”, Prishtinë, 2022,
  • Kontributi i Grave dhe Vajzave në Luftën Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Nerodimes (1998-1999) Prishtinë 2024, Instituti i Historisë.

 

Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

                                                           

 

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI

BDI: Denoncojmë publikisht spastrimin e paprecedentë etnik që po ndodh në strukturat e sigurisë dhe inteligjencës në Maqedoninë e Veriut

Me shqetësim të thellë dhe përgjegjësi të plotë ndaj stabilitetit të vendit dhe sigurisë rajonale, …