Hajrush Kurtaj: Katër heroina të UÇK-së në Zonën e Kaçanikut: Lumnije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Muhaxhiri

Hajrush Kurtaj: Katër heroina të UÇK-së në Zonën e Kaçanikut: Lumnije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Muhaxhiri

Lumnije Sherif Raka (11.06.1976-09.04.1999)

Ndër vajzat e para, që vullnetarisht u radhitën në radhët e UÇK-së, në Brigadën 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik, ishte Lumnije Raka. Ajo u lind më 11 Qershor 1976, në Kaçanik. Shkollën fillore e ka kryer në Bob të Kaçanikut, ndërsa shkollën e mesme të mjeksisë “Ali Sokoli”. Si nxënëse ishte shembullore dhe aktiviste e dalluar në jetën kulturore artistike. Pas mbarimit të shkollës së  mesme, përkundër dëshirës për të punuar si motër medicionale, institucionet shëndetësore ishin uzurpuar nga pushtuesi, kështu që ajo regjistroi studimet në Fakultetin Filozofik, degën e Pedagogjisë. Asokohe në radhët e rinisë studentore, si gjithnjë, shqueshin për veprimtari të grupeve ilegale të cilat vepronin kundër okupatorit. Shumë student ishin radhitur në strukturat e UÇK-së edhe krynin detyra të ndryshme në zonat jashtë luftimeve të drejtëpërdrejta, si në furnizim, informacion, rekrutim, propaganda, organizime të demostratave në përkrahje të luftës çlirimtare. Në këto aktivitete ishte edhe Lumnije Raka, e cila ishte brumosur me vyrtyte të larta kombëtare nga tradita familjare. Detyrat që kishte marrë i kryente deri në fund të shkurtit, kurse nga fillimi i marsit 1999, në piken e luftës, në Lagjen Rakoc të Kaçanikut me detyrë ushtarake si infermiere e luftës. Deri në këtë kohë vepron në kuadër të skuadrës vëzhguese, policisë ushtarake, pastaj sistemohet në ekipet mjekësore në kuadër të batalionit të dytë. Ajo kishte demonstruar aftësi dhe shkathtësi luftarake në përdorimin e armës dhe në gjuajtje në distancë të ndryshme, si dhe kishte treguar dije të duhur në mjekësi. Sulmi i focave ushtarake dhe policore serbe në lagjet; Dushkajë, Rakoc dhe në lagje të re kishte filluar herët në mëngjes. Luftimet ishin të ashpëra. Edhe pse e pabarabartë në armatim, UÇK-ja dëmtoi forcat armike në njerëz dhe teknik luftarake. Forcat serbe u hakmoren në popullaten civile.

Më 9 prill 1999 në betejën e Rakocit ra në luftë ballë për ballë me armikun ashtu siç bien heroinat e kombit në luftë për liri. Po këtë ditë ranë edhe 27 Dëshmorë dhe 32 Martirë. Lumnija ishte e vendosur, i kishte gjithmone të qarta vendimet e veta, kishte një qëndrim, nga natyra që përshkruante personazhin e një vajze inteligjente, të edukuar mire, të ndershme, e guximshme. Dëshironte që gjithmonë të jetë e sigurtë në peshën e veprimeve dhe vendimeve të veta.

( Nga libri: Flakë e Pashuar e autorit Hajrush Kurtaj, në f.171-174 )

 

Jehona Sabit Raka (06.11.1976-09.04.1999)

Gryka e Kaçanikut është vend i Legjendave të kohëve historike. Këtë e përsëritën edhe bijtë e bijat e Kaçanikut edhe në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në radhët e luftëtarëve të UÇK-së u radhitë edhe ushtarja Jehona Raka, e lindur më 6 Nëntor 1976 në Kaçanik. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në shkollën “Emin Duraku” në Kaçanik, ndërsa të mesmen e kreu në shkollen e mesme të mjeksisë “Ali Sokoli” në Prishtinë. Më 1995 u regjistrua në UP, Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Gjatë studimeve u shqua si studente e shkëlqyeshme. Gjatë vitit 1998 punoi vullnetarisht në shtëpinë e shëndetit “Nëna Tereza” në Kaçanik. Jehona shoqe të ngushtë kishte Lumnije Rakën, e cila ishte edhe kushërira e saj. Ato kishin afërsi që nga rinia e hershme, meqë i kishte lidh mosha, shkolla dhe jeta familjare. Por me kalimin e kohës ato do të lidhen edhe me idealet atdhetare e kombëtare. Jeta studentore i kishte lidhur ato edhe me rrethanat aktuale të kohës. Në radhët e rinisë studentore, asokohe vlonin bisedat për organizatat ilegale kundër pushtuesit. Mjediset studentore si gjithnjë ishin të mbushura me veprimtari të ilegales atdhetare. Në këtë kohë shumë student ishin radhitur në strukturat e UÇK-së dhe kryenin detyra të ndryshme në zonat e luftës dhe jashtë luftimeve të drejtëpërdrejta, ku vazhdonin përgaditjet në furnizim, informim mbi lëvizjet e forcave të  armikut. Aktivitetet e tyre i shtrinin në fushat e rekrutimit, propagandës, organizimit në përkrahje të luftës çlirimtare. Kontaktet e para me UÇK, Jehona Raka dhe Lumnije Raka i vendosen përmes kolegëve Xheladin Kurtaj dhe Nehat Mustafes. Me 20 tetor 1998, Jehona Raka dhe Lumnije Raka u ngarkuan me detyra konkrete nga komanda e Brigades 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik. Edhe Jehona ka vepruar bashkë me Lumnijen në vëzhgim pastaj në policingë ushtarake dhe në ekipet mjekësore. Në fillim të vitit 1999, gjendja po krijohej me zhvillimin e hapur të luftimeve kundër forcave serbe në rrethin e Kaçanikut, ku njësitë e Brigades 162 “Agim Bajrami” ishin vendosur nëpër pikat e luftës. Pas veprimtarisë së msheftë Jehona Raka bashkë me Lumnije Raken vendosen në piken e luftës në Rakoc të Kaçanikut. Si ushtare guximtare, ato përveç detyrave luftarake që kishin, kontribuan shumë edhe në përkujdesjen mjekësore ndaj të plagosurve dhe të sëmurëve, meqë edhe Jehona infermiere me profesion. Gjatë luftimeve të rrepta me 9 prill 1999 në Rakoc të Kaçanikut ra në krye të detyres ashtu siç bien heroinat në mbrojtje të atdheut dhe kombit. Gjatë gjithë kohës, ato nuk kursyen asgjë nga vetja për t`ju ndihmuar luftëtarëve që kishin marrë plagë të lirisë. Guximin që kishin këto dy heroina bëri që ato të gjenden në çdo situatë të luftës së pandalshme përballë çdo rreziku. Sakrifica e tyre qe e madhe, supet e tyre detyra të vështira luftarake deri në diten e rënjes heroike të tyre. Gjatë luftimeve këtë ditë bashkë me Jehonen kanë rënë 27 Dëshmorë dhe 32 Martirë. Jehona është marrë edhe me shkrime që nga fëmijëria. Ajo mbante edhe ditare të cilin e ka humbur gjatë luftës.

( Marrë nga libri: Flakë e Pashuar e autorit Hajrush Kurtaj, në f.155-157)

 

Emsale Izjadin Frangu (05.02.1981-09.04.1999)

Emsale Frangu u lind me 5 shkurt 1981 në Kaçanik. Shkollën fillore e kreu në Kaçanik. Në mësime dallohej me sukses të shkëlqyeshëm. E donte shumë profesionin e mjeksisë, por edhe duke parë nevojen e popullit ajo regjistrohet në shkollën e mesme të mjeksisë “Elena Gjika” në Ferizaj. Mësimet në këtë shkollë me sukses të shkëlqyeshëm, por nuk arriti ti përfundoj. Ndërpreu maturen dhe radhitet në radhët e UÇK-së, në brigadën 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik, më 20 mars 1999, luftëtare e lirisë në ekipet mjekësore, në pikën e luftës, në Rakoc të Kaçanikut. Frymëzimin për atdhedashuri e kishte marrë nga prindërit, si dhe nga arsimtarët, sidomos nga profesori i rrespektuar Mejdi Dalloshi, dëshmorë i kombit. Gëzimin më të madh në jetë ajo e përjetoi ditën kur veshi uniformen e UÇK-së, kur puthi flamurin kombëtar duke dhënë betimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke u radhitur përkrah shoqeve bashkëluftëtare: Lumnije Raka, Jehona Raka, Milihate Shehu, Sevdije Shehu, Mukadeze Muhaxheri, Kadrie Piliqi, nënën e saj Sevdije Frangun, Afife Troni, Afrife Kivanjeva Troni dhe Xhaire Troni etj.

Ato luftuan krahë për krahë me vëllezërit e tyre në vijen e parë të frontit, duke ndjekur shembullin e dëshmoreve Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit, e të tjera. Në mëngjesin e 9 prillit 1999, armiku kishte sulmuar me shumë forca ushtarake e policore Rakocin e Kaçanikut. Beteja ishte e ashpër, luftëtaret e Brigades 162 “Agim Bajrami” e posaqërishtë njësitet e Batalionit të II dhe njësitet e policisë ushtarake nuk u tërhoqen para asnjë rreziku. Emsalja bashkë me nënën e saj Sevdijen, Jehonen, Lumnijen, Mukadezen ishin në detyrat e tyre luftarake. Në krye të kësaj detyre në mbrojtje të popullates bien heroikisht Emsale Frangu me bashkëluftëtarët: Nehat Caka, Muhamet Zeneli, Faruk Dogani, Ilir Zharku, Nexhmush Elezi, Lumnije Raka, Jehona Raka e Mukadeze Muhaxheri. Po këtë ditë gjatë luftimeve kanë rënë edhe 19 dëshmorë dhe 32 Martirë në mesin e tyre edhe baba i Emsales, Zijadin Frangu dhe gjyshi Xhemal Haziri.

Emsalja kishte prirje edhe për krijimtari poetike. Si maturante, me fillimin e luftës në Kosovë shkroi poezi për dëshmorët e parë, Agimin, Xheladinin dhe Besnikun.

(Nga libri: Flakë e Pashuar e autorit Hajrush Kurtaj, në f.159-160)

 

Mukadeze Muhaxheri (12.04.1960-09.04.1999)

Mukadezja ishte bija e Bafti Likës, e cila lindi me 4 prill 1960 në Kaçanik, ku edhe kreu shkollen fillore. Po në qytezen e saj të dashur kreu edhe shkollen e mesme ekonomike. E frymëzuar nga tradita familjare dhe nga literatura me përmbajtje kombëtare liridashëse, në mars dhe prill 1981, Mukadezja me motren e saj Xhevrien marrin pjesë në demonstratat studentore, të cilat asokohe i kishte organizuar rinia atdhedashëse e Kosovës. Së bashku me motren e saj dhe me shoqe tjera moren pjesë në demonstratat e zhvilluara në Prishtinë, Ferizaj dhe në Kaçanik, përkrah vëllezërve të tyre që kishin ngritur grushtin kundër sundimit jugosllav. Ideali i lirisë vlonte në shpirtin e saj liridashës dhe kryengritës.Më 16 marse 1998 Mukadeze Muhaxheri ndodhet ne ballin e nënëva kosovare, që ishin nisur rruges per Drenice,por policia serbe me dhune I ktheu nga rruga ne Fushë Kosovë.Morri pjese ne shume aktivitete atdhetare.

Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Kaçanik, iu kishin bashkuar shumë trima e trimëresha. Në mesin e tyre shquhej edhe një nënë, nënë e katër fëmijëve të vegjël, e cila përkujdesin për fëmijët ia la bashkëshortit. Me rastin e zgjerimit të radhëve të UÇK-së në Kaçanik, Mukadeze Muhaxheri, nënë e katër fëmijëve të vegjël, me përkushtim ju bashkangjitet luftëtarëve të lirisë në luften çlirimtare. Fillimisht kryen aktivitete në logjistikë ndërsa në mars 1999 vendoset në piken e luftës në Rakoc të Kaçanikut. Mukadezja tani ishte në vijen e parë të frontit, ishte atje ku trimat dhe trimëreshat e lirisë po luftonin ballë për ballë. Ishte ndarë nga bashkëshorti dhe fëmijët e dashur, sepse ideali i lirisë ishte brymosur thellë në qenien e saj. Luftimet zhvilloheshin tejet të ashpëra, ndërsa luftëtaret tanë, edhe pse të armatosur me armatim të lehtë, po qëndronin fortë në pozicionet e tyre. Në vijen e frontit në Rakoc po lufton edhe Mukadezja me bashkëluftëtare së bashku me Besnik Bajren afër shtëpisë së Xhemajl Sopes. Luftimet vazhduan tërë diten ndërsa vet luftoi trimërisht në radhët e UÇK-së deri në momentin kur ra në altarin e lirisë me 9 prill 1999 në Rakoc të Kaçanikut. Po këtë ditë në luftime kanë rënë bashke me Heroinen Mukadeze Muhaxherin 27 dëshmorë dhe 32 Martirë. Ajo ra në altarin e atdheut, si: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Fatime Hetemi, Antigonë Fazliu, Myrvete Maksutaj, Luljetë Shala e shumë bija besnike të atdheut nga të gjitha viset e Shqipërisë.

Mukadeze Lika ka qenë e martuar me Agim Muhaxherin, ajo ka lënë pas vete bashkëshortin dhe fëmijët: Lirikën, Donikën, Albanen dhe Albanin, të cilët gjithmonë janë krenarë për jetën dhe veprën e nënës së tyre Dëshmore e Kombit.

(Nga libri: Flakë e Pashuar e autorit Hajrush Kurtaj në f.141-143)

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …