Masakra e Lumbardhit (ish Kotlinë), më 24 mars 1999
Lumbardhi (ish – Kotlina) shtrihet rreth 10-12 km në jugperëndim të Kaçanikut. Është vendbanim kodrinor-malor i tipit të shpërndarë në lagje. Lagjet kryesore: Droshec, Rekë, Stremqë dhe Halilallar, ndërsa familjet: Loku, Kuqi, Vlashi, Brakaj etj. (Për më gjerësisht shihni në librin e Dr. Jusuf Osmanit “Vendbanimet e Kosovës, Kaçaniku”, nr.10, f.134-136). Në vitin 1998/99 fshati kishte 69 shtëpi me 711 banorë shqiptarë. Pas luftës ka vazhduar zhvendosja e qytetarëve nga vendbanimet kodrinor-malor për në fshatra e qytete për kushte më të mira. Tani 26 vite, pas çlirimit në Lumbardh (ish – Kotlinë), jetojnë përafërsisht 10 familje me 40 banorë, shkolla është mbyllur!
Pas vendosjes së njësiteve çlirimtare në Lumbardh (ish – Kotlinë), më 26 shkurt 1999, të gjithë banorët e këtij fshati, u vunë në shërbim të UÇK-së, këtë e deklaruan në takimin e qytetarëve më 28 shkurt 1999 me zv. komandantin Hajrush Kurtaj të mbajtur në Shkollën fillore “Naim Frashëri”. Gjithashtu, në këtë takim, mësuam se Ali Beqa dhe Abush Loku ka disa ditë që nuk gjendeshin në fshat, ku më vonë njoftohet Komanda e Brigadës, se Ali Rakip Beqa i lindur më 30 janar 1973, i është bashkëngjitur njësiteve të UÇK-së në Reçak, (i cili ka rënë heroikisht, më 15 janar 1999 në Reçak), dhe Abush Liman Loku, i lindur më 20 korrik 1979, në Kotlinë i është bashkëngjitur Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare (ku dhe bie heroikisht, më 9 prill 1999 në Betejën e Koshares). Pas vendosjes të njësiteve të Brigadës 162 “Agim Bajrami” të UÇK-së nëpër pika të luftës, në Lumbardh (ish – Kotlinë) u vendos toga e Milaim Lokut, i cili kishte këtë përbërje: Emërlla Kuqi, Heset Loku, Ismajl Kuçi, Sabri Loku, Nexhadi Kuçi, Xhemajl Kuçi, Sabit Loku, Mahi Loku, Cen Loku, Adnan Loku, Izija Loku, Mustafë Loku, Nexhat Loku, Afet Kuqi. (më gjerësisht shini në librin e Hajrush Kurtaj, “Shungullon Gryka e Kaçanikut – Dëshmorët e kombit”, Kaçanik, 2000).
Me një entuziazëm iu bashkëngjitën radhëve të UÇK-së, në togën e Milaim Lokut edhe këta kotlinas: Femi Kuçi, Sali Vlashi, Jeton Kuqi, Bashkim Kuçi, Besim Kuçi, Ramadan Vlashi, Rexhep Loku, Fevzi Kuçi, Safet Loku si dhe Selman Kuqi i cili më 3 mars 1999, u emërua nga Komanda e Brigadës, komandant i Batalionit të Tretë. Pas luftimeve të 8 marsit 1999 në Ivajë, vazhduan luftimet edhe në Kotlinë, më 9 mars 1999 ku heroikisht bie komandanti i togës Milaim Loku, i lindur më 5 maj 1965 në Kotlinë, me bashkëluftëtarin Emërlla Kuqin, i lindur më 18 shkurt 1976 në Kotlinë.Të gjithë qytetarët e Kotlinës (gra, burra, djem e vajza) ishin në shërbim të UÇK-së, pëveç disa individëve që ishin në shërbim të aparatit shtetëror okupues serb (emrat e të cilëve janë të njohur për opinion si dhe janë publikuar edhe në dokumentet serbe). Luftimet e UÇK-së vazhdonin, kurse forcat serbe filluan sulmet e tyre të armatosura, ku ata sulmonin fshatrat: Ivajë, Kotlinë, Shtrazë dhe Gajre. Numri i forcave ishte mjaft i madh, me arsenal luftarak nga të gjitha llojet. (më gjerësisht shini në librin e Hajrush Kurtaj “Kontributi i femrës në luftën e UÇK-së në Kaçanik dhe Han të Elezit” 2022). Për Brigadën 162 ”Agim Bajrami” kjo ishte një sprovë e madhe, ku duhej të rezistonin edhe pse armatimi ishte shumë më i lehtë dhe i pamjaftueshëm. Forcat çlirimtare ishin të pozicionuara në këto vende: Batalioni i Dytë në fshatin Ivajë, udhëhequr nga komandant Azem Guri. Disa njësite të Batalionit të Parë në fshatrat: Bob, Kukaj, te Stanet, Kulla e Hasanit dhe Gajre. Kompania e udhëhequr nga Ilaz Ceka, toga e policisë ushtarke dhe Komanda e Brigadës në fshatin Ivajë e Vjetër. Njësitë e Batalionit të Tretë, të drejtuara nga komandanti Selman Kuqi, në fshatin Kotlinë. Pas luftimeve të ashpra në Ivajë, forcat okupatore serbe i përqendrojnë forcat e mëdha dhe rrethojnë fshatin Kotlinë. (më gjerësisht shini në librin e Hajrush Kurtaj “Ditar i luftës – Në rrugën e lirisë – fakte dhe kujtime”, Prishtinë, 2012).
Forcat okupatore serbe, duke mos qenë në gjendje të realizonin objektivat e tyre, duke mos pasur mundësi të marshonin përpara, ato ndërruan strategjinë e veprimit. Pezmin e tyre e zbrazën në fshatin Kotlinë. Në fillim forca të mëdha rrethuan fshatin dhe filluan të ngushtojnë rrethin. Gjatë marrshimit përpara ata mblidhnin popullatë civile të parmatosour, duke mos dalluar moshën, dhe as gjininë. Ndërkohë, ata kishin filluar seleksionimin, fëmijët, gratë e vajzat të cilët i përdornin peng. Në këtë situatë luftëtarët e lirisë u gjenden në situata shumë të vështira, meqë ata nuk kishin mundësinë të vazhdojnë luftën ballë për ballë, ngase duhej të sakrifikonin gjithçka për të shpëtuar fëmijët dhe gratë. Duke përdorur si masë mbrojtëse popullatën vendore shqiptare, serbët arritën t’i rrethojnë dhe zënë në pozitë të rëndë 22 kotlinasë, civilë e ushtarë, të moshave të ndryshme. Në mënyrën më çnjerëzore, barbare i torturuan i masakruan, i vranë dhe i hodhën edhe të gjallë në dy puset e fshatit dhe i minuan për t’i fshehur gjurmët e krimit. (më gjerësisht shini në librin e Hajrush Kurtaj, “Shungullon Gryka e Kaçanikut – Dëshmorët e kombit”,Kaçanik, 2000). Ato veprime bizare serbe bëheshin me të gjitha mjetet dhe para syve të nënave e baballarëve dhe fëmijëve. Ishin këto momente të rënda që Kotlina nuk i kishte përjetuar asnjëherë gjatë historisë. Ishin këto veprime qyqare të kriminelëve serbë, të cilët duke mos qenë në gjendje të bënin luftë në front me ushtrinë çlirimtare, vrisnin njerëzit e paarmatosur. Në masakrën e fshatit Kotlinë, më 24 mars 1999 janë vrarë dhe masakruar: Garip Loku 45 vjeçar, Naser Fazli Loku 24 vjeçar, Vesel Vlashi 54 vjeçar, Idriz Kuçi 59 vjeçar, Zymer Loku 63 vjeçar, Minah Baki Kuçi 16 vjeçar, Sherif Kuçi 26 vjeçar, Beram Loku 27 vjeçar, Agim Loku 27 vjeçar, Ismajl Loku 25 vjeçar, Ismet Loku 22 vjeçar, Danush Kuçi 16 vjeçar, Ibush Loku 18 vjeçar, Naser Rexhep Loku 16 vjeçar. Ndërsa, nga forcat tona që bënë përpjekjet maksimale, për t’iu ndihmuar popullatës, u flijuan në mbrojtje të tyre: Ismajl Ismet Kuçi, i lindur më 3 nëntor 1978, në Kotlinë, Sali Bajram Vlashi, i lindur më 1975 në Kotlinë, Nexhadi Ferid Kuçi, i lindur, më 31 mars 1968, në Kotlinë, Xhemajl Nuredin Kuçi, i lindur më 3 shkurt 1977, në Kotlinë, Sabit Garip Loku i lindur më 11 tetor 1979 në fshatin Kotlinë, Sabri Hamit Loku, i lindur më 1976, në Kotlinë, Cen Ekrem Loku, i lindur më 8 mars 1961 në Kotlinë, Adnan Refik Loku, i lindur më 1 maj 1978, në Kotlinë, Izija Ismet Loku, i lindur më 3 shkurt 1976. Mahi Sabedin Loku, i lindur më 15 prill 1972, në Kotlinë si dhe Neshat Ferid Rexha. ( më gjerësisht për dëshmorët shini në librin e Hajrush Kurtaj “Flakë e Pashuar”, Prishtinë, 2017”).
Forcat armike mbanin peng shumë kotlinasë e kotlinase, të cilët forcat serbe dhe kolaboracionistët bashkëpuntorët shqipfolës i torturonin pandërprerë, me kërcënime të vazhdueshme edhe me vrasje.
Një numër të madh të tyre i dërgojnë në stacionin e policisë në Ferizaj. Torturat nuk ua kishin ndalur për asnjë çast, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe duke i vënë në gjendje të rëndë shëndetësore para vdekjes. Personat e arrestuar dhe të dërguar në stacionin e policisë serbe në Ferizaj kanë qenë: Baki Kuqi, Hasan Loku, Shaban Kuqi, Qemal Kuqi, Ismet Loku, Shemsi Kuqi, Lumni Kuqi, Feriz Kuqi, Metush Loku, Shaban Loku, Nuhi Loku dhe Fazli Loku.
Tragjedinë, që ndodhi në Kotlinë, nuk e përjetuan vetëm vendësit, por edhe disa mysafirë, që në ditën kritike kanë qëlluar në Kotlinë, si: Nazif Bushi, Rami Nazif Bushi, Sadik Bushi dhe Shabi Bushi. (më gjerësisht shini në librin e Hajrush Kurtaj “Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes”, Prishtinë, 2012).
Mënyra e vrasjeve dhe privimit nga jeta e shqiptarëve ishte bërë në forma të ndryshme dhe me mjete të ndryshme. E tëra kjo vepër makabre sikur nuk kishte mjaftuar për kriminelët, ku ata merrnin edhe masa të tjera, që të vepronin dhe në mënyra gjenocidale, duke bërë përpjekje t’i humbnin gjurmët e krimit. Pas kryerjes së masakrës, të masakruarit i hodhën në dy puset (bunarët) e fshatit. Kjo masakër masive, në hapësirën territoriale të Kaçanikut, shënon vazhdimësinë e krimeve dhe gjenocidit që bëheshin në tërë Kosovën.
Me keqardhje të thellë, por e kam për obligim t’i prezantoj veprimet më të shëmtuara të njeriut, veprimet e tradhtarit të kombit, sinonimit të së keqes, të kryemilicit të milicisë serbe të instaluar në Kaçanik, Avdi Musa – Bajgora. Sipas dëshmitarëve të fshatit, ky person ogurzi e kolaboracionist i përbetuar, kishte marrë pjesë aktive në kryerjen e masakrave të bashkëkombësve të vet.
Ishin kohë të mjegulluara, kur shumë gjëra bëheshin në paqartësi të mëdha. Një gjë ishte e njohur sepse diheshin bashkëpunëtorët e okupatorit, me emër e me mbiemër, kudo e kurdo njiheshin, meqë tashmë ata kishin damkë, pasi që karakteri më i ulët i tyre ishte shëmtim i kombit. Këta të mjerë ishin të rekrutuar dhe punonin në mililicinë lokale serbe, por nuk kishin asnjë fuqi tjetër ndikuese. Thjesht, ata ishin shërbëtorë, butakë a pakurrizorë, vetëm informatorë tejet të thjeshtë. Me keqardhje, më duhet të theksoj se: në këtë fshat kishte një numër individësh të tillë të angazhuar në milici lokale serbe?! Por, mjerisht në fund as ata nuk u kursyen nga serbët, të cilët dhe u keqpërdorën si mosmëkeq! (më gjerësisht shini në librin e Hajrush Kurtaj, “Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes”, Prishtinë, 2012). Më datën e 24 marsit 1999, u dogjën dhe u shkatërruan fshatrat: Kotlinë, Ivajë dhe Gajre nga forcat serbe.
Njësitet e UÇK-së operonin me një taktikë që i përgjigjeshin rrethanave të krijuara. Ata bënë edhe të pamundurën të mundur, në mbrojtje të popullatës civile, të cilës i kanosej shfarosja e tërësishme. UÇK-ja duke vepruar dhe duke mbajtur në zjarr situatën, lëvizën nga fshatrat: Ivajë, Gajre dhe Kotlinë në fshatrat Bob, Kukaj, Kovaçec, Biçec (lagjen e Bunjakëve). Nga situata tepër e rëndë u imponua të mbajmë një takim të Komandës së Brigadës me komandantët e njësive, të cilin e realizuam në lagjen e Bunjakëve, më 25 mars 1999. Në këtë takim morën pjesë të gjithë komandantët, përveç Selman Kuqit, i cili me disa ushtarë të Kotlinës (së bashku me qytetarët e Kotlinës) kishin udhëtuar për në Maqedoni. Nga ushtarët e Kotlinës, që nuk u larguan edhe pas masakrës, por u paraqitën në Komandën e Brigadës ishin vetëm Jeton Kuçi dhe Rexhep Loku, (kurse me 1 maj 1999, nga Maqedonia kthehet Heset Loku dhe me 9 qershor 1999, nga Maqedonia kthehet edhe Selman Kuqi). Nga ky takim i shkurtër, për shkak të rrethanave, dolën këta urdhra: “Në këto fshatra të vendosen roja 24 orëshe; në të gjitha pikat e vëzhgimit të vendosen vëzhguesit dhe të vëhet gjendja më e lartë e gatishmërisë; komandantët e batalioneve dhe njësive varëse të raportojnë në komandë mbi numrin e luftëtarëve; të formohen njësitet e vëzhgimit, të cilat ditën e nesërme do të fillojnë vëzhgimin në fshatrat: Ivajë, Ivajë e Vjetër, Gajre dhe Kotlinë, njësitet të bëjnë pastrimin e fshatrave që të përgatitet terreni për rikthimin e tyre në pozicionet e mëparshme!” (më gjerësisht shini në librin e Hajrush Kurtaj, “Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes”, Prishtinë, 2012). Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” u vendos të Kulla e Hasanit – “Rambuje”.
Luftëtarët, që u dalluan në luftën e Ivajës, më 24 mars 1999, ishin: Azem Guri, Xhemajl Krivanjeva, Izet Krivanjeva, Vehbi Koraçi, Deli Krivanjeva, Ahmet Krasniqi, Remzi Krraba, Rrustem Gudaqi, Beqir Krasniqi, Shpend Krasniqi, Yll Krasniqi, Samet Krasniqi, Shefqet Mani, Besim Mani, Muharrem Deda, Fahri Vishi, Bejtulla Krasniqi, Naim Topojani, Qazim Topojani, Nehat Krasniqi, Muharrem Troni, Qemal Ahmeti, Remzi Luzha, Xhevahir Berisha, Bekim Gudaqi, Lutfi Jaha, Sahit Bela, Isen Bela, Hajrullah Shehu, Shaban Topojani, Ahmet Burrniku, Tahir Burrniku, Sylejman Burrniku, Refik Koraçi, Ekrem Selimi, Nexhmedin Luta, Hajredin Luta, Shaip Luta, Mejdi Mulaku, Bekim Mulaku, Xhelal Luta, Emrush Luta, Xhemajli Luta, Nexhat Luta, Bejtush Jaha, Gyltene Troni, Afrim Kurtaj, Sadik Guri, Haxhi Qallaku, Fadil Qallaku, Gëzim Terziu, Sahit Tusha, Nuhi Provoliu, Ferat Malsiu, Avni Shehu, Jetish Terziu, Mexhid Palloshi, Enver Thaçi, Ahmet Bela, Naser Bela, Izja Bela, Feriz Deda, Besim Ilazi, Ekrem Dullovi. (më gjerësisht shini në librin e Hajrush Kurtaj “Ditar i luftës – Në rrugën e lirisë – fakte dhe kujtime”, Prishtinë, 2012).
Fshati Lumbardh (ish – Kotlinë) nga sulmet barbare serbe edhe të përkrahura nga disa kolabracionistë shqipfolos në vitin 1999, ka pësuar humbje të mëdha, sidomos në njerëz. Në luftë kanë rënë 29 qytetarë, nga të cilët 13 dëshmorë. Forcat barbare serbe kanë shkatërruar 47 shtëpi, shkollën me tërë dokumentacion, ambulancën, xhaminë dhe disa objekte përcjellëse afariste. Të vrarët dhe të masakruarit i kanë hudhur e maskuar në dy puset e fshatit në vendin e quajtur Shulla (në dy varreza masive) dhe i kanë mbuluar, për t’i fshehur gjurmët e krimit dhe gjenocidit. Intensiteti i bombardimeve të NATO-s në caqet ushtarake serbe shtoi edhe më tepër agresivitetin e forcave të ndryshme ushtarako-policore, paramilitare-çetnike dhe shtrirjen e tyre në të gjitha zonat e territorit të Kaçanikut, të cilët më parë kishin filluar nëpër fshatrat malore, ku tani ato zbrisin edhe në ato fushore si edhe në qytet. Një ofensivë e tillë filloi më 28 mars 1999, edhe në Kaçanik, duke vrarë njerëz civilë, në rrugë, në shtëpitë e tyre, a banesat e tyre. Të gjitha këto veprime barbare forcat serbe i kanë bërë në bashkëpunim me bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës, të cilët i kemi përmend pareshtur me emëe e mbiemër më parë dhe që do t’i përmendim në vazhdimësi.
Sulmet nga forcat policore, ushtarake, paramilitare serbe, të përkrahura nga disa kolabracionistë në Kaçanik vazhdonin, më 28 mars 1999, në Kaçanik ku u vranë dhe u masakruan këta civilë, në pragun e shtëpive të tyre, në ditën e Bajramit: Hajdin Bela, Adem Bela, Fatmir A. Bela, Xhevat Bushi, Rexhep Çallaku, Reshat Beqa, Nexhat S. Beqa, Vedat S. Beqa, Hamit Berisha, Shefket Dema, Halil Sopa, Ilaz Nika, Adem Bushi, Hisen Tusha, Qamil Raka, Sherife Reka-Raka (e cila nga plagët e marra vdiq në kampin e Bllacës) si dhe Blerim Dema ka rënë dëshmor. Po në këtë ditë ekzekutohet edhe Rexhep Teneqja. (më gjerësisht shini në librin e Hajrush Kurtaj “Kontributi i Grave dhe vajzave në luftën e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes 2024”).
Bazuar në situatën e krijuar si dhe duke parë rrezikimin e qytetarëve në Kaçanik, Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, në takim me Shtabin dhe komandantët e njësive, analizoni situatën dhe mori vendim që njësitet e Batalionit të Dytë të vendosen në Stagovë, Kaçanik i Vjetër, Runjevë, Krivanjevë, dhe në Stanet e Brutëve, me qëllim që të jenë sa më afër popullatës për t’u ardhur në ndihmë, atyre ndërsa Komanda e Batalionit të Dytë vendoset në Runjevë; Komanda e Batalionit të Parë dhe Kompania e Parë të vendoset në Biçec në Lagjen Zharku; Kompania e Dytë dhe e Tretë të vendosen në Kullën e Hasanit dhe te Stanet e Bobit si dhe Batalioni i Tretë vazhdojë te Puset e Nikës dhe në Gjurgjedell!” (më gjerësisht shini në librin e Hajrush Kurtaj “ Ditar i luftës – Në rrugën e lirisë – fakte dhe kujtime”, Prishtinë, 2012)Forcat okupatore serbe u hakmorën ndaj popullatës civile, siç do të hakmerren kudo tjetër në Kosovë, duke vrarë e masakruar gra, pleq dhe fëmijë, por radhët e të lavdishmes UÇK, zgjeroheshin e rriteshin për ditë, në gjith Kosovën e në veçanti në Brigadën 162 “Agim Bajrami” e kështu vepruan edhe shumë qytetarë të Kotlinës, duke u kthyer nga Maqedonia dhe Shqipëria të armatosur për tju bashkangjitë vijave të frontit…Pas masakrës së Kotlinës njësiteveve në Puset e Nikës i’u bashkangjitën këta ushtar: Vebi Kuçi, Avni Kuqi, Burhan Kuqi, Rrahim Loku, Nazif Loku, në Gjurgjedell: Abaz Loku dhe Sokol Loku si dhe në Pashtrik këta ushtar: Latif Loku dhe Avdi Loku. Nga gjithë kjo, shihet vendosmëria dhe sakrifica e qytetarëve të Kotlinës për lirinë e Kosovës. Prandaj, studiuesit e rinj, që mund e që duhet të marrin për studim temën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet t’i kenë parasysh këto fakte të lartpërmendura, një për një, jo vetëm për t’i numëruar por për t’i analizuar në imtësi.
HAJRUSH KURTAJ, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës