Hajrush Kurtaj: LUFTA E PËRGJAKSHME NË KAÇANIK, RAKOC, LAGJE E RE DHE NIKAJ

Nëntë prilli i vitit 1999

 Luftërat shekullore që zhvilloi populli shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm për të fituar lirinë dhe pavarësinë kombëtare, krijuan tradita të shkëlqyera luftarake e patriotike. Por, siç dihet populli ynë asnjëherë gjatë gjithë historisë, ai nuk ishte më i bashkuar dhe aq i vendosur e i sigurt për fitore se sa në luftën e UÇK-së.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, ishte arritja më kulmore në historinë tonë e cila ia ndërroi rrjedhat e historisë. Ajo e vulosi fillimin e luftës për çlirimin e Kosovës, por edhe fitoren e kësaj lufte. Pra, familja Jashari u bë shembulli më kuptimplotë i sakrificës dhe i flijimit për lirinë e saj, në ato përmasa madhështie që i kalojnë kufijtë e reales dhe marrin konturat e legjendës.

Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ishte e gjatë dhe plot me sakrifica, meqë ajo ishte edhe e lavdishme. Ajo zhvilloi luftime të përgjakshme në tërë territorin e Kaçanikut me rrethinë. Në tërë territorin gjeografik të Kaçanikut, përveç luftërave të ashpra frontale kundër një ushtrie përpjesëtimisht më të madhe, me një ushtri shumë më të vogël dhe të pabarabartë, kuptohet edhe me gjakun e shtrenjtë të kësaj popullate të: fëmijëve, grave,  pleqve dhe luftëtarëve trima, kjo hapësirë shërbeu edhe si urë kaluese jo vetëm e udhëheqësve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por edhe urë transportuese e pajisjeve të mjeteve luftarake për tërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. (Shungullon Gryka e Kaçanikut (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik, 2000),

Armiku ishte i pranishëm me forca të shumta dhe i armatosur deri në dhëmbë. Por të mos harrojmë se, në këtë kohë, vështirësitë shtoheshin edhe nga veprimtaria e kolaboracionistëve të maskuar ose të hapur, që fatkeqësisht ishin në shërbim të armikut.

Në luftimet e 9 prillit në Rakoc dhe Lagje të Re bënin rezistencë njësitë e Batalionit të Dytë të drejtuara nga komandant Azem Guri dhe një skuadër e Policisë Ushtarake e drejtuar nga komandant Fadil Çaka kurse në luftimet në fshatin Nikaj bënte rezistencë, një kompani e drejtuar nga komandanti Feriz Guri nga Batalionit i Parë. (Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Prishtinë, 2012),

 Luftimet ishin të ashpra, meqë forcave okupatore serbe iu erdhën në ndihmë forca të mëdha ushtarake, policore dhe paramilitare nga Ferizaji, Gjilani e Prishtina. Gjatë këtyre luftimeve të ashpra dhe qëndresës heroike të njësiteve çlirimtare, në vijën e parë të frontit bien heroikisht komandantët dhe ushtarët të cilët luftonin ballë për ballë kundër forcave serbe. Ishin djemtë dhe vajzat, (Kontributi i Femrës në Luftën Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik dhe në Han të Elezit (1998 – 1999), “SAS”, Prishtinë, 2022), që iu dolën përballë forcave armike, duke u shkaktuar humbje të mëdha dhe thyen mitin e pathyeshmërisë së tyre, duke  lënë të vrarë ushtar e policë të forcave okupatore serbe, ku humbjet e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ishin të mëdha. Ndërsa edhe nga njësitë çlirimtare tona, në këto luftime të ashpra, ranë 28 dëshmorë e 32 martirë. (Në Rrugën e Lirisë (ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente), Prishtinë, 2012),

 Në betejën e Rakocit më 9 prill 1999, bien dëshmorë: Fadil Çaka, Muhamet Zeneli, Ilir Zharku, Nehat Çaka, Faruk Dogani, Jehona Raka, Reshat Shehu, Adem Rakoci, Daut Rakoci, Avdurraman Shehu, Shefket Fera, Nevzad Çallaku, Kijani Bela, Nexhmush Elezi, Nexhmush Fera, Kadri Trena, Lumnie Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika – Muhaxheri, ndërsa plagë të lirisë marrin këta luftëtarë: Rrustem Dema, Besnik Bajra dhe Nexhmedin Brruti. (Flakë e Pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë) Ndërkaq, në Lagjen e Re bien dëshmorë: Izahir Troni, Habit Dullovi, Remzi Zharku, Raif Krivanjeva, Sylejman Kuka, Burim Rexha, Mynir Thaçi, Fatmir Horuni, Blerim Raka, Kadri Trena, kurse nga popullata civile u vranë këta civilë në Rakoc dhe Lagje të Re: Nebih H. Topojani, Zahir T. Çaka, Irfete B. Çaka, Jonuz B. Bajra, Murat S. Raka, Menduh S. Nallbani, Tefik M. Nallbani, Maksut M. Nallbani, Xhili Rexha, Hamide Z. Rexha, Mine A. Gashi, Mezrike B. Dogani, Hamit H. Shehu, Haki J. Livoreka, Xhyli B. Raka, Ekrem I. Raka, Xhemail A. Haziri, Bajrush Q. Axhami, Izjadin R. Frangu, Ilaz B. Rakoci, Osman N. Livoreka, Arif S. Raka, Nebih A. Livoreka, Avdullah Sh. Burrniku, Adnan I. Gula, Rizah H. Koraçi, Bedri A. Zharku, Aziz I. Axhami, Rufki B. Mulaku, Ramadan S. Spahiu, Afet R. Bushi dhe Maliq H. Zharku. (Flakë e Pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë)

 Në Biçec morri plagë të rëndë të lirisë Fadil Bunjaku dhe i cilindërroi jetë në spitalin e Tetovës. Në Nikaj marrin plagë të lirisë këta luftëtarë: Shefki Guri dhe Jashar Selimi. Në çafën e Drenushës, bie dëshmori Imer Vila, kurse në kufirin shqiptaro-shqiptar në Koshare, bien dëshmor: Imri Curri dhe Abush Loku. (Flakë e pashuar, Prishtinë, 2017, Instituti i Historisë)

Beteja e 9 prillit 1999 në Rakoc, Lagje të Re dhe në fshatin Nikaj ka një rëndësi të madhe historike dhe strategjike, jo vetëm për territorin e Kaçanikut, por edhe të Kosovës. Duke vlerësuar këtë rëndësi të madhe historike dhe rolin e komandantëve dhe ushtarëve, në këtë betejë, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, shpalli heronj të Kosovës: komandantin  Izahir Tronin, Fadil Çakën, Muhamet Zenelin, Reshat Shehun,  më 10 gusht 2019. Shumë e rëndësishme është të theksohet se njësitet e UÇK-së, të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, kishin një forcë ushtarake, e cila pavarësisht nga vullneti, motivi, guximi, organizimi, disiplina, njohja e terrenit dhe nga përkrahja e popullatës, ishte e armatosur me armatim të lehtë, municion të paktë, me veshmbathje të dobët dhe numër të vogël ushtarësh. Ushtria jonë Çlirimtare luftën e zhvillonte në terren të populluar me popullatë shqiptare, të cilin duhej ta mbronte në objektivin e saj për çlirimin e vendit, përballë një force pa vullnet, pa motiv, pa guxim, pa disiplinë, por të armatosur me armatim modern dhe të sofistikuar, me ushtarë të shumtë në numër e me municion të pakufizuar, duke mos u kujdesur për pasojat në popullatën civile, madje duke e sulmuar dhe duke masakruar, si formë të presionit për mospërkrahje të forcës së tyre ushtarake. Studiuesit e rinj lypset që të marrin temën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqë duhet t’i kenë parasysh këto fakte më lartpërmendura!.

Falë sakrificës së madhe të luftëtarëve të UÇK-së, u arrit që me sukses të tërhiqen ushtarët e plagosur dhe u dërguan në spitalin ushtarak të Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Kullën e Hasanit. Burrat, gratë dhe vajzat kanë dhënë një kontribut të madh në mbështetje të luftës çlirimtare. Duke vlersuar angazhimin e grave dhe vajzave në luftën e UÇK-së, e sidomos e rënies heroike në vijën e pare të frontit të Jehona Rakës, Lumnie Rakës, Emsale Frangut dhe Mukadeze Lika-Muhaxheri. (Kontributi i Grave dhe Vajzave në Luftën Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Nerodimes (1998-1999) Prishtinë 2024, Instituti i Historisë). Këto dëshmore me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu, ka dekoruar me  Dekorata Presidenciale, Heroina të Kosovës—një ngjarje e veçantë për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të personaliteteve të shquara vendore dhe ndërkombëtare në çlirimin, zhvillimin dhe përparimin e Kosovës. Kjo ceremoni solemne është mbajtur më 18 shkurt 2025 (e martë), në ora 12:00, në Sallën e Filharmonisë (përballë Sallës së Kuqe) në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, Prishtinë, ku familjarët e dëshmorëve kanë pranuar dekoratat dhe vendimin e shpalljes Heroina të Kosovës.

Kaçaniku ndihet krenar, për luftën heroike të burrave, grave, djemve dhe vajzave, të renditur në Brigadën e lavdishme 162 “Agim Bajrami” si dhe të gjithë Dëshmorëve të Kombit, kudo që kanë rënë, për t’i çliruar tokat e pushtuara të Shqipërisë.

Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

                       

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece: KUR TË LARGOHEM UNË, SHQIPËRINË HIDHE PËRSËRI NË LUFTË..

Ylli Mece: KUR TË LARGOHEM UNË, SHQIPËRINË HIDHE PËRSËRI NË LUFTË..

(Radio – përgjim i supozuar i “Kusur madhit” midis Berishës… dhe Cris Lacivitës) Poshtë tryezes …