Gjykata Speciale e fton për intervistim edhe ish-eprorin e lartë i UÇK-së, në Zonën e Kaçanikut, Hajrush Kurtaj

Hajrush Kurtaj: Pavarësisht rënies së dëshmorëve, martirizimit dhe masakrave serbe, ia ka vlejtur lufta e UÇK-së, sepse ajo i solli liri Kosovës

Në një bisedë në studion e TV-diellit, ish eprori UÇK-TMK-së, Hajrush Kurtaj,  zëvendës-komandant brigade, në muajin e fundit të luftës, në fund edhe komandant  i Brigadës 162, “Agim Bajrami” të Zonës Operative të Neredimes, vëlla i dy dëshmorëve të kombit: Xheladin Kurtaj dhe Danush Kurtaj ka folur për organizimin dhe zhvillimin e  luftës së UÇK-së në vitet 1998-1999, në Zonën e Kaçanikut.

Hajrush Kurtaj, tani zyrtar i lartë  i MFSK-së, ka rrëfyer historikun e luftës nga bërthamat e para në Zonën e Kaçanikut e më gjerë,  qysh në fillimin e saj. Ai ka folur për një korridor ilegal të bartjes së armatimit nga Shqipëria e Maqedonia, qysh në fillim të luftës, armë këto që dërgoheshin për nevojën e luftës në Zonën e Pashrikut madje edhe të Drenicës. Po kështu, Hajrush Kurtaj ka treguar se bërthamën e parë të luftës së organizuar në këtë anë e kishte themeluar, ish veprimtari, i burgosuri politik, tani heroi i Kosovës, Agim Bajrami.

Pas krijimit me sukses të bërthamave të para, Agim Bajrami, më  10 Gusht të vitit 1998  ndodhej në fshatin Gabrricë, kur ishte rrethuar herët në mëngjes nga forcat policore e ushtarake serbe. “Atë ditë në shtëpinë time kanë rënë: komandanti, Agim Bajrami, vëllai im, Xheladin Kurtaj, i cili ishte komandant i Policisë Ushtarake dhe  Komandanti i Parë të Togut Vëzhgues, Besnik Begunca, Po atë ditë policia serbe kishte arrestuar edhe vëllanë tim Danushin, i cili është martirizuar në Masakrën e Burgut të Dubravës, nga forcat serbe në maj të viti 1999.

Eprori i UÇK-TMK-së, Hajrush Kurtaj ka thënë se  fillimi i Luftës Çlirimtare në Gabrricë shënon 3 ngjarje historike: fillimin e Luftës Çlirimtare në Komunën e Kaçanikut, rënien heroike të Komandantit të Parë të UCK-së për Kaçanik, të Gjeneral Agim Bajramit, Komandantit të Parë të Policisë Ushtarake, Xheladin Kurtaj dhe Komandantit të Parë të Togut Vëzhgues Besnik Begunca. Kjo sipas tij ishte periudha e fillimit të luftës, të cilën ai e ka cilësuar  si periudha e Komandantit të parë të UCK-së për Kaçanik, Gjeneralmajor Agim Bajrami.

Ngjarjet që  janë zhvilluar në këtë periudhë i ka radhitur:

Ardhja dhe emërimi i Komandantit të Parë për UCK-në në Kaçanik.

Koordinimi i Njësiteve të furnizimit.

Formimi i Njësitit i cili udhëtoi më 18 Korrik  1998 për përgatitje ushtarake dhe furnizim në Tropojë të Shqipërisë.

Formimi i Njësitit të Kaçanikut i cili vendoset më 4 Gusht 1998 në pikën e luftës në Jezerc.

10 Gushti 1998 – fillimi i Luftës Çlirimtare në Gabrricë (kjo datë shënon 3 ngjarje të rëndësishme historike: fillimin e Luftës Çlirimtare në Komunën e Kaçanikut, Rënien heroike të Komandantit të Parë të UCK-së për Kaçanik Gjeneral Agim Bajramit, Komandantit të Parë të Policisë Ushtarake, Xheladin Kurtaj dhe Komandantit të Parë të Togut Vëzhgues Besnik Begunca.

Më 17 gusht të vitit  1998, deri më 14 Maj të vitit 1999 ai ka evidentuar periudha e Komandantit të Brigadës 162 “Agim Bajrami” Qamil Ilazi.

Zhvillimet  luftarake  në këtë periudhë kanë qenë:

Ardhja e Komandantit Qamil Ilazi në Jezerc dhe shkuarja në Shtabin e Përgjithshëm në Kleçkë dhe emërimi i tij Komandant për Njësitë e Kaçanikut pas rënies heroike të Komandantit Agim Bajrami.

Beteja e 28 Shtatorit 1998 në Jezerc.

Beteja e 26 Shkurtit 1999 në Puset e Nikës.

Beteja e 28 Shkurtit 1999 në Gajre.

Beteja e 8 Marsit 1999 në Ivajë dhe 9 Mars 1999 në Kotlinë.

Beteja e 24 Marsit 1999 në Gajre, Ivajë dhe Kotlinë (Masakra e Kotlinës).

28 Marsi 1999 në Kaçanik (vrasje të qytetarëve nga forcat serbe nëpër shtëpi, banesa, rrugë.)

Beteja e 9 Prillit 1999 në Rakoc, Lagje të Re dhe Nikaj.

Masakra e 13 Prillit 1999 në Sllatinë, Lamaj, Tifek dhe Cakaj.

22 Prilli 1999, 24 Prilli 1999, 27 Prilli 1999, 28 Prilli 1999 dhe 30 Prilli 1999

14 Maji 1999, rënia heroike e Komandantit të Brigadës Qamil Ilazi në krye të detyrës në fshatin Nikoc, Lagjja e Veselëve.

15 Maj 1999 – 11 Qershor 1999 – Periudha e ushtruesit të detyrës së Komandantit të Brigadës 162 “Agim Bajrami”.  Hajrush Kurtaj

Ngjarjet më të rëndësishme të kësaj periudhe kanë qenë:

15 Maji 1999 – organizimi dhe varrosja me nderime ushtarake e Komandantit Qamil Ilazi.

Beteja e 19 Majit 1999 në Llanisht.

Beteja e 21 Majit 1999 në Stagovë, Runjevë, Krivanjevë dhe Dushkajë.

Beteja e 25 Majit 1999 në Bob-Kukaj, Kovaqec, Biqec, Nikaj, Dubravë.

11 Qershor 1999 – Çlirimi i qytetit të Kaçanikut dhe vendosja e Flamurit Kombëtarë në ndërtesën më të lartë të Kaçanikut nga njësiti i Batalionit të Dytë.

12 Qershori 1999 – dorëzimi i detyrës së Komandantit të Brigadës Xhabir Zharkut, i  cili u emërua nga Shtabi i Përgjithshëm.

Gjatë bisedës në studion e TV-Diellit, Hajrush Kurtaj ka rrëfyer edhe për organizimin e dhe veprimin e operativës së kësaj Brigade, për luftimet e betejat, për masakrat që kanë kryer serbët, ndërsa ka veçuar faktin se luftëtarët e kësaj zone, gjithnjë kanë qenë në mbrojtje të popullatës dhe shumë prej tyre kanë rënë,  pikërisht duke e mbrojtur atë me aq  armë e municion sa kanë pasur.

Ai po ashtu ka treguar edhe për sigurimin që i kanë bërë ushtarët dhe eprorët e kësaj zone lëvizjeve të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë depërtimi në Shqipëri, duke treguar vigjilencë maksimale dhe duke mos lejuar që të bjerë në pritën e serbëve asnjë prej tyre.

Hajrush Kurtaj ka folur edhe për organizmin e brendshëm të Brigadës, sektorin e informimit i cili ka informuar lidhur me zhvillimet në terren SHP të UÇK-së, pastaj Radion Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosovapress, për  regjistrimet me kamerë, të cilat i ka bërë luftëtari i lirë dhe kameramani, Shefket Palloshi e të tjerë.

“Ditën e çlirimit më 11 qershor në orën 16.00 kemi hyrë në Kaçanik dhe kemi ndërmarrë të gjitha masat për ta siguruar jetën e qytetarëve që pritej të ktheheshin nga Maqedonia dhe ata që po zbrisnin nga malet, ku kishin qëndruar deri në fund të luftës.  Serbët kishin lënë vende të minuara dhe duhej një kujdes i veçantë në deminimin e terrenit.

Eprori i UÇK-TMK-së ka folur edhe për periudhën e pas luftës, angazhimin e tij në kreun komandues të TMK-së në Zonën e gjashtë në Gjilan, pastaj shumë aktivitete të tjera.

Kurtaj ka shkruar disa libra për luftën e UÇK-së, për dëshmorët e Zonës së Kaçanikut e më gjerë dhe është bashkëpunëtor i Redaksisë, Dëshmorët e UÇK-së e cila nxjerrë në dritë monografinë “Feniksët e lirisë”.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …