Drejtori i Fondacionit “Rockfeller Brothers” për Ballkanin, Haki Abazi në një bisedë për Gazetën Blic ka thënë se të gjitha këto që po ndodhin në Kosovë, si shkak kanë paperspektivën, varfërinë, dhe jetën e e padinjitetshme që janë duke e bërë qytetarët e Kosovës. Ai shpreson që këto arrestime të xhihadistëve nga Kosova të mos shfrytëzohen për poenë politikë.
Abazi shtron pyetjen se përse këto arrestime ndodhën në Kosovë, e nuk ndodhën në Shqipëri, Bosjne, apo në ndonjë vend tjetër të Ballkanit.
“Sot zyrtarisht është hapur edhe një front i ri i betejave për Kosovën. Lufta për ligj rend dhe preventivë të akteve terroriste është bërë pjesë e sektorit të sigurisë që nga 11 shtatori 2001, andaj edhe Kosova nuk mund të jetë ndryshe. Edhe ajo duhet vepruar me mençuri për të mos i kontribuar ndasive dhe që të mos shkaktohen gabime ashtu siç kemi parë gabime në këtë lloj angazhimi në Irak dhe vendet tjera shumë më të fuqishme se Kosova”, ka thënë Abazi për Gazetën Blic.
Sipas tij, “duhet thënë shumë drejtpërdrejtë që ajo që po shohim duke ndodhur në Kosove është pasojë e ngufatjes, paperspektives, fukarallëkut dhe jetës së padinjitetshme të qytetarëve që nuk ju ka mbetur rrugëdalje”.
Abazi vlerëson se dy milionë kosovarë janë mbyllur në një burg kolektive pa mundësinë e daljes dhe për më shumë se 30 vite pa mundësi zhvillimi, pa perspektivën e vendeve të punës me një arsimim jashtëzakonisht të dobët dhe të korruptuar, sidomos arsimimi i lartë.
Ai shton se të gjitha këto i bëjnë disa të rinj shqiptarë nga Kosova, një kandidat perfekt për shpëlarje të trurit.
“Arrestimet spektakulare me dhjetëra personash me operacione policore, nuk është se kanë treguar efekte në luftimin e asnjë lloj ekstremizmi, e aq më pak një lloj të këtillë. Luftimi i çfarëdo veprimtarie antiligjore duhet të bëhet në mënyrë dhe strategji që përfshinë masat e preventives, por aq më tepër, shteti duhet të ketë analizë gjithëpërfshirëse të arsyeve se pse ky fenomen po ndodhë dhe të adresojë pikërisht këto arsye. Kjo sidomos duhet të bëhet për shkakun se në Kosovë nuk ka traditë të angazhimeve të atilla çfarë po i shohim duke ndodhur”, thotë drejtori i Fondacionit “Rockfeller Brothers”, i shpreh frikë se mos këto arrestime po përdoren për qëllime politike.
“ Shpresoj të mos shfrytëzohen këto akte dhe veprime për poenë politikë të atyre që po duan të dërgojnë mesazhe besnikërie drejt bashkësisë ndërkombëtare sepse do t’i kushtojë Kosovës shumë dhe me dekada. Pyetja është pse po ndodhë në Kosovë dhe jo në Shqipëri, Bosnje apo ndonjë vendi tjetër në Ballkan?”, thotë ai. Qeveria në ikje dhe Presidenca, janë ato që në fakt kanë dëmtuar jashtëzakonisht imazhin e Kosovës, duke u marrë me deklarata bombastike, duke krijuar përshtypjen se çdo kosovarë është terrorist dhe se vetëm Qeveria dhe Presidenca na qenkan ata që po luftojnë terrorizmin.
“Është qarte se deklaratat e tyre janë të shkëputura nga publiku dhe ne në asnjë formë nuk reflektojmë frymën e bashkëjetesës së religjioneve në Kosovë. Në Kosovë nuk ka vetëm tolerance, ka shëmbëlltyrë të bashkëjetesës, bashkëveprimit dhe bashkëpunimit të religjioneve ne mes e vete”, thotë ndër të tjera Abazi. /Gazeta Blic/