Haki Krasniqi u lind më 25 shtator të vitit 1959 në fshatin Vranoc të komunës së Pejës. Rrethi i familjes së Sylërexhëve ku ka lindur dëshmori, është i njohur për kontributin e dhënë në luftë për liri e çlirim nga pushtuesit, e veçanërisht nga serbët e malazezët, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këtej.
Prindërit e dëshmorit, Aliu e Nuria patën gjashtë fëmijë: Hakiun, Binakun e Rexhën, Gjylshahen, Ajmonen dhe Ajnen).
Dy kushërinjtë e Hakiut, heroi i kombit Adrian Krasniqi dhe dëshmori Përparim Xhafer Krasniqi u takonin radhëve të para të UÇK-së që nga themelimi i saj.
Në kohën kur pushtuesi serb po tentonte të shuante çdo frymë liridashëse shqiptare në Kosovë, Hakiu si shumë të rinj të tjerë, mori armën dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 20 maj të vitit 1998, menjëherë pas formimit të Shtabit Lokal të UÇK-së në vendlindjen e tij, në Vranoc. Bashkëluftëtarët e tij e kujtojnë si njeri të pjekur, të vendosur e trim, i cili me besnikëri e përkushtim i kryente të gjitha detyrat që i caktoheshin, si në roje e sogjetim në pika të caktuara të fshatit apo në detyrat të tjera. Në momentin e rënies, i përballur me armikun që kishte vënë pusi, nuk e lëshoi nga duart lesen me bashkëluftëtarin e plagosur që po e evakuonte nga zona e zjarrit të luftës.
Më 26 maj 1999, pas luftimeve të pandërprera disajavore, rrethi i luftimeve në Zonën Operative të Dukagjinit ishte ngushtuar shumë. Kishte shumë luftëtarë të plagosur rëndë, të cilët duhej të deportoheshin në drejtim të Shqipërisë. Një grup tjetër luftëtarësh ditë më parë ishte nisur në një rrugë tjetër që përmes Bjeshkëve të Strellcit të kalonte në Shqipëri, për të transferuar një grup luftëtarësh të plagosur rëndë por më 25 maj kishte rënë në pritën e ushtrisë serbe në trekëndëshin kufitar në Bogiçe, e në këtë përballje katërmbëdhjetë luftëtarë bien dëshmorë. Për të bërë përcjelljen e luftëtarëve të plagosur nga Qëndresa (ish-Ratishi) deri në fshatin Hereç e për të vazhduar më pas në drejtim të Shqipërisë, ishte ngarkuar luftëtari i UÇK-së, Luan Qerimaj nga Gllogjani, që njihte mirë terrenin nëpër të cilin duhej kaluar. Bashkë me ta ishte edhe një grup luftëtarësh që kishte ardhur nga Zona Operative e Drenicës për të shkuar në Shqipëri për furnizim me armë. Në mesin e luftëtarëve që u ngarkua për ta bërë përcjelljen e të plagosurve në njërën anë dhe në kthim për të sjellë armatim, ishte edhe Haki Krasniqi. Në këtë rrugëtim bashkë me Hakiun, veç luftëtarëve të tjerë, ishte edhe vëllai i tij, Rexha, dhe kushërinjtë e tij: Kadriu, Agroni, Rasimi, Rrustemi, Rama e Astriti.
Duke e konsideruar si kanal të rëndësishëm qarkullimi, të ndihmuar edhe nga disa kolaboracionistë shqiptarë, që në atë kohë njiheshin si “policë lokalë të Serbisë”, forcat serbe kishin zënë pritë në vendin e quajtur “Te Lejthijat e Gllogjanit”, në afërsi të fshatit Shaptej, në një vijë të gjerë. Sapo kishte kaluar ora 23 e natës së 26 majit të vitit 1999, kolona u gjend para zjarrit të armikut. Me të dëgjuar të krismës së parë, Luan Qerimaj që ishte në krye të njësitit pararojë iu kundërpërgjigj sulmit me “zolën” e tij, duke mundësuar tërheqjen e bashkëluftëtarëve dhe të të plagosurve. Në këtë betejë prite, në misionin për shpëtimin e të plagosurve bien dëshmorë: Luan Qerimaj, zëvendëskomandant i Batalionit të Dytë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” dhe komandant i Njësisë “Komando” për veprime diversive në prapavijë të armikut dhe Rexhep Tafa, nga Beci, Ndihmëskomandant për Mjekësi pranë Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, i ngarkuar për përcjelljen e të plagosurve, kurse plagë vdekjeprurëse marrin Haki Krasniqi, pjesëtar i Brigadës 135 “Agim Zeneli” dhe Bislim Alijaj nga Dujaka, pjesëtar i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, të ngarkuar për bartjen e të plagosurve. Në momentin e rënies së Haki Krasniqit dhe shtatë bashkëluftëtarëve të tij, ai kishte qenë duke e bartur luftëtarin Sali Krasniqi nga Barani i Poshtëm, i plagosur rëndë në betejën e zhvilluar në Kodër të Kamenicave, një ditë më parë. Dëshmori Haki Krasniqi, ka qenë i martuar me Resmien me të cilën pati shtatë fëmijë: Shyhreten, Fisniken, Shqipen, Arbneshën dhe Arlindën, Besnikun e Besartin. Familjes së tij i janë ndarë mirënjohje për sakrificën e treguar të dëshmorit nga Kuvendi Komunal i Pejës, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit etj.
Varrimi i trupit të dëshmorit Haki Krasniqi u bë në fshatin Ratish i Poshtëm (tash Qëndresë), më 27 maj 1999. Pas çlirimit të vendit trupi i tij u rivarros në varrezat e Vranocit, ndërkaq më 15 tetor të vitit 2000, është rivarrosur bashkë me kushëririn Përparim Krasniqi, pranë varrit të heroit Adrian Krasniqi, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Vranoc. (F. R.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …