Halepi po vuan nën “thundrën e përdhunës” gjakatare ruse assadiste e iraniane. Ky koalicion djallëzor i dy shteteve të huaja dhe i regjimit fashist, assadist, Sirinë e ka kthyer në gërmadhë, ndërsa fundi i mizorisë dhe çmendurisë po derdhet mbi banorët e Halepit, qytetit historik i qytetërimit islam dhe tërë botës myslimane dhe jo vetëm i asaj.
Burimet e fundit thonë se të paktën 20 gra kanë vrarë veten në mënyrë që të shpëtojnë nga përdhunimet. Qindra të tjerë janë të plagosur, ata qëndrojnë të shtrirë në rrugë e sheshe dhe askush nuk i ndihmon sepse breshëria e bombave nuk ka të ndalur për asnjë çast. Masakra vazhdon akoma, ndërkohë burime nga Halepi thonë se forcat qeveritare kanë ekzekutuar 180 persona duke i rreshtuar në një fushë.
Sodomia ruse-iraniane po e derdh mllefin barbar kundër tërë një populli, i cili u mashtrua keq në fjalën demokraci dhe u dogj në përpjekje për të kapur vlerat e saj. Sirianët ishin të bindur se Amerika dhe NATO-ja nuk do t’ i linte në duar të djallit alavit Assad. Shumëkush besoi, por të gjithë u zhgënjyen, ndërsa sirianët e paguan me kurriz mendjelehtësinë e tyre. Ata sot po përballën me bishën shumëkrerëshe fashiste, po përballën me mizorinë e pa parë e të padëgjuar ndonjëherë në trojet e tyre.
Dhe derisa fashizmi i ri i markës, “Kremlin-Teheran” po vringëllim fitoren satanike mbi Halep, bota po dëgjon dhe po bën sehir. Asnjë protestë e botës islame, arabe, asnjë ndihmë, asnjë përpjekje për kundërvënie, sepse ka vdekur shpresa se Amerika dhe bota perëndimore do të ndihmojë myslimanët, të cilët nuk bëhen kurrë bashkë rreth një qëllimi dhe kurrë nuk e mbrojtën njëri tjetrin.
Halepi sot ishte vend për reflektim, dhembje e mëshire, që nuk ekziston.
Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, Halepin e krahasoi me Srebrenicën e Ruandën dhe bërë thirrje të ndalet dora e krimit, por fjalët e saj i mori era, sepse pas nënshtrimit të Sirisë, as Amerika nuk është më ajo që ishte. Ditë më parë sekretari amerikan, Kerry, kërkonte nga fashistët rusë, asadistë e iranianë të tregojnë mëshirë ndaj popullatës civile. Asnjë adresim force, asnjë pipëtimë, asnjë shpresë…
Kështu dikur heshtnin dhe përtypnin mjerimin e tyre popujt e Evropës kur Kasapi Hitler po shfaroste hebrenjtë.
Kosova, e frikësuar me gogolin e islamit, qysh kur ka filluar lufta në Siri, më në fund foli.
Dje, më 13 dhjetor 2016, Radio Kosova e Lirë kishte postuar një shkrim për krimet në Halep dhe kishte kritikuar mediet e vendit, që nuk kishin dhënë asnjë lajm për krimet e tilla mizore. E lexuan apo jo shkrimin nuk e di, por sot, më 14 dhjetor 2016 ishte një garë e vërtetë e medieve për të prezantuar sa më shumë lajme nga Halepi, aq sa disa gazetarë filluan që, trajtën italiane “Aleppo” ta zëvendësojnë me fjalën shqipe, Halep, me Halepin e kohës së Ibrahim Pashait, i cili me forcat e veta shqiptare dhe siriane e kishte çliruar Sirinë në vitin 1831 nga forcat franceze dhe e kishte mbrojtur për të mos rënën nën forcat e Perandorisë turke.
Sot nuk i shanë dhe nuk i fyen për së vdekuri shqiptarët që dhanë jetën në Siri, në luftë kundër Assadit. Vetëm sot, as edhe ekspresi i çoroditur nuk i quajti terroristë islamikë shqiptarët e rënë në Siri. Sot në Mbrojte të Halepit për herë të parë doli edhe kryekuvendari i Kosovës, Kadri Veseli i cili Assadin e krahasoi me Milosheviqin. Sot Halepi përngjet me Mejen, Reçakun, Izbicën, Krushën, Therandën, Pustenikun. Çikatovën, Srebrenicën, Vukovarin, dhe me të gjitha vendet, ku në vitin 1999, e para andej, ushtria sodomiste e Milosheviqit kishte marrë ofensivë për zhdukjen e shqiptarëve dhe shpërbërjen etnike të Kosovës.
Nata e zezë sterrë tashmë është lëshuar mbi Halep dhe kudo mbi trojet e përgjakura e të bëra shkrumb e hi të Sirisë. Kufomat kanë mbetur rrugëve, gratë e përdhunuara, shtrihen nëpër rrugë e sheshe, fëmijë të vrarë e të masakruar, pleq të katranizuar nga zjarri i armëve me helme të ndryshme.
Halepi po e përjeton për të satën herë Natën e Valpurgës, të inkuizicionit, natën e Shën Bartolomeut, netët e mizorive fashiste e makinerive të tmerrit e krimit.
Po pavarësisht mizorive e sodomive ruse, iraniane e assadiste, Hapeli sërish do ringjallet, do ringjallet nga hiri vet, sepse jetën njerëzore nuk e vrasin dot, as vrasësit më mizorë. Nuk e kanë zhdukur dot Romën, neronët e Romës së Lashtë, nuk e zhduku dot as Hitleri i Rajhut, as e zhduk dot Putini i Kremlinit, as Shahu i Persisë me mjekrën e Satanait, as Hija e zezë reale dhe virtuale e ISIS-it, për cilin kurrë nuk do të mësohet e vërteta.
Halepi një ditë do të çlirohet dhe do t’i shërojë plagët e shumta të dhunës e barbarive që u derdhën mbi të.
Deri atëherë na mbetet të lutemi e të shpresojmë…. (A.Q.)