Halil Çadraku: Kalin që na e shpëtoi jetën e vrava me dorën time!

Halil Çadraku: Kalin që na e shpëtoi jetën e vrava me dorën time!

Çdo herë kur vinë festat, si ato Kombëtare, si ato shoqërore, sociale, e kalendarike, përkujtojmë me mall shokët, sidomos shokët e rënë në luftën tonë për LIRI. Dhe nuk mjafton, sa do që i kujtojmë nuk mjafton dhe nuk mund të themi se kemi bërë mjaft duke i rikujtuar e risjellë në mendime e kujtime.

Sot, duke menduar për ta, dhe duke i rikujtuar Dëshmorët, më ra ndërmend një krijesë, që asnjëherë s’e kujtuam, e në fakt, ai shpëtojë dy jetët tona, timen dhe të Pekës. KALI …

Ishim në Hoqë të Vogel, me Komandant  Tahir Sinanin, nga ku koordinonim luftën, e nisur në formë ofensive nga pala serbe, e cila kishte filluar sulmet nga ana e Brestovcit dhe Fortesës në drejtim tonin… Pasi vërehej se ofensiva do të merrte përmasa të mëdha, Kom. Tahir Sinani, më dha urdhër, që të shkoja në Samadraxhë e Studenqan që t’i sulmojmë serbët nga ana e Novakës dhe Trnjes, në mënyrë që t’a shpërqëndrojmë forcën, dhe ti japim e hapim edhe një front me forcat serbe.

Pasi që edhe në këto fshatra kishte mjaftueshëm ushtarë, u nisem me pak ushtarë. Mbërritëm në Samadraxhë dhe bashkë me Komandantin e kompanisë së tyre, Shefki Hoda, nga i cili morëm mjaftueshëm ushtarë për ta kryer sulmin.

Pas sulmit, që zgjatë  tri orë ishim bërë objekt granatimi, nga të gjitha bateritë e mundshme në drejtimin tonë, kurse tërhiqeshim ngadalë në drejtim të Samadraxhës dhe Retisë.

Ngadalë, nën flakët e bombardimeve të shumta, ishim në një shtëpi, në periferi të fshatit, të cilën me pragë, nga rruga sipër fshatit e gjuanin forcat serbe, duke e rrënuar murin me plumbat e saj 22mm. Në tërheqje  e sipër, ishim në një lëndinë kur papritmas nga hiqi doli një kalë, duke vrapuar me të katërta, dhe kur erdhi para nesh, ra, i goditur nga plumbat e forcave serbe, para këmbëve tona, ndoshta nja 2 metra. Plumbat 22.mm ishin shumë të fortë, në kushte normale janë kundërajrorë, të cilët e kishin copëtuar pjesën e pasme të kalit, nga plagë të tilla shihej se për atë kalë nuk kishte shpëtim. Mbetem të shtangur, plumbat që ishin të drejtuar në NE, i ndali kali, dhe tani rrinim pranë tij, e s’dinim se ç’të bënim e si të vepronim. Shikonim nga ai, shikonim sytë e tij, me të cilët na shikonte …

Për ata sy, dhe për atë shikim, mund të shkruaj një roman, po të isha ndonjë shkrimtarë i mirë. Atë shikim, nuk mund ta harrojmë assesi, sepse, në të shihnim një bashkëbisedim mes nesh dhe atij kali. Rrallë kush, ka parë një gjë të tillë, dhe, pak kush mund t’a përshkruaj me fjalë atë shikim, apo, atë bashkëbisedim me sy mes nesh dhe atij. Në shikim të tij kishte lutje, kishte krenari për shpëtim të jetëve, kishte një krenari për vetëflijim, kishte një vendosmëri për të vdekur në atë dhe për atë vend, e për ata njerëz. Kuptova edhe gjuhen e lutjes së tij për t’a vrarë dhe për t’ia shkurtuar vuajtjet dhe dhimbjet, por, si t’a vrisnim, si t’a vrisnim një krijesë që na kishte shpëtuar jetërat tona.

Peka mundohej ta ledhatonte ballit, deri sa ai turfëllonte nga pamundësia për të lëvizur, dhe sigurisht nga dhimbjet që kishte nga ato plagë. Turfëllonte kali, qante Peka, granatonte armiku, në këtë mes të mbuluar me tymnajë baruti e djegie, ishte një pozitë shumë e rëndë, një situatë, të cilën me fjalë nuk mund ta përshkruaj, dhe ngadalë nxora revolen dhe i thash Pekës, më lejo t’i ofrohem dhe ta vras. Ajo më shikonte me habi, me dhembshuri, besa edhe me pak urrejtje…

– Mos e vrit, më tha se mund të kthehemi më vonë e ndoshta ta shpëtojmë.

– J0,- i thash ky kalë nuk mund të shpëtohet, dhe, edhe pse nuk kam ditur shumë nga kuajt, kam dëgjuar nga pleqtë se, një kalë të plagosur ose të lënduar më mirë është ta vrasësh se ta lësh në atë situatë… E shtyva Peken prapa meje, që ajo mos ta shikonte vrasjen, dhe e qëllova në mes të ballit me dy fishekë, të cilët edhe sot më tingëllojnë sikur t’ia kisha drejtuar vetvetes.

Vrava, atë që na shpëtoi jetët tona, dhe, NE, kurrë s’mund ta harrojmë këtë moment sado që dikujt i duket i parëndësishëm, i vogël, në krahasim me humbjet që patëm gjatë luftës sonë për LIRI. Por si kujtesë, dhe si mendim lufte, e kujtojmë barabartë me humbjet e shokëve tanë, na sjellë emocione të njëjta, sa e sa herë nuk na lenë rehat, shumë net na i len pa gjumë ai kali ynë hero, …

Shpesh, kemi lexuar, duke shkruar për kalin, duke u fotografuar me të, duke menduar për të dhe tani ju tregova se përse ne kalin e kemi shok e shkuar shokut, dhe e duam si shokë lufte…

Peka, si nderim për kalin e bartë në qafore, një kokë kali, për të cilën shumë kush e kritikon, pse një femër të bartë kalin në qafore, por, vetëm kjo, unë dhe kali e dimë të vërtetën… e tani edhe JU…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …