Halil Ibrahimi: Ne, prishësit e imazhit të Kosovës!

Të nderuar politikanë, aty këtu edhe analistë e gazetarë, etër e nëna të kombit!


 


Muajt e fundit, e veçanërisht këto ditë, kemi dëgjuar shumë pasthirrma kumbuese nga ju, të cilat fjalë kyçe e kishin imazhin: ‘ata po e prishin imazhin e Kosovës’, ‘imazhi i vendit tonë është cenuar rëndë’, ‘mos e prishni imazhin e Kosovës’, ‘nuk do të lejojmë që terrorizmi ta prishë imazhin e Kosovës’, ‘vendi ynë nuk do të krijojë imazh të keq duke shërbyer si korridor për ekstremizëm’, ‘duhet ti japim fund dhunimit të imazhit të Kosovës nëpërmjet protestave të dhunshme’,  ‘të ikurit nga Kosova e poshtërojnë imazhin e vendit’, etj etj. Në anën tjetër e kemi parë sakrificën tuaj të mundimshme në perfeksionimin e imazhit të Kosovës duke dhënë lodhshëm aq e aq intervista, duke u molisur në darka e dreka pune, duke vizituar aq shumë shtete në rajon dhe botë, duke vizituar kisha anekënd vendit e botës, duke ndezur qirinj për shpirtrat e viktimave të terrorizmit, duke marrë pjesë në lutje ndërkombëtare, duke nderuar memoriale  kundër holokaustit! Prandaj e shohim të domosdoshme që të sqarohemi, të paktën të krijohet njëfarë mirëkuptimi midis neve prishësve të imazhit të Kosovës, përkatësisht popullit, dhe juve etërve e mamave madhështore, përkatësisht bërësve të imazhit të mirë e modern të kombit.


 


Si fillim, ngutshëm dhe pa humbur kohë, duke qenë se shumica e ne shqiptarëve prishës të imazhit jemi myslimanë, ju bëjmë me dije që distancohemi nga çdo akt i dhunës dhe terrorit në botë: distancohemi nga sulmet e 11 Shtatorit, distancohemi nga sulmet në Charlie Hebdo, distancohemi nga sulmi në Bali, nga vrasja e Theo Van Gogh, nga sulmet e ISIS-it ndaj jazidëve e të krishterëve, nga sulmet vetëvrasëse në Afganistan e Irak, nga Siria, distancohemi nga fetvaja kundër Selman Rushdisë, distancohemi nga dhuna ndaj grave në Somali, patjetër që distancohemi edhe nga Boko Haram pasi që edhe ju jeni distancuar. Bile bile distancohemi edhe nga mjekrat tona kur nuk kemi kohë të rruhemi, distancohemi nga mjekrat e etërve tanë (qofshin të gjallë a të vdekur), distancohemi nga shamitë e mëmave e gjysheve tona ose kujtdo qoftë tjetër, distancohemi nga Turqia, distancohemi. Përveç kësaj paraprakisht distancohemi nga çdo akt i dhunës e terrorit që mund të ndodhë në të ardhmen kudo qoftë në planetë! Në qoftë se i bën mirë imazhit të Kosovës, katolikët, protestantët e budistët nga ne prishësit e imazhit të Kosovës distancohen edhe nga kryqëzatat, nga Breiviku, milicitë Anti-balaka, Armata e Perëndisë për Rezistencë, pastaj nga Fronti Nacional për çlirimin e Tripurës, Grupi Nagalandi për Krishtin, Bodu Bala Sena etj etj. Ateistët nga ne prishësit e imazhit të Kosovës distancohen nga Enver Hoxha, Korea e Veriut, Mao Ce Duni dhe majtistët ateistë gjithandej Evropës e Azisë.


 


Ne jemi të pastër në këtë punë!


 


Të nderuar, ju kërkojmë sinqerisht të falur që nuk krijojmë imazh të mirë për Kosovën duke mos pasur ashensorë e pishina nëpër shtëpitë tona, duke i pasur muret nga jashtë të pasuvatuara, kulmet e rrënuara e oborret e parregulluara. Jemi të vetëdijshëm që nuk i bëjmë mirë imazhit të Kosovës që të premteve e të shtunave në mbrëmje vonë shumë nga ne nuk dalim për të bërë qejf e për të pirë Smirnoff, Bacardi, Captain Morgan apo Crown Royal. Ata që i bëjnë këto janë të pakët, por lum si ta e të mjerë na që s’kemi mundësi të jemi imazhi i mirë për këtë rast.


Jo që duam fort të jemi orientalë duke qëndruar nëpër shtëpi e duke pirë qaj rusi, por thjeshtë nuk na e kapë gjepi. Distancohemi nga vetvetja dhe na vjen shumë keq që nuk mund të jemi Euvropianë të rinj idealë si në reklamat milionëshe të cilat keni bërë sevap e i keni paguar ju!


Ju kërkojmë shumë ndjesë që nuk gjejmë kohë për të pastruar qytetet e fshatrat tona nga bora apo bërlloku, që makinat tona në qytet i lëmë lëmsh nëpër trotuare, kërkojmë falje bile edhe që nuk kemi parkingje të mjaftueshme e që rrjedhimisht nuk dukemi si vend imazhmirë Perëndimor.


Jemi përunjësisht të turpëruar që nuk patëm mundësi të vëmë lule në memorialin e holokaustit, jo që nuk deshëm por grilat e pallateve tuaja nuk na lejuan. Na vjen keq që kemi ndikuar keq në imazhin e Kosovës duke mos ndezur qirinj për viktimat e Charlie Hebdo, jo që nuk na shkoi mendja, por nga ndaljet e shpeshta të rrymës elektrike na qenë harxhuar. Kur jemi këtu ju kërkojmë ndjesë që nuk bëjmë më shumë për të mbledhur ca lekë për ta rregulluar më në fund KEK-un apo Ujësjellësit: këto ndalje të shpeshta të rrymës e ujit nuk janë ndonjë imazh për tu dëshiruar. Na falni që ngrohemi me qymyr e dru dhe e tymosim imazhin e Kosovës, e dimë se po të ngroheshim me rrymë më e denjë do të dukej Kosova. Të na falni që për shekuj të tërë po e njollosim imazhin e Kosovës duke vazhduar si të babëzitur të hamë pasul, pite (me gjithçka), përpeq, krelana, flija, bakllava, mantia e tespishte në vend të më shumë picave, sallatave ruse, greke, franceze apo zvicerane, ose Coquilles Saint-Jacques, Blanquette de Veau, Hachis Parmentier apo Steak Tartare.


 


Jemi thellësisht të gjetur në faj dhe na vjen keq që ikim nga Kosova dhe kështu e prishim imazhin e vendit tuaj! Ju kërkojmë njëmend falje që e prishim imazhin e Kosovës duke ikur maleve, duke fjetur nëpër hambare e duke dalë të leckosur në faqet e para të gazetave  e televizioneve. A thua vallë si do tu dilni përballë kancelares Merkel, presidentit Obama, burrështetasve e grashtetasve Europiane në Bruksel e Washington me këtë barrë të madhe mbi supe!


 Ata nga prishësit e imazhit të vendit që nuk mund të ikin sinqerisht kërkojnë falje për cytjet e shpeshta të ditëve të fundit për të protestuar, për të thyer ndonjë xham apo tavolinë, për të sulmuar me ndonjë guralec policinë, por thellë në shpirt iu vjen keq edhe që e kanë prishur imazhin e vendit duke u grushtuar nga policia.


E dimë, imazhi i vendit tonë është thellësisht i rrënuar nga këto protesta sepse investitorët e jashtëm kur e kanë parë dhunën e policisë dhe egërsinë e protestuesve turravrap ikën nga Kosova, sa të lumtur që me ta ishim. E dimë këtë dhe vuajmë për këtë prishje të imazhit të vendit. Mos u mërzisni për xhamet e thyera në pallatet tuaja, në qoftë se i bën mirë imazhit të vendit ne vetë do ti paguajmë.


Po patët nevojë për më shumë pallate e vila në funksion të dukjes mirë të Kosovës, qoftë ju, qoftë vëllezërit tuaj, djemtë tuaj, nipat tuaj e xhaxhallarët tuaj, edhe këtë vogëlsirë kemi mundësi për t’ua dhuruar vetëm Kosova le të duket mirë.


Shyqyr që Kosova ju ka juve! Kur ju jeni mirë, ne jemi më mirë. Kryesorja ju të dukeni sa më mirë dhe të na e krijoni imazhin e Kosovës së përsosur, Evropiane, Perëndimore, antiterroriste, të përparuar, Euroatlantike, joorientale e demokratike. Gabimet tona të vockla në prishjen e imazhit të vendit do ti përmirësojmë! Po patët mundësi lutuni për neve prishësit e imazhit të Kosovës që të jemi më shumë si ju ndreqës imazhi, me limuzina, pallate, darka e dreka Evropiane lukzose, vila e apartamente, rroba e këpucë, vizita e pushime!


Ne prishësit e imazhit të Kosovës, juve ndreqësve të imazhit…..

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …