Kohët e fundit, menjëherë pas vizitës së Presidentit të Shqipërisë Bamir Topi në Kosovë, Këshilli Bashkiak i qytetit të Vlorës shpalli “Qytetar Nderi”, ish drejtuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot kryeministër i Kosovës, zotin Hashim Thaçi. Ishte një reagim i mençur dhe i shpejtë, për të rikuperuar mangësitë që shfaqi Presidenti gjatë vizitës në Kosovë, i cili ndonëse u prit me madhështi nga populli pa dallime partiake, ai nuk mundi të dalë nga guacka e partisë së tij. Ai mbajti fjalime në Kuvendin e Kosovës, në Universitetin e Prishtinës, dha intervista të shumta nëpër qytetet e Kosovës, madje edhe në Prekaz te varri i Adem Jasharit dhe i 60 pjesëtarëve të familjes së tij. Por askund nuk e zuri n´gojë Ushtrinë e Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, në asnjë rast nuk i përmendi mëse 2000 dëshmorët e saj, të cilët me gjakun e tyre, sollën NATO-n në Kosovë dhe së bashku me të e dëbuan ushtrinë serbe dhe i sollën popullit lirinë. “Për kryetarin e Shqipërisë, të shtetit Amë,- nënvizon akademiku Rexhep Qosja, në një shkrim të botuar në gazetën “Shqip” më 29.01.08,- lufta çlirimtare do të duhej të ishte Pikënisja, që përcakton gjykimet e vlerësimet e tij…” për çfarë është arritur në Kosovë.
Vlera dhe mbivlera e të gjitha vlerave të Kosovës është UÇK-ja dhe gjaku i dëshmorëve. Para këtyre duhet të falet çdo politikan, çdo personalitet, në çdo kohë. Ai, i cili për shkak të mëkateve politike që ka bërë më parë, vazhdon edhe sot të mos e njohë luftën e Kosovës, si faktorin themelor të Lirisë e të Pavarësisë së shumëpritur, bën fajin tjetër më të rëndë dhe zhytet edhe më thellë në kënetën e mëkateve politike.
Vlora di t´i nderojë e respektojë vlerat e vërteta. Vlonjatët janë trima, shumë të zgjuar dhe patriotë të mëdhenj, që kanë luajtur rol vendimtar gjatë shekullit të kaluar në momentet kyçe të historisë së kombit shqiptar, duke filluar me shpalljen e Pavarësisë më 1912, me Luftën e Vlorës të vitit 1920, me LANÇ, por edhe pas vitit 1990, në periudhën e tranzicionit. Vlora ka qëndruar në pararojë të çështjes kombëtare, duke vlerësuar maksimalisht luftën çlirimtare të Kosovës dhe figurat e ndritura të Kosovës. Vlora ishte e para që shpalli “Qytetar Nderi”, heroin legjendar Adem Jasharin. Shoqata “Labëria” e Vlorës, zgjodhi “Kryetar Nderi” të saj, shqiptarin e madh, akademikun Rexhep Qosja, që kishte një domethënie të veçantë. Vlora, tani shpallë “Qytetar Nderi”, një nga udhëheqësit kryesor të UÇK-së, shokun e Adem Jasharit, Hashim Thaçin.
Ky është vlerësimi që i bën Vlora Luftës Çlirimtare të Kosovës, luftëtarëve të saj, komandantëve dhe drejtuesve të saj. Dhe për këtë çështje ata janë unik e jo partiakë. Vendimi është marrë me konsensus të të gjitha forcave politike, me unanimitet të Këshillit Bashkiak, pavarësisht nëse i ka pëlqyer kjo iniciativë Presidentit Topi, apo jo.
Me këtë vendim, në mënyrë tepër të zgjuar, vlonjatët korrigjuan politikën shtetrore, jo me fjalë, por me veprim.
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …