Një vit më parë, Presidenti i Republikës e vlerësoi me “DEKORATA E ARTË E SHQIPONJËS”
Dëshmori i atdheut Ahmet Feta Cami, pjesëmarrës në dy luftra botërore Halil RAMA
- Duke folur në Berat më 21.X.1944 përfaqësuesi i Dibrës, Haki Stërmilli, ndër të tjera do të theksonte: “Dibra mburret dhe krenohet pse pat edhe shumë burra që e nderuan, pat djelm të shquar që iu kushtuan altarit të lirisë, ndër të cilët Ahmet Cami e shumë të tjerë që e puthën vdekjen me kangën e lirisë në gojë.” (A.Q.Sh.,F.40/AP,V.1944,D.23,fl.32).
Një vit më parë, me Dekret Nr. 11726, datë 17.09.2020, Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi dëshmorin e atdheut Ahmet Feta Cami me “DEKORATA E ARTË E SHQIPONJËS”, me motivacionin: “Për kontributin e shquar atdhetar në mbrojtjen e interesave kombëtare, pavarësinë e vendit dhe tërësinë territoriale të shtetit shqiptar. Si komandant i Çetës së Gollobordës gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe luftëtar i paepur në shërbim të atdheut deri në flijimin e jetës”
Ky vlerësim erdhi pasi kreu i shtetit konsideroi propozimin e bërë nga Kryesia e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ me kryetar gjeneral Rrahman Parllaku dhe Bashkia Bulqizë.
Mbështetur në legjislacionin në fuqi, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ me kryetar gjeneral Rrahman Parllaku dhe Këshilli Bashkiak i Bashkisë, Bulqizës që në vitin 2017 i propozuan Presidentit të Republikës së Shqipërisë që t’i akordojë dëshmorit të atdheut Ahmet Fetah Cami (pas vdekjes) dekoratën e lartë “NDERI I KOMBIT” për shembullin dhe trimërinë e tij në dy luftrat botërore” me këtë motivacion: “Si pjesëmarrës i Dy Luftrave Botërore për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga forcat e huaja pushtuese, si komandant i Çetës atdhetare të Gollobordës që në janar të vitit 1940 dhe i kthimit të saj në maj të vitit 1943 në çetë partizane, si dhe për pjesëmarrjen aktive në luftime, duke dhënë shembull trimërie e heroizmi.”
Pinjoll i fisit me histori të lavdishme në luftrat kundër serbëve
Ahmet Cami lindi me 8 gusht të vitit 1900 në fshatin Viçisht të Qarkorit të Dibrës në një familje me tradita atdhetare e liridashëse dhe ndërroi jetë me 30 tetor të vitit 1943 në spitalin e Tiranës nga plagët që mori në luftën për mbrotjen e qytetit të Peshkopisë me 20 tetor 1943.
Që në moshë te rë, Ahmeti u njoh dhe u frymëzua nga ngjarje dhe episode të ndryshme trimërie dhe heroizmi të popullit shqiptar, si dhe të paraardhesve te tij, si të Mahmut Camit, i vrarë në luftën kundër forcave Osmane të komanduara nga Hajredin Pasha, të Shaban Mahmut Camit, i vrarë në luftimet per mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër mësyemjeve të forcave pushtuese serbo-bullgare, të Fetah Shaban Camit, që është quajtur si legjenda e Luftës së Parë Botërore në atë krahinë, i cili ka udhehequr e komanduar forcat e krahinës së Gollobordës kundër forcave pushtuese shoviniste fqinje serbo-bullgare, të cilin pasi e vranë e masakruan, e çvarrosën pas një jave dhe e kanë fotografuar e ia kanë çuar foton Pashiqit (Krajlit të Serbisë, ish-kryeministrit të Mbretërisë jugosllave) në Beograd, si dëshmi, se e kanë vrarë Feta Camin.
Historiani Gazmend Shpuza në botimin e vitit 1986 “Kryengritja fshatare e Shqipërisë së mesme 1914-1915”(Botim i Akademisë të Shkencave të RPS të Shqipërisë – Instituti i Historisë), citon: “Krerët esadistë kishin marrë prej Serbisë të holla për rekrutimin e 2000 vetëve, porse nuk patën sukses në këtë drejtim, sepse nuk gjetën përkrahjen e banorëve të krahinave ku filluan të vepronin. Shanset e tyre u pakësuan, sepse pranë tyre qenë atashuar ushtarakë serbë. Forcat e pakta mercenare që mundën të mbledhin, edhe pse të përforcuara me ushtarë serbë, u thyen nga forcat shqiptare të komanduara nga Fet Cami, antiesadist i vendosur. Përpjekja u bë në përroin e Tërbaçit. Bandat u detyruan të tërhiqen brënda kufirit shtetëror të Serbisë. Sidoqoftë këto banda përbënin një shqetësim të vazhdueshëm për autoritetet kryengritëse.”(f.375-376).
Në kapitullin “Lufta kundër forcave Serbe” të botimit të cituar më lart përshkruhet: “Forcat agresive serbe ndeshën në qëndresën e shqiptarëve sapo kaluan kufirin. Dan Cami me forca të pakta organizoi pritën e parë në Sepetovë. Forcat e shumta serbe nuk e patën të vështirë ta kapërcenin atë. Për shkak të kësaj qëndrese dhe të luftës së Fet Camit kundër bandave serbo-esadiste….shtëpitë e Camëve në Viçisht u bënë preja e parë e terrorit serb.” (f.392).
Ahmeti i përjetoi ngjarjet e luftës për pavarësi kombëtare dhe qe pjesëmarrës me armë në dorë gjatë Luftës së Parë Botërore me çetat që udhëhoqën gjyshi i tij, Shaban Cami dhe kushëriri Dan Cami e të tjerë pas vrasjes së Feta Camit. Pasi vritet e masakrohet babai i Ahmetit, Feta Cami, e merr dhe komandon çetën e Gollobordës Shaban Cami, gjyshi i Ahmetit, i cili i vendos për herë të parë pushkën në krah Ahmetit që në moshën 16 vjeçare dhe e merr në luftime kundër forcave pushtuese serbo-bullgare deri në Shkup, ku vritet në luftime edhe Shaban Cami, gjyshi i Ahmetit. Të gjithë u flijuan si dëshmorë të atdheut. Ahmeti i përjetoi edhe ngjarjet e Kongresit të Lushnjës si dhe të Revolucionit Demokratik të Qershorit të vitit 1924. Ai ushqeu simpati për qeverinë e Sulejman Delvinës dhe te Fan Noli. (Shpallen dëshmorë të atdheut Fetah Shaban Cami dhe Shaban Mahmut Cami me Vendim të KE të rrethit të Dibrës nr. 72, me 23.6.1978- Fondi Nr. 489, Viti 1984, Dosja 192, fl. 26-43)
Mësimet e para i mori në shkollën 7-vjeçare të Zerqanit. Vazhdoi studimet e kreu arsimin e plotë ushtarak në Tirane dhe studime në akademinë ushtarake. Punoi për disa vite si oficer gjatë kohëxs së Zogut në rrethet Shkodër e Gjirokastër dhe për disa vite në Prefekturën e Elbasanit. Në qytetet ku punoi, Ahmeti është futur në rrethet intelektuale
dhe ka marrë pjesë gjallërisht në diskutime e debate për probleme kombëtare si për organizimin e ushtrisë, të arsimit e të shkollës kombëtare, si dhe për disa reforma shoqërore, duke dhënë kontributin e tij, që të mos ishin gjysmake dhe formale. Ka bërë protesta për ruajtjen e karakterit kombëtar dhe të pavarësisë të ushtrisë shqiptare. Si intelektual i ndiqte me shqetësim ngjarjet që zhvilloheshin në vend dhe në botë. Ai ka mbajtur e mbrojtur anën e krahut progresist dhe demokratik, të cilët mbi gjithçka vinin interesat kombëtare. Ka denoncuar dhe kundërshtuar me indinjatë penetrimin e të huajve në ushtrinë shqiptare, veçanërisht penetrimin e Italisë që para pushtimit. Prandaj ka shkuar deri tek Mbreti Zog në një takim me të dhe ia ka parashtruar gjendjen e ushtrisë.
Organizator dhe komandant i Çetës së parë partizane të Dibrës
Ahmeti e ka pritur me indinjatë të thellë pushtimin fashist italian. Prandaj që ditën e parë të pushtimit të Shqipërisë, tregon ish-kolegu i tij, Isuf Kokomiri: “Ahmeti i ulur në gjunj puth flamurin kombëtar dhe jep dorëheqjen si oficer”. Shembullin e tij e ndoqën edhe ushtarakë të tjerë të cilët vazhduan të jepnin dorëheqjen. Kthehet brenda natës në fshatin e tij të lindjes, në Viçisht të Dibrës. Ai e kishte mëse të qartë, se vetëm me luftë të armatosur, mund të çlirohej Shqipëria nga pushtimi fashist italian.
Fillimet e qëndresës dhe rezistencës mbarëpopullore ndaj pushtimit fashist italian, ashtu si në të gjithë trevat shqiptare edhe në Dibër e në disa fshatra të zonës së Grykës së Vogël e të Gollobordës, nisën që ditën e 7 prillit 1939 të organizuar dhe zhvilluar nga krerët e Maleve të Dibrës. Kur kthehet në Dibër, Ahmeti mëson se kishin internuar e çuar në Berat Uke Dan Camin, kreun e Malit të Gollobordës dhe Sinan Shaban Camin, kryeplakun e Malit të Gollobordës dhe kishin internuar edhe disa krerë të tjerë të Maleve. Menjëherë organizon rezistencën në krahinë dhe bën disa aksione në disa fshatra të Grykës së Vogël dhe të Gollobordës.
Në janar 1940 organizon dhe ngre çetën atdhetare antifashiste të Gollobordës, ku si komandant zgjidhet Ahmet Cami dhe si zv/komandant Uke Dan Cami. Te 9 Malet kanë funksionuar edhe gjatë viteve të para të LANÇ deri në maj të vitit 1943, kur u asgjësuan si armiq disa nga krerët, që bashkëpunuan me pushtuesit nazifashistë. Në qershor 1943, kur filloi shpërbërja e organizimit të Maleve dhe e qeverisjes kolaboracioniste, filluan të zbatoheshin vendimet e Frontit Antifashist për organizimin e këshillave nacionalçlirimtare të pushtetit të ri popullor.
Synimet e organizimit dhe veprimtarive të çetave atdhetare antifashiste, në fillim, kishin karakter kombëtar sipas traditës historike të Nëntë Maleve të Dibrës. Për krijimin e çetës së Gollobordës Ahmeti u mbështet tek traditat atdhetare e liridashëse të popullsisë së krahinës së Grykës së Vogël dhe të Gollobordës, tek urrejtja që ushqente popullsia e këtyre fshatrave ndaj pushtimit fashist. U arrit që popullsia e krahinës, të mos e njihte pushtetin kolaboracionist të pushtuesve fashist, të mos paguante taksat dhe të mos jepte të dhjetat e tokës e të prodhimit.
Veprimtaritë në krahinën e Grykës së Vogël dhe të Gollobordës kundër pushtimit fashist derisa sa ndërroi jetë, i ka organizuar dhe udhëhequr luftëtari i luftës për liri e demokraci dhe për përparim shoqëror, Ahmet Feta Cami.
Gjatë viteve 1939-1941 veprimtaritë antifashiste janë zhvilluar në këto drejtime: – Në mbledhjen e qindra vullnetarëve nga fshatrat e Shupenzës dhe të Gollobordës, për të shkuar dhe për të luftuar në Durrës kundër pushtimit fashist.
– Në organizimin e një pune politike kundër pushtimit fashist, me qëllim që popullsia në këto zona të mos binin pre e propagandës fashiste dhe kolaboracionistëve. Ahmeti është vënë në krye të punës politike, për sqarimin e popullit. Më 28 Nëntor 1940 ka folur para popullit në Homesh për këtë datë historike, duke u dhënë që të kuptojnë se vetëm të bashkuar në luftë mund t’i dilet zot vendit dhe të çlirohet Shqipëria.
– Në marrjen e një informacioni të saktë për zhvillimin e situatave politike në Shqipëri e në botë, për veprimtaritë antifashiste që zhvilloheshin në rrethet e tjera të vendit; të informoheshin për lëvizjet e armiqve, me qëllim që njerëzit të mos binin në kurthet e tyre. Mbi këtë bazë është organizuar shërbimi me roje në disa fshatra, tërheqja e shtypit nëpërmjet Kurt Camit, që bënte tregëti në Shupenzë e shkonte në Tiranë e Dibër të Madhe për furnizim çdo javë, nga informacioni që merrnin nga njerëzit që bënin kontrabandë në Dibër të Madhe, nga të njohur e shokë që vazhdonin të kishin pushtet, si dhe nëpërmjet rapsodit popullor, Musa Izvira, që shkonte sofër më sofër e konak më konak, siç e kujton populli i atyre fshatrave.
Disa nga aksionet që kreu Çeta e Gollobordës
Komandanti i çetës, Ahmet Cami organizoi punën për ndërmarrjen e kryerjen e aksioneve konkrete kundër pushtuesit fashist italian:
- Në fund të muajit mars të vitit 1941 Ahmeti ka organizuar punëtorët e argatët, që punonin rrugën e zonës së Gollobordës, për pengimin e kolonës ushtarake italiane, që kalonte me municione nga Librazhdi në drejtim të Shupenzës dhe Dibrës së Madhe. Puntorët kanë marrë armët dhe përmbytur në lumin Dri një makinë me municione.
- Më 2 Prill të vitit 1941 është organizuar aksioni për të sulmuar depot e armatimit të batalionit të divizionit “Firencie” të disllokuar në Vanastrane të fshatit Tërbaç, me një efektiv prej 600 ushtarësh italianë. Në këtë aksion u kanë marrë italianëve shumë armë dhe janë vrarë disa italianë si dhe një oficer i tyre. Ndërsa forcat e çetës nuk kanë pësuar asgjë, sepse aksioni qe i mirëorganizuar me detaje. Me armët e rrëmbyera në dy aksionet, janë armatosur të gjithë luftëtarët e çetës e të krahinës.
Për kryerjen e këtyre aksioneve forcat pushtuese italiane arrestojnë me 4 prill të vitit 1941 tetë vetë, 7 prej të cilëve ishin djem të Cameve dhe me 5 prill i fusim për pushkatim. Ejup Cami, meqë dinte italisht, u thostë: “Do t’na pushkatojnë. Meqë nuk jemi të lidhur, kur t’na vendosin në rrjesht, ne të shpërndahemi nga të gjitha drejtimet, për të shpëtuar!” Dhe kështu bënë. Por mbetën të vrarë Ejup Shahin Cami, Musa Rahman Cami dhe Mexhit Lezi nga Luznia. Ndërsa të tjerët largohen në drejtime të ndryshme dhe nuk i kapën dot. Arrestojnë 19 burra e djem të Cameve dhe disa nga Golloborda e Shupenza dhe i burgosin
për një vit e gjashtë muaj në burgun e Tiranës dhe të Burrelit si antifashist me Ahmet Camin si kryetar i tyre. Gjat kohës së burgut ndërron jetë në burg Dilaver Cami nga torturat. (Foto e 19 djemve e burrave të Cameve në burg 2941-1942)
- Në aksionin e 7 prillit 1941 gjatë përpjekjeve me pararojën e forcave pushtuese italiane apo të jugosllave, që ishin futur këtej Drinit, vritet Fasli Feta Cami, normalisti i Elbasanit, vëllai më i vogël dhe bashkëluftëtari i vendosur e besnik i Ahmet Camit. Fasli Cami njihet si dëshmor i parë i çetës atdhetare të Gollobordës dhe si mësuesi i parë dëshmor në Shqipëri. Krahina atë natë ishte e rrezikuar nga forcat pushtuese të dy vendeve nga forcat pushtuese italiane dhe ato serbe.
Të burgosurit dhe dëshmorët e fisit CAMI
Pas një aktiviteti të hapur dhe ilegal, arrestohet Ahmeti më 27 prill të vitit 1941 dhe dërgohet në Ostren, në Homezh dhe në burgun e Tiranës e të Burrelit së bashku me xhaxhallarët e kushërinjtë e tij për më se një vit e gjysëm. Akuzohej si organizatori kryesor i lëvizjes dhe të rezistencës në krahinë. Para Ahmetit ishin arrestuar 18 burra e djem të Camëve si dhe disa fshatarë nga Golloborda e fshatrat e Shupenzës.
Në burg Ahmeti njihet dhe zë miqësi me shumë të burgosur nga krahina të ndryshme të vendit, të dënuar apo të padënuar. Ai përmend në ditarin e burgut luftëtarë si Thanas Xhufka, Vasil Gjika dhe Naumi…., studentë në Normalen e Elbasanit. Në ditarin e tij ai shkruan:”Meqë komunistët qenkan aq patriot për çeshtjen kombëtare, atëhere edhe unë qenkam më bolshevik”.. Njeh Petro Markon, pjesëmarrësin e luftës të Spanjës. Njeh disa kosovarë e pezakë, të burgosur për të njëjtat motive. Pas vrasjes së vëllait të tij dhe pushkatimit të Ejupit e Musait dhe të Mexhit Lezit, e njoftojnë për vrasjen enigmatike e të pabesë të Sefer Ramiz Camit, i cili është dëshmor. (Më vonë bie dëshmor kushëriri i parë i Ahmetit, Mahmut Dalip Cami në luftimet me Brigadën e 18 S). .
Ahmeti me gjithë kushërinjtë dhe bashkëpunëtorët e tij dalin nga burgu në gusht 1942 me një vendim të rremë, të cilin e kishte paguar shtrenjtë, me 300 apo 600 napolona flori. Në shkresën e zv.Prefektit të Dibrës Mahmut Golemi të datës 22.6.1942 dhe të z/ministrit të MPM, Beqir Valteri shënohet lirimi.( AQSH, F.252, D.1637, V. 1942, Fl.188-189 ) (Fotokopje)
Sapo u liruan nga burgu, u arratisen për 2-3 muaj nëpër malësi, sepse i kërkonin që t’i burgosnin përsëri. Ahmeti qëndroi në Grykë Nokë të Dibrës i strehuar tek Shaqir Rusi për tre muaj.
Me t’u kthyer në shtëpi, në nëntor 1942 e riorganizon përsëri çetën luftarake për zonën e Gollobordës dhe për disa fshatra të Grykës së Vogël. Kjo çetë bëri disa aksione për t’i mbrojtur këto zona, dhe punoi me fshatarët, që të mos binin nën ndikimin e propagandës fashiste e të bashkëpunëtorëve të tyre, si dhe organizoi punën për çeljen e disa shkollave në krahinë. Çeta e Gollobordës ishte më e madhe në numër dhe shumë më autoritare. Ajo çetë kishte simpati e besueshmëri në atë zonë dhe vepronte si njësit më vehte kundër pushtuesve italianë.
Në vjeshtë të vitit 1942, ku ra në kontakt me Zoi Themelin, komandanti i Çetës së Gollobordës Ahmet Cami pranoi të bashkohej me Frontin Antifashist të LANÇ dhe në maj 1943, e shëndrroi çetën antifashiste të Gollobordës në çetë partizane të Gollobordës, ku pranoi edhe komisar, që u caktua mësuesi korçar i fshatit Radovesh, Spiro Velko, me të cilin njiheshin, sepse ishte koleg me Fasliun dhe shkonte shpesh tek shtëpia e Ahmetit. Ahmet Cami qe ftuar nga Spiro Moisiu, për të marrë pjesë me 10 korrik të vitit 1943 në krijimin e Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Labinot, si komandant i çetës partizane më të njohur dhe që kishte bërë emër në Dibër në organizimin e rezistencës dhe të luftimeve që vitin e parë të pushtimit fashist italian dhe nga njohja që kishte me Ahmetin si koleg që kishin punuar së bashku në Shkodër në vitet 1930. Por Ahmet Camin e kthejnë nga rruga, nga konjukturat politike të kohës.
Organizator i krijimit të Batalionit partizan të Dibrës
Ahmet Cami organizoi krijimin e Batalionit partizan me 23 korrik të vitit 1943 në fshatin Gjoricë e Epërme, si një fshat me një popullsi patriote dhe më i sigurtë, sepse ishte Dalip Cami, xhaxhai i Ahmetit kryeplak, dhe dy miqt e tij Ramadan Mera e Shaqir Pali dhe Ferit Kaja, të angazguar me lëvizjen antifashiste. Çeta e Gollobordës ka qenë pjesëmarrëse në krijimin e Batalionit të Dibrës, sepse Ahmeti e njihte artin ushtarak të kohës dhe e ndiente nevojën e organizimit të luftës në formacione më të mëdha luftarake. Ahmeti e zgjodhi Fshatin Gjoricë e Epërme si vend më të sigurtë, për krijimin e Batalionit të Dibrës, për shkak të influencës që kish krijuar çeta e Gollobordës në këtë fshat, si dhe të lidhjeve të shumta familjare e farefisnore, miqësore e shoqërore, që kishte ai.
Çeta partizane e Gollobordës u bë një nga çetat më luftarake të levizjes nacional çlirimtare në Dibër dhe kreu një seri aksionesh. Në majë të vitit 1943 si çetë partizane menjëherë pas riorganizimit kreu aksionin e parë në Drenok kundër një autokolone që po shkonte për në Strugë.
Çeta e Gollobordës ka marrë pjesë në shumë luftime si në aksionet për çlirimin e Trebishtit, të Ostrenit, të Kërçovës, të Debërskës, të Kosovrastit dhe të Izvorit, të rrugës Dibër-Strugë, Spas e Sollokiç, Reshane, si dhe në luftimet për çlirimin e mbrojtjen e Zerqanit, në luftimet për çlirimin e Dibrës së Madhe dhe të Peshkopisë.
Ahmet ka qenë i pranishëm në dorëzimin e Shtabit të Divizionit italian “Firencia” dhe qe ngarkuar të drejtonte forcat e Çetës së tij dhe të një pjese të Batalionit të Martaneshit për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në Dibër të Madhe, për t’i mbrojtur nga disa banda të panjohura, që ishin organizuar për të bërë vjedhje e shkatërrime të qytetit.
Gjatë udhëtimit për në Peshkopi Çetës së Ahmetit i bëjnë dy prita, një në Maqellarë. Por këtë pritë e kalon pa konflikt, sepse forcat kundërshtare ulin armët, kur informohen, se po kalojnë forcat e Ahmet Camit nga lidhjet e shumta miqësore e familjare. Prita e dytë iu bë në mbrëmje në Qenok. Aty Ahmeti përdori një taktikë të ndezjes së zjarreve në kodër të Qenokut, ndërsa forcat e Çetës kaluan në pjesën anësore të kodrës së Qenokut pa pësuar asnjë përpjekje e dëme. Ne Peshkopi Çeta partizane e Gollobordës vendoset në Dobrovë. Në mesnatë i jepet urdhër të kalonë në Staravec. Në krah të Çetës se Gollobordës ishte
vendosur Çeta serbo-malazeze prej 45 vetësh. Pse duhej të ishte ajo Çetë brenda kufijve të Shqipërisë???!!!
Në këto luftime mbetën të vrarë partizani Lil Hasa, mitralieri partizan italian, Salvadore si dhe u plagos rëndë komandanti i saj trim, Ahmet Cami, i cili pas disa ditësh ndërroi jetë nga plagët e luftës më 30 Tetor në spialin e Tiranës, duke dhënë një shembull trimërie dhe heroizmi. Në luftën e Peshkopisë u plagosën edhe partizanë të tjerë të çetës si Esat Cami, Asllan Zeneli, Hidër Manjani dhe Bajram Toçi. Kjo çetë në luftimet për mbrojtjen e qytetit të Peshkopisë u dëmtua shumë.
Ahmet Cami dha për Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare, për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut gjithçka kishte. Ai shkriu të gjithë pasurinë e tij, duke dhënë edhe jetën. Akti i heroizmit të Ahmetit dhe të shokëve të tij, e frymëzuan çetën e Gollobordës, për ta vazhduar më me guxim e heroizëm luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazistë. Amaneti i tij i fundit për çetën ka qenë, për ta vazhduar luftën kundër pushtuesve të vendit, për të siguruar vëllazërimin e të gjithë shqiptarëve, për të evituar vëllavrasjen, që përpiqeshin të nxisnin elementë të ndryshëm kollaboracionistë me nazifashistët apo me jugosllavët. Populli i kësaj krahine e ngriti lartë emrin e Ahmet Camit, duke e vazhduar më me vrullë luftën, duke e përjetësuar në disa këngë popullore, si dhe duke e quajtur çetën partizane e Gollobordës “Çeta Ahmet Cami”.
Duke folur në Berat më 21.X.1944 përfaqësuesi i Dibrës, Haki Stërmilli, ndër të tjera do të theksonte: “Dibra mburret dhe krenohet pse pat edhe shumë burra që e nderuan, pat djelm të shquar që iu kushtuan altarit të lirisë, ndër të cilët Ahmet Cami e shumë të tjerë që e puthën vdekjen me kangën e lirisë në gojë.” (A.Q.Sh.,F.40/AP,V.1944,D.23,fl.32).
Skënder Menzelxhiu në botimin e tij “Ditar Partizan” ( Gusht 1944-Maj 1945 )- Tirane 1975 shkruan:“…Trimat partizane s’u tremben as nga plumbat as nga vdekja. Shoku yne Ahmet Fehta Cami nga Viçishti, komandanti trim i rrallë i çetës së Gollobordës, që u bë tmerr për shkelësit dhe tradhëtarët, megjithse i plagosur rëndë, në pamundësi që të fliste se plumbi gjakatar i kish rrëmbyer e prishur nofullën dhe gojën, me laps e letër në dorë, gjallërisht, me besim të patundur në fitoren tonë, vazhdonte të komunikonte me shokët e tij, jepte pororsira që t’i binin armikut e mos ta linin të qetë derisa të shporresh, shkruante fjalet e tij te fundit “ Te rroje Shqiperia e lire! “(Fl.2 )
Pas rënies së Ahmetit kjo çetë u inkuadrua në formacionin e Brigadës së 18 S dhe ka kryer edhe shumë luftime të tjera, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Në listën e Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Dibrës, që i dërgohet Presidiumit të Kuvendit Popullor me 30.1.1984, është shënuar emri i Ahmet Fetah Cami si Dëshmor i Atdheut i shpallur me Vendim Nr. 50 të Komitetit Ekzekutiv të KP tërrethit të Dibrës me 30.6.1972.
Ahmet Cami për kontributin e dhënë në luftën Nacionalçlirimtare, iu akorduan menjëherë Medalja e Kujtimit, Medalja e Trimërisë dhe Medalja e Çlirimit. Ndërsa në vitin 1966 dhe 1967 nga rrethi i Dibrës i është propozuar dy vite rrjesht Presidiumit të Kuvendit Popullorë që Ahmet Camit t’i jepej titulli”Hero i Popullit “ për qëndrim patriotik dhe heroik gjatë
luftës Nacionalçlirimtare. Por ky titull nuk iu dha, sepse qe cilësuar si nacionalistë nga jugosllavët dhe në Shqipëri nga Haxhi Lleshi, i cili e sulmoi Ahmetin edhe të vdekur si dhe familjen e tij deri sa ndërroi jetë vetë.
Nga Komisioni Qëndror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” me Vendimin Nr.5, datë 27.12.2002, firmosur nga Kryetari i Komisionit dhe Nënkryeministri i Republikës së Shqipërisë i është dhënë “Çertifikata e Dëshmorit të Atdheut”.