Ish i burgosuri politik dhe veprimtari i njohur, Halil Selimi, ka reaguar lidhur me përpjekjet për modifikimin politik të kërkesës gjithë popullore të vitit 1981 për Republikën e Kosovës.
Në 40-vjetorin e vendosjes së Pllakatit përkujtimor te Mensa e Studentëve, nga Shoqata e të Burgosurve Politikë, kryesia e së cilës militon në Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit dhe shoqata e cila quhet Lëvizje, u vendos mbishkrimi me përpjekje politike për ta deformuar realitetin e Kryengritjes shqiptare të marsit, Prillit dhe Majit të vitit 1981.
Reagimi i plotë:
Na ka ndodhur, që të na e përdhosin dhe bile edhe të na e mohojnë fare historinë…
Na ka ndodhur, që të na e imponojnë historinë e përshtatur nën pushtim…
Na ka ndodhur edhe ta modifikojmë ideologjikisht historinë tonë, mjerisht!
Por, nuk ka ndodhur edhe absurdi i ndryshimit të historisë nga vetë ata apo ato që e kanë bërë këtë histori?!
Kjo, ndodhi para dy ditësh, në ditën e ceremonisë së hapjes së një gurthemeli përkujtimor me rastin e 40 vjetorit të demonstratave të lavdishme të 11 Marsit 1981, për Republikë!
Bazuar mbi parimin e vetëvendosjes, kërkohej asokohe: “Republikë – Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë” dhe jo e kundërta, siç e nxorën paturpësisht, organizatorët e këtij manifestimi, në pllakatin promovues: ‘Vetëvendosje, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!’⁉️
Përpjekja e mjerë për ta përshtatur të kaluarën me të sotmen, është mohim i vetvetes, tjetërsim i veprimtarisë dhe komprometim moral i heronjve të dikurshëm në servilë të pakuptimtë të sotëm!
Jeni për keqardhje, miqtë e mi, të Shoqatës së të Burgosurve Politikë, të Shoqërisë Lëvizja dhe gjithë ekipi organizativ, pa përjashtim!
Historinë nuk e ndryshoni dot, por bëhuni më të përgjegjshëm edhe ndaj veprës Tuaj të djeshme edhe sot e përgjithmonë!